thumbs_b_c_c470695db06eae70a2e89b4472c4fef9

“Shqipëria në BE në vitin 2030 është një projekt ambicioz”

Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, kryeparlamentarja Elisa Spiropali dhe kryeministri Edi Rama, kanë pritur sot në takime të ndara ambasadorin e Bashkimit Evropian (BE) në Tiranë, Silvio Gonzato, i cili dorëzoi zyrtarisht raportin e progresit për Shqipërinë, transmeton Anadolu.

Në konferencën e mbajtur pas takimit në selinë e Kryeministrisë së Shqipërisë, kryeministri Rama theksoi se ky është raporti më pozitiv i gjithë këtyre viteve, i cili rikonfirmon sipas tij përparimin e bërë nga Shqipëria.

“Më vjen shumë mirë që ne sot marrim një raport shumë pozitiv, raporti më pozitiv i të gjithë këtyre viteve dhe normalisht i tillë sepse e tillë është edhe ecuria e vendit. Konferenca e dytë Ndërqeveritare afirmoi faktikisht njohjen nga të gjithë institucionet dhe vendet e Bashkimit Evropian të përparimit të bërë nga Shqipëria në përmbushjen e kushteve për këtë fazë të negociatave për anëtarësim”, tha Rama.

Rama shtoi se raporti është real dhe i balancuar dhe sipas tij siç njeh të gjitha përpjekjet e progresin e bërë, shënjon me përpikmëri dhe piketat për hapat që duhen bërë më tej.

Ambasadori Gonzato në konferencë tha se raporti për Shqipërinë i publikuar dje ofron orientim të rëndësishëm dhe rekomandimin se cilat janë masat që duhet të përcaktohen si përparësi vitin që vjen.

“Në paketën e zgjerimit miratuar dje nga KE vërehet angazhim i palëkundur i Shqipërisë drejt integrimit në BE si përparësia kyçe strategjike e vendit. Ai njeh plotësisht faktin që Shqipëria ruan bilancën e saj të harmonizimit të plotë me politikën e jashtme të sigurisë të BE-së dhe kjo vazhdon të përçojë një sinjal të fortë rreth zgjedhjes strategjike të BE-së, të interesimit në BE dhe të rolit të saj si një partnere e besueshme”, tha Gonzato.

Gonzato theksoi se Komisioni Evropian sheh një mundësi për Shqipërinë që të përshpejtojë procesin e anëtarësimit në BE vitet e ardhshme.

– Zgjerimi i unionit në Ballkanin Perëndimor është rikthyer fuqishëm në agjendën politike të BE-së

Në një njoftim nga Presidenca e Shqipërisë, thuhet se Presidenti Begaj vlerësoi gjatë takimit si inkurajues faktin që zgjerimi i unionit në Ballkanin Perëndimor është rikthyer fuqishëm në agjendën politike të Bashkimit Evropian.

Ndërkohë, në njoftimin e Kuvendit të Shqipërisë thuhet se Spiropali u shpreh se Shqipëria në BE në vitin 2030 është një projekt ambicioz.

Komisioni Evropian ka miratuar paketën vjetore të zgjerimit, duke ofruar një vlerësim të detajuar të progresit të bërë nga vendet e rajonit dhe vendet tjera kandidate për anëtarësim në Bashkimin Evropian (BE).

Sipas BE-së, është thelbësore që autoritetet shqiptare të intensifikojnë më tej ritmin e reformave të orientuara nga BE, veçanërisht në sundimin e ligjit

Shqipëria është vend kandidat për anëtarësimin në Bashkimin Evropian që nga viti 2014. Më 15 tetor të këtij viti u mbajt Konferenca e Dytë Ndërqeveritare mes Shqipërisë dhe Bashkimit Evropian (BE), duke shënuar hapjen zyrtare të negociatave për grup-kapitujt e parë, për procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në BE.