Shumë çadra shkatërrohen si pasojë e borës në kampet e refugjatëve në veri të Sirisë

Disa rrugë janë bllokuar ndërsa shumë çadra janë shkatërruar si pasojë e reshjeve të borës në kampet e refugjatëve në rajonet Afrin dhe Azez në veri të Sirisë, raporton Anadolu Agency (AA).

Rajonet Azez, Bab, Afrin që janë pastruar nga terroristët me operacionet “Mburoja e Eufratit” dhe “Dega e Ullirit” janë mbuluar me të bardhë nën ndikimin e borës e cila ka filluar në orët e natës.

Edhe pse reshjet e borës ndaluan në orët e para të mëngjesit, rrugët në kampet e vendosura përreth Afrinit dhe Azezit u mbyllën nga trashësia e borës e cila kalon mbi 40 centimetra.

Për shkak të kushteve të motit, shumë çadra janë prishur në rajonin ku bora është efektive.

Sirianët me mundësitë e kufizuara që kanë, përpiqen të pastrojnë çadrat e tyre dhe nën kushte të vështira të dimrit kanë kërkuar mbështetje nga organizatat e ndihmës.

– “Çadrat ranë mbi ne kur fëmijët dhe gratë ishin në gjumë”

Mohammed Hisham, një nga banorët e kampit, në një deklaratë për AA tha se “Çadrat ranë mbi ne pas reshjeve të borës. Shiu natën u kthye përnjëherë në borë”.

Ai tha se shiu është shumë më i mirë për ata që jetojnë në çadra. “Çadrat u shembën me intensifikimin e borës. Çadrat ranë mbi ne kur fëmijët dhe gratë ishin në gjumë. Janë dëmtuar rreth 50 çadra”, tha Hisham.

Hisham deklaroi se mbledhin plastika dhe kartona për t’u ngrohur dhe kërkoi nga organizatat e ndihmës që t’i mbështesin ata në këto kushte të dimrit.

Ndërkohë edhe Vedi Yacur një nga banorët e kampit tha: “I kishim mbuluar çadrat me batanije për t’u mbrojtur nga kushtet e ftohta të motit, por me rënien e borës u shembën mbi ne”.

Ai vuri në dukje se me ndihmën e fëmijëve janë përpjekur t’i rregullojnë çadrat por nuk kanë mundur t’i rregullojnë si më parë. “U detyruam të shkojmë për të qëndruar tek fqinjët tanë. Donatorët na kishin bërë ndihmë me lëndë djegëse për dimër por nuk ishin të mjaftueshme. Mbledhim plastika përreth për të siguruar lëndën djegëse”, tha Yacur.