Eksportet e bimëve medicinale në Shqipëri llogariten 40 milionë dollarë në vit dhe rreth 90 mijë vetë janë të punësuar.
Ministrja e Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, Milva Ekonomi, e cila sot mori pjesë sot në konferencën kombëtare shqiptare të bimëve medicinale dhe aromatike, theksoi se ky sektor prodhon 47 për qind të bimëve medicinale e aromatike në Ballkan dhe punëson direkt dhe indirekt shtresën më të varfër të popullsisë.
Ajo foli për ndihmën me fonde mbështetëse që ministria e Ekonomisë i ka dhënë këtij sektori, ku dy vitet e fundit katër biznese kanë fituar fondin e konkurrueshmërisë dhe dy biznese fondin start-up.
Ndërsa Filip Gjoka, kreu i shoqatës së Bimëve Mjekësore e Medicinale, tha se klima e biznesit është më e konsoliduar se asnjëherë tjetër. Ai theksoi se paketat fiskale të miratuara kanë sjellë shumë lehtësira.
Qëllimi i kësaj konference është që e gjithë kjo industri të flasë në një zë, të rrisin bashkëpunimin mes tyre, të rrisin cilësinë, dhe vendet e punës. Të punësuarit janë kryesisht në zonat rurale dhe kjo industri ka një efekt të madh në zbutjen e varfërisë në këto zona.