“Shqiptarët e ISIS duan të kthehen, por terroristët si lejojnë”

Mund të jenë të zhgënjyer, por tashmë për ta nuk ka kthim, ose mund të jetë kthim pa jetë.  Në këtë mendim ka qenë Ministri i Brendshëm Saimir Tahiri për shqiptarët që shkuan të luftonin në Siri dhe Irak dhe pasi u bënë pjesë e ISIS e kanë të pamundur që të largohen nga kjo organizatë terroriste.
“Sot që flasim jemi në shifrat zero të dërgimit të luftëtarëve të huaj drejt Sirisë. Ndërkohë ka shqiptarë që duan të kthehen por ngecen në luftën që nuk shkëputesh dot”-deklaroi ministri. Në këtë rast i është referuar edhe çështjes së Ervin Hasanajt, i cili mendohet të jetë vrarë nga ISIS, pasi kërkoi të dilte nga radhët e saj. Tashmë nuk dihet asgjë për jetën e bashkëshortes së Hasanajt dhe fëmijës së tij.
Në konferencën kundër ekstremizmit të dhunshëm ministri i Brendshëm Saimir Tahiri tha se Shqipëria ia ka dalë të frenojë eksportin e luftëtarëve të huaj nga Shqipëria drejt Sirisë dhe Irakut. “Shqipëria ka mundësi të frenojë këtë fenomen që mund të kthehet në rrezik për vendin tonë”-tha ministri, duke shtuar se tashmë prej muajsh nuk ka të dhëna për largimin e asnjë Shqiptari drejt Sirisë apo Irakut.
Në takimet që po mbahen për çështjet e ekstremizmit, ka qenë i pranishëm edhe ambasadori amerikan në vendin tonë Donald Lu. Ai u shpreh se çështja e ekstremizmit është një fenomen shqetësues që shfrytëzohet nga shumë faktorë dhe kërkoi edhe trajtimin e pakënaqësitë ekonomike që shfrytëzohen nga ekstremistët dhe të ndalohet korrupsioni endemik. “Puna e Shqipërisë për një strategji kombëtare dhe plan veprimi duhet të jetë frymëzimi për vendet e tjera në rajon”-tha Lu. Ndërsa Tahiri ka këmbëngulur se tashmë lufta ndaj ekstremizmit është në fokusin e institucioneve tona.
“Sot që flasim, jemi në shifrat zero njësi, të luftëtarëve të huaj nga Shqipëria. Por jo shqipfolës ama! Sepse ky është një fenomen që shkon përtej kufijve, pra është një fenomen që nuk njeh kufij nacionalë. Procedimet penale të pak muajve më parë, ndërkohë ndryshimi i ligjit nga parlamenti, ndryshimi i kodit penal nga parlamenti, duke e konsideruar një akt terrorist nisjen për të luftuar një luftë që nuk është lufta e vendit tonë, sigurisht kanë ushtruar trysninë e nevojshme për të parandaluar ose për të tkurrur praktikat e organizimit, rekrutimit dhe nisjes së luftëtarëve të huaj”tha Tahiri.
Gjatë takimit merrnin pjesë është përfaqësues të komunitetit Mysliman, roli I të cilëve është konsideruar si tepër pozitiv në mesazhet që ato kanë dhënë, duke u kërkuar shqiptarëve që të mos marrin pjesë në luftën në Siri apo Irak. Në takim foli edhe Aldo Bumçi, si nënkryetar i komisionit të jashtëm në Kuvendin e Shqipërisë. Sipas tij çështjet e ekstremizmit nuk duhej të zgjidheshin vetëm me arrestime, por edhe me ndërgjegjësimin e rolit të komuniteteve fetare dhe veçanërisht Komunitetit Mysliman.