Një punonjës i policisë së Shqipërisë ka mbetur i vdekur pasi është hapur zjarr në drejtim të një grupi të kontrollit të territorit për parandalimin e kultivimit të bimëve narkotike në Qarkun e Lezhës, transmeton Anadolu Agency (AA).
Drejtoria Vendore e Policisë Lezhë ka njoftuar se në rrethana ende të paqarta është qëlluar me armë zjarri në drejtim të grupit të kontrollit të territorit për parandalimin e kultivimit të bimëve narkotike.
Sipas policisë, si pasojë e të shtënave është plagosur me armë zjarri oficeri i krimeve në Komisariatin e Policisë Lezhë, shtetasi S. H., 44-vjeç, i cili ka ndërruar jetë gjatë rrugës për dërgimin e tij në Spitalin Rajonal Lezhë.
“Shërbimet e Policisë kanë rrethuar zonën me qëllim kapjen e autorit. Në ndihmë të policisë lokale janë nisur forcat speciale, grupe të FNSH-së(Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë) dhe një grup i posaçëm hetimor nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit për të bërë të mundur zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorëve”, thuhet në njoftimin e policisë.