Rtv Pendimi

Shqiptarët dhe identiteti i tyre – të rinjtë dhe të vjetërit e Europës

Autor: Labinot KUNUSHEVCI, sociolog

Autori Regjinald Hibert, në librin e tij “Fitorja e hidhur”, ka thënë:

“Shqiptarët janë një nga popujt më të vjetër të Europës, por vendi i tyre është një nga shtetet më të reja të Europës. Të jesh kaq i vjetër dhe njëkohësisht kaq i ri, është njëfarë fati i keq”.

Me këtë fjalë të këtij autori do të përpiqem që të shpjegoj, ndoshta me një qasje hipotetike, se ky fat i keq i shqiptarëve sipas këtij autori, nëse është apo jo për shkaqe të krizës identitare, mos ridefinimit dhe mos afirmimit të sistemit të vlerave kulturore dhe pamundësisë për krijimin e një identiteti të qëndrueshëm dhe integrues! Kjo thënie e Hibertit mund të paragjykohet dhe t’i jepet një konotacion jo i drejtë, por unë mendoj se duhet analizuar thellësisht dhe kontekstualisht.
Ne duhet ta analizojmë rrugën nëpër të cilën kemi ardhë deri këtu ku jemi dhe t’i studiojmë më thellë rolet e personaliteteve historike në mënyrë që ta njohim veten më mirë sepse historia jonë në fakt është histori e pushtimeve të të huajve. Mbi 2000 vjet shqiptarët kanë qenë të pushtuar prej romakëve, bizantinëve, bullgarëve, osmanëve dhe sllavëve dhe këto pushtime pa dyshim se kanë lënë gjurmë dhe pasoja tek shqiptarët të cilat ky autor do të duhej t’i dinte para se fatin e shqiptarëve ta quante në një instancë “të keq”. Këto histori duhet të studiohen me themel dhe të krijohet një mozaik i vërtetë i gjithë historisë dy mijë vjeçare. Pa e njoftë realisht krejt çfarë ka ndodhë në historinë tonë, ne vështirë se kemi me rehabilitu një identitet të qëndrueshëm.
Periudha e shekujve XI-XIV ka qenë periudha më e errët e historisë kulturore e kombëtare shqiptare ngase ishin shumë aktive tendencat e dhunshme të sllavizimit të shqiptarëve dhe të toponimeve në hapësirat shqiptare. Në periudhat e pushtimit bizantin, bullgar dhe serb, as që mund të bëhet fjalë për zhvillimin e identitetit shqiptar, po vetëm për një proces të zhdukjes fizike dhe kulturore të shqiptarëve. Tani nëse i pyesim historianët tonë: “Pse shqiptarët gjithnjë ishin të pushtuar me çizme të huaj në qafë?” – ata thonë: “Sepse ishim të vegjël e të dobtë!” Por nuk japin përgjigje pse ishin të vegjël, të dobtë e të pafuqishëm! Megjithatë nuk është lehtë të argumentohet dhe dokumentohet sepse ne shqiptarët në kontekst të kujtesës historike kemi probleme për shkak të interpretimeve e qasjeve minimizuese, censuruese dhe glorifikuese dhe gjithashtu për shkak të mos dokumentarizimit të kujtesës historike dhe mungesës së kredibilitetit të institucioneve historike e kulturore. Na mungon një histori e shkruar, e arkivuar dhe e dokumentarizuar shumëvëllimshme. Duhet t’i forcojmë politikat arsimore, shkencore, kulturore e antropologjike, bazuar në referencat e autorëve vendor e pastaj edhe autorëve të huaj.
Pa dyshim se kultura tek shqiptarët është një burim dhe faktor i rëndësishëm i krijimit dhe forcimit të identitetit kombëtar edhe pse për fatin jo të mirë për kulturë brenda një viti më pak se 1% ndahet nga buxheti i tërësishëm i Kosovës dhe kjo tregon çfarë qasje dhe çfarë rëndësie i japim artit dhe kulturës. Në vazhdim do t’i përmendi disa nga faktorët dhe komponentat kulturore që ndikojnë në forcimin dhe konsolidimin e një identiteti të qëndrueshëm kombëtar.

• Gjuha dhe Shkrimi (Komunikimi Publik) – Shumë të veçantë e kemi gjuhën shqipe e cila është unike. Gjuha është një element i rëndësishëm kulturor. Mirëpo për gjuhën shqipe e cila mbahet si argument më i fuqishëm i identitetit kulturor e kombëtar të ne shqiptarëve, në të ardhmen duhet pasur kujdes që të mos margjinalizohet nga vetë shqiptarët, të cilët nën presionin e integrimit, do të mund të parapëlqejnë të flasin e të shkruajnë në gjuhë të tjera duke iu shmangur gjuhës shqipe. Dikur na imponohej latinishtja, greqishtja, sllavishtja e turqishtja, ndërsa tani mendoj se duhet të investojmë në kultivimin e gjuhës shqipe, pastaj të integrohemi edhe në gjuhët tjera europiane. Nuk e përjashtoj faktin se përdorimi i gjuhëve të huaja nga ana e shkrimtarëve tonë ka pasë edhe funksione pozitive, sepse i ka bërë të njohur të tjerët për vlerat, historinë dhe kulturën shqiptare. Nëse ne vet botojmë ose shkruajmë libra në gjuhë të huaja për kulturën e historinë tonë, kjo është më mirë për neve se sa të shkruajnë serbët të cilët zakonisht na e shtrembërojnë historinë, origjinën, kulturën, kërkesat potlitike etj. Shqipja, si rrallë gjuhë të botës, e ka të ruajtur lakimin, kjo i mundëson shprehësi më të lartë relative, i ushtron më shumë mendjet e folësve të saj dhe rrjedhimisht përbën krenari për ne shqiptarët.
Gjithashtu edhe shkrimi është një faktor i rëndësishëm kulturor në krijimin dhe forcimin e identitetit kombëtar. Antropologu i njohur Luis Morgani, thoshte se nëpërmjet zbulimit dhe zhvillimit të shkrimit janë krijuar shtetet, identitetet sociale, qytetet, rregullat, ligjet dhe planet e jetës. Që identiteti ynë kombëtar të forcohet, duhet që në kontekstin e gjuhës, shkrimit dhe komunikimit publik, të hartohen politika të ndryshme që do t’i mbronin vlerat e gjuhës dhe shkrimit standard, fillimisht nga nocionet e reja që vijnë kryesisht nga invazioni teknologjik e modern. Duhet të pasurohen dhe të shtohen fjalorët e gjuhës shqipe e jo të lejojmë degradimin e gjuhës dhe komunikimit publik që shumë herë është primitiv e agresiv dhe kjo vjen kryesisht nga njerëz të frustruar, që jetojnë në presionin e frikës neurotike për të ardhmen, por nuk përjashtohet edhe fakti se mbi ¼ e popullatës jeton jashtë dhe mbijetesa e gjuhës tek gjenerata e dytë dhe e tretë është bukur e vështirë, pastaj edhe nga njerëz që janë në proces të tjetërsimit të identitetit etj. Mendoj se mediet mund të luajnë një rol në krijimin e rregullave standarde të komunikimit. Pastaj të mbahen kongrese, seminare dhe tribuna shkencore kulturo-albanologjike. Të shtohet kontributi i komunikologëve dhe akterëve tjerë ekspertë në diskurset publike, të cilat shumë herë degradohen dhe e humbin efektin racional, shkencor e standard akademik që duhet ta kenë.
Për ne studentët e socoilogjisë është e rëndësishme ta mësojmë eseistikën sociologjike, të dimë të analizojmë dhe interpretojmë sociologjikisht brenda normave dhe vlerave të diskurseve që i prodhon një shoqëri me kulturë normale të komunikimit.

• Normat dhe Ligjet – Edhe normat apo ligjet, qofshin zakonore ose juridike, të shkruara apo të pashkruara, rregullojnë raportet shoqërore qoftë në sferën publike apo private dhe pa dyshim se janë vlera të përbashkëta që ndikojnë në forcimin dhe konsolidimin e identitetit kombëtar.
Në rastin e shqiptarëve, si normë e shkruar zakonore, ka qenë Kanuni i Lekë Dukagjinit, të cilin e kanë pasur shumë popuj në mesdhe ngase struktura apo baza filozofike e juridike e Kanunit është mesdhetare, por i cili tek ne shqiptarët ka mbetur më së shumti për arsye sociale e historike dhe kryesisht është marrë me rregullimin e jetës në mjedise të caktuara rurale (jo urbane); me tokën, me pronën, me nxënien e pritës – hakmarrjen, martesën, familjen etj. Ka interpretime të ndryshme për Kanunin, i cili mendoj se duhet të analizohet dhe interpretohet në kontekstin historik e socio-kulturor, megjithatë mendoj se ka prodhuar të këqija dhe s’ka arritur ta zëvendësojë një institucion të mirëfilltë. Madje edhe sot logjika kanunore përdoret tek shqiptarët, sidomos në konfliktet familjare që nganjëherë ndodhë të marrin përmasa tragjike.
Ndërsa tani i kemi institucionet ligjore juridike e demokratike, e kemi koncepin e barazisë dhe konceptin e të drejtave të njeriut, të garantuara me ligj dhe kështu shpresojmë se vlerat socio-kulturore që prodhohen prej tyre, të ndikojnë progresisht në forcimin e identitetit.

• Ekonomia – Te krijimi i identitetit kombëtar e shtetëror identiteti është shumë e rëndësishme komponenta e ekonomisë. Mendoj se Kosova nuk është plotësisht shtet i pavarur për arsye se Serbisë që e konsideron armike, çdo vit u importon 300 – 400 milionë euro duke blerë produkte prej tyre për shkak të mungesës së forcës së pavarur ekonomike. Importimi i qepëve dhe hudhrave nga Kina është tregues i krizës së identitetit sepse realisht s’ka pëllëmbë toke në Kosovë që s’e bën hudhrën apo qepën!
Madje edhe nëse i referohemi resurseve dhe potencialeve të kohëve më të vjetra, do të gjejmë se ato s’na kanë munguar. Edhe para Betejës së Kosovës, kur Brankoviçi dhe Llazari sundonin në Kosovë, Novëbërda ishte e pasur me miniera. Gjithashtu edhe Trepça e shumë miniera tjera. Praktikisht resurset s’na kanë munguar e as sot s’na mungojnë! Veçoj qymyrin si resurs natyror që e bën Kosovën ndër vendet më të pasura në Europë me të. Mendoj se problemi qëndron tek menaxhimi dhe tek politikat zhvillimore e jo tek mungesa e potencialeve.
Nuk mund të jemi faktor e të kemi identitet të fortë ekonomik nëse për nevojat bazike dhe jetike varemi prej të tjerëve, prej një armiku shekullor të njohur për propagandat e tij 250 vjeçare kundër shqiptarëve; gjoja se ne jemi mbetje, s’kemi alfabet dhe s’mund të jemi të pavarur. Kështu duke na përdhosur edhe identitetin e femrës shqiptare, duke na e portretizuar atë si një makinë që lind veç fëmijë dhe këtë qëndrim e kishte demografi jugosllav Macura.
Forca e identitetit kombëtar vjen nga forca ekonomike dhe një superfuqi ekonomike të bën superfuqi europiane, siç u bë Gjermania, e cila tani edhe i dikton lojërat në tregun e Europës.
Ekonomia, industria e zhvilluar, kapitalizmi i mirëfilltë (jo grabitqar çfare e kemi ne), jo vetëm në rrafshin e prodhimit, por edhe në rrafshin e arsimit, shëndetit etj, mbeten njëra prej shtyllave të treguesit të një identiteti të fortë dhe të respektuar dhe kjo praktikisht për neve është një tregues se identiteti jonë është në një krizë të thellë dhe kjo është një parametër i njohur dhe i mundshëm i matjes së rrezikut të kolapsimit të shtetit të mirëqenies. Më së miri na përshtatet metafora e njohur: “Nëse bota është një luan, ne jemi në bishtin e luanit!”

• Afirmimi dhe respektimi i vlerave nacionale, fetare dhe kulturore – Edhe nacionalizmi është gjenerator që e ushqen me energji një mekanizëm të kombndërtimit dhe të shtetndërtimit. Nacionalizmi synon të formojë e të zhvillojë shtetin kombëtar me vlerat më dinamike dhe më kulminante kulturore të një kombi konkret. Disa nga kombet e sotme, pa nacionalizmin e tyre dinamik e fitimtar, nuk do të ekzistonin si të tilla në faqe të dheut. Nëse flasim për identitetin nacional shqiptar, e dimë se i janë bërë manipulime dhe deformime të rënda. Ende nuk janë dënuar krimet e komunizmit dhe ekzekutorëve të atyre krimeve kundër nacionalistëve shqiptarë! Dhe për këtë heshtin shumë akademikë, studiues e publicistë! A thua pse?!
Ndërsa ne shpenzojmë shumë energji për konfliktet simbolike të identitetit. Patriotizëm i vërtetë do të ishte sikur një biznesmen t’i forconte politikat e prodhimit kapital dhe kështu ta zvogëlonte importin e produkteve serbe. Ky do të duhej të shpallej hero e jo një tifoz sportiv, i cili me një ide simbolike i trazon emocionet. Ne e dimë çfarë rëndësie dhe efekti ka pasur flamuri si simbol i fuqishëm pas Luftës së ftohtë, gjë që flet edhe Hantingtoni tek “Përplasja e Qytetërimeve”, por tani gjendemi në rrethana e kontekste tjera dhe praktikisht potenciali dhe energjia jonë duhet të orientohet dhe shpenzohet diku tjetër.
Pastaj çështje tjetër me rëndësi në forcimin e identitetit kombëtar që dua të përmendi është edhe toleranca ndërfetare dhe vlerat e prodhuara prej saj. Intelektualët shqiptarë si: Sami Frashëri, Naim Frashëri, Abdyl Frashëri, Kristoforidhi, De Rada, Pashko Vasa, Hoxha Tahsini e shumë të tjerë e kanë krijuar idenë e një kombi, që përbëhet nga të gjithë ata që flasin gjuhën shqipe, që ndjejnë historinë shqiptare të përbashkët, që kanë kujtime të përbashkëta për lashtësinë e kombit të vet dhe që pamvarësisht prej dallimeve fetare i përkasin të njëjtit komb. Mbi këtë premisë është krijuar kombi shqiptar, prandaj edhe si i tillë ka funksionuar. Normalisht që kjo pastaj ka përjetuar një degradim në periudhën e komunizmit në Shqipëri dhe në viset shqiptare në Jugosllavi.
Edhe thënia e Pashko Vasës “Feja e shqyptarit asht shqyptaria”, është një thënie që është keqpërdorë jashtëzakonisht shumë nga regjimi komunist sepse Enver Hoxha në kohën kur e ka marrë vendimin m’i ndalu fetë në Shqipëri iu ka referu më së shumti këtij mendimi të Vasës. Ndërsa realisht Pashko Vasa nuk ka qenë njeri antifetar! Përkundrazi ka qenë një njeri shembullor i një njeriu tolerant sepse vet ka qenë katolik dhe ka punuar për Perandorinë Osmane. Ka qenë zyrtar i lartë i Sulltanit. Pashko Vasa nuk thotë që duhet t’i mbyllim kishat edhe xhamitë edhe duhet të hjekim dorë prej fesë, por në atë idenë poetike sepse ajo është poezi, nuk është traktat politik, thotë se ne duhet m’u orientu tek ideologema kryesore e shqiptarsisë. Prandaj është thjesht një deklaratë, një varg poetik, i keqpërdorur, i instrumentalizuar, dhe të cilën ai nuk ka menduar në mënyrën si është interpretuar. Është thjesht fjala për një thirrje në mobilizim të gjithë shqiptarëve pa dallim fesh, në kauzën e krijimit të kombit, krijimit të shtetit.
Europa sot e ka pranuar diversitetin fetar dhe ne jetojmë në Europë. Ne jemi europianë me kulturë, ne jemi europianë me gjeografi, ne jemi europianë me histori dhe kjo nuk mund të ndryshojë dhe nuk ka pse ndryshon. Nuk ekziston kontradikta ndërmjet të qenit shqiptar, të qenit mysliman edhe të qenit europian. Ata që duan me luftu qoftë idenë e shqiptarsisë, qoftë përkatësinë islame, krijojnë rivalitete të kësaj natyre: “A jeni me Europën, a jeni me Lindjen, a jeni me këtë a jeni me atë?!” Por këto shërbejnë vetëm për instrumentalizim në luftë për një kauzë. Përndryshe po të shikojmë lëvizjen politike edhe intelektuale shqiptare, nga fillimi, nga Rilindja, asnjëherë, asnjë autor, as mysliman e as krishter, nuk ka shkruar ndonjë ide që “ne duhet të shkojmë në Lindje”. Praktikisht orientalja s’është alternativë. Nuk ekziston asnjë rrymë e një mendimi politik dhe intelektual shqiptar i cili do të thoshte “ne jemi lindorë, ne jemi turkomanë, ne jemi turkofilë, ne jemi arabofilë”, nuk ekziston! Andaj s’ka pse të kundërvihet identiteti jonë europian me ndonjëfar identiteti të paqenë oriental. Është thjesht produkt i armiqëve edhe të harmonisë fetare shqiptare edhe të identitetit shqiptar për me kriju pretekste për një luftë ideologjike. E luftrat e tilla ideologjike janë shumë të rrezikshme.
Tani neve na duhet një identitet i qëndrueshëm sepse në shumë shekuj kemi humbur në proceset asimiluese të greqizimit, sllavizimit e turqizimit, e sikundër ndodh edhe sot asimilimi në grekë, italianë, ashkali e rusë. Ajo që ne duhet të bëjmë sot është që t’i harmonizojmë nivelet e identiteteve dhe kështu të krijojmë një gjenerator që ushqen me energji mekanizma të forcimit të identitetit kombëtar. Në rastin tonë pasi kemi krijuar një komb, duhet synuar që përmes vlerave nacionale, fetare e kulturore dhe politikave zhvillimore, të krijojmë një identitet të qëndrueshëm.
Identiteti krijohet në një raport kompleks me të tjerët. Qasja në kontekstin sociologjik ndaj identitetit merret me efektet në raport me tjerët. Edhe dimenzioni kulturor në raport me identitetin duhet të shikohet në kontekst të efekteve. Arti është një promotor zhvillimi dhe prodhues vlerash kulturore për një identitet të fortë; qoftë përmes muzikës, filmit, pikturës dhe zhanreve e ideve të ndryshme shpirtërore artistike; me muze, galeri e kinematografi artistike e kulturore, duke përjashtuar perversitetin, i cili na servohet shumë herë si vlerë artistike e që faktikisht perversiteti e banaliteti në art është dëshmi e mungesës së vlerave. Mendoj që arti i fjalës është i lidhur ngushtë me muzikën, ndërsa tekstet në krijimtaritë tona muzikore tregojnë për një krizë identitare. Kemi shumë këngë të kota. Mungojnë funksionet sociale e shpirtërore në art! Por ja që edhe shijet e gjeneratave ndryshojnë. Kemi nevojë për një art refleksiv, kreativ, dinamik, socio-kulturor dhe shpirtëror, që ngritet dhe bazohet mbi vlerat që i pranon shoqëria.
Përfundimisht, nisur nga thënia e Hibertit, i cili tha se fati jonë nuk është i mirë për faktin se jemi ndër popujt më të vjetër të Europës dhe njëkohësisht ndër shtetet më të reja të Europës e që do të duhej të ishim që moti shtet me identitet dhe integritet të fortë, por për arsyet e lartëpërmendura jemi vonuar, atëherë mund të them se tani që identiteti ynë të jetë i qëndrueshëm dhe i fuqishëm, duhet mbi të gjitha ta ketë komponentën e fortë ekonomike, një gjuhë, shkrim dhe komunikim standard dhe intelektual, një sistem ligjor të fortë e funksional, të krijojë mekanizma afirmues të vlerave nacionale, fetare dhe kulturore, tradicionale dhe moderne, në interes të identitetit, i cili përmes tyre, do të duhej ta tejkalonte krizën që është përbrendësuar dhe që e ka katandisur atë.

TË NGJAJSHME