Kjo shënon herën e parë të përzgjedhjes në këtë funksion, pas 65 vitesh nga anëtarësimi i saj në Organizatën e Kombeve të Bashkuara, ku u mbështet nga 175 shtete anëtare të OKB-së nga190 vende që morën pjesë në votim.
Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme e Shqipërisë, Olta Xhaçka deklaroi që zgjedhja e Shqipërisë anëtare e Këshillit të Sigurimit të OKB për dy vitet e ardhshme, përbën një mundësi historike dhe një arritje të shkëlqyer për diplomacinë shqiptare.
Përmes një videoje, Xhaçka u shpreh e lumtur që mund të ndajë me shqiptarët një lajm kaq historik pas votës në Asamblenë e Përgjithshme.
“…Shqipëria ka fituar të drejtën për të qenë një nga anëtarët e Këshillit të Sigurimit për një mandat dyvjeçar për vitet 2022-2023. Kjo do të thotë që nga 1 janari 2022 vendi ynë do të jetë anëtari i forumit më të lartë të politikës dhe marrëdhënieve ndërkombëtare ku trajtohen dhe merren vendime për çështjet më të mprehta që shqetësojnë botën sot sa i takon paqes dhe sigurisë…”, u shpreh Xhaçka, e cila falënderoi shumë shtete të botës, të cilat mbështeten Shqipërinë të jetë anëtare në Këshillin e Sigurimit Ndërkombëtar.
“…Dua të falënderoj shumë të gjitha ato vende që na mbështetën me votën e tyre, që mbështetën kandidaturën e Shqipërisë. Dua të falënderoj shumë edhe grupin e Evropës Lindore që zgjodhën t’i japin Shqipërisë mundësinë për t’i përfaqësuar në Këshillin e Sigurimit. Po kjo mbështetje nuk është e rastësishme, në fakt ajo është konfirmimi më i mirë i respektit dhe i besueshmërisë që gëzon sot Shqipëria si një vend, shtyllë stabiliteti në rajon, si eksportues sigurie në misionet paqeruajtëse dhe faktor stabiliteti dhe konstruktiviteti në çdo forum ndërkombëtar ku ka kontribuar. Një falënderim shkon për të gjitha ata burra dhe gra diplomatë dhe politikanë shqiptarë që kanë punuar për vite me radhë për të arritur këtë fitore kaq të madhe të diplomacisë shqiptare…”, tha ajo.
Po ashtu, Xhaçka shtoi se “fakti se Shqipërisë i jepet për herë të parë mundësia të bëhet pjesë e këtij forumi pas 65 vitesh anëtarësi në OKB, ndërkohë që shumë vende të tjera nuk kanë pasur një mundësi të tillë, besoj se ilustron më së miri se çfarë përmasash ka kjo ngjarje”.
“…Po përtej gëzimit dhe kënaqësisë krejt legjitime, fakti se na është dhënë një mundësi e tillë historike është edhe një përgjegjësi e madhe. Ne jemi të vetëdijshëm që duhet të kemi pritshmëri realiste për atë që mund të arrijmë në Këshillin e Sigurimit. Po ashtu jemi edhe optimist se me një plan të mirë pune me një strategji dhe objektiva të qarta, me përgatitje serioze për ditën kur do të ulemi në Këshillin e Sigurimit mund të arrijmë shumë. Sot që flasim përgatitjet janë duke vazhduar ethshëm dhe jemi në prag të finalizimit të skuadrës që do të përfaqësojë Shqipërinë, pra të gjitha atyre që do të përzgjedhë si diplomatë më të mirë nga shërbimi i jashtëm, por kemi hapur edhe një thirrje për të ofruar te kjo skuadër ekspertë më të mirë jashtë sistemit, atë që do të bëhen pjesë në atë që e kemi quajtur ekipi i ëndrrave në Këshillin e Sigurimit…”, tha Xhaçka.
Në fund, Xhaçka shtoi se “Në ditët në vijim do të kemi komunikime me publikun për t’i informuar në mënyrë më të qartë dhe më të detajuar për të gjitha platformën e Shqipërisë për përzgjedhjen e ekipit tonë dhe për pritshmëritë tona nga kjo mundësi historik”.
Nga ana tjetër, Zgjedhja e Shqipërisë si anëtare e përkohshme e Këshillit të Sigurimit të OKB-së është përcjellë me mesazhe urimi nga autoritete të ndryshme shtetërore në Tiranë.
Presidenti I Shqipërisë, Ilir Meta përshëndeti zgjedhjen e Shqipërisë, anëtare jo e përhershme e Këshillit të Sigurimit në OKB.
“Përshëndes zgjedhjen sot të Shqipërisë, anëtare jo e përhershme e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, për herë të parë në 65 vite anëtarësi në këtë Organizatë të rëndësishme për paqen, sigurinë dhe stabilitetin global”, shprehet ai.
Po ashtu Meta shton se “sfidat janë të jashtëzakonshme dhe shumë të vështira, por shpreh bindjen se vendi ynë do të përmbushë me përgjegjësi të lartë këtë detyrë dhe mision për dy vitet e ardhshme”.
Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Gramoz Ruçi, ka përshëndetur votimin e Shqipërisë si anëtare e përkohshme e Këshillit të Sigurimit të OKB.
“Zgjedhja e Shqipërisë si anëtare e përkohshme e Këshillit të Sigurimit të OKB për vitet 2022-2023 është një sukses i merituar i Shqipërisë. Në këtë arritje kanë meritë të gjitha institucionet shqiptare, që jo thjesht lobuan, por ditën të krijojnë perceptime të drejta dhe bindën 175 shtetet anëtare për garancitë që ofron Shqipëria si një kontribuese për demokracinë, zhvillimin dhe paqen. Qeveria shqiptare dhe diplomacia shqiptare kanë meritën e tyre të madhe në këtë proces. Kjo nuk është thjesht një arritje diplomatike, por kombëtare. Vetëm një vend që bind për institucione demokratike zhvillim, stabilitet e siguri, mund të kontribuojë në sigurinë dhe paqen në botë. U shpreh mirënjohjen të gjithë kryeparlamentarëve të vendeve anëtare, të cilët iu përgjigjën lobimeve të Kuvendit dhe kontribuan në votimin për Shqipërinë”, shkruan Gramoz Ruçi.
Kryeministri Rama e ka konsideruar si lajm të bukur, zgjedhjen e Shqipërisë si anëtare jo e përhershme të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.
“Lajm i bukur. Me 175 vota nga 117 të nevojshme, Shqipëria sapo u zgjodh anëtare e Këshillit të Sigurimit të OKB për vitet 2022-2023”, u shpreh kryeministri Rama në reagimin e tij.
“Shqipëria u zgjodh sot anëtare jo e përhershme e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara për një periudhe 2-vjeçare.
Shqipëria u paraqit në këto zgjedhje si kandidaturë konsensuale e Grupit të Vendeve të Evropës Lindore. Zgjedhja në Këshillin e Sigurimit, për herë të parë pas 65 vitesh anëtarësim në OKB, përfaqëson sfidë madhore, por dhe një mundësi të shkëlqyer për Shqipërinë”.
Ambasadorja e SHBA-ve në Tiranë, Yuri Kim përcolli urimet e saj.
“Historike: Urime Shqipërisë për zgjedhjen për herë të parë në Këshillin e Sigurimit të OKB-së. SHBA presin të punojnë me Shqipërinë edhe më ngushtësisht në rajon dhe në botë. Urime”, shkruan ambasadorja Kim.
Ambasadori i delegacioni të BE-së në Shqipëri, Luigi Soreca e ka konsideruar ditë historike për Shqipërinë zgjedhjen e saj, si anëtare jo e përhershme të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.
“Ditë historike për Shqipërinë dhe popullin e saj. Urime për zgjedhjen si anëtare e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, 2022-2023. Presim të punojmë edhe më afër së bashku në adresimin e çështjeve globale”, shprehet ambasadori I BE-së, Soreca.
-Përgatiti për TRT Shqip, Arben HALLUNI, Shqipëri –