Shumë fëmijë këtyre ditëve kanë kërkuar ndihmë mjekësore si pasojë e gripit sezonal. Ekspertët shëndetësorë kanë thënë se fëmijët kryesisht vijnë me ankesat për ethe, temperaturë, skuqje fyti dhe kollë e thatë.
Javët e fundit shumë qytetarë, mes të cilëve edhe shumë fëmijë, janë infektuar nga virozat e stinës, që zakonisht pasohen nga simptoma si ftohje, kollë, dhimbje të fytit, dhimbje trupi dhe temperaturë. Kështu është shprehur për Radio Kosovën, Valbona Dermaku, specialiste e Pediatrisë në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Prishtinë.
Ajo thotë së gjatë këtyre ditëve kanë pasur fluks më të madh të prindërve, të cilët i kanë sjellë fëmijët e tyre për vizita si pasojë e gripit sezonal.
“Po është në rritje numri i pacientëve, sidomos qysh nga periudha tetor – nëntor kur fillon koha e virozëve, po ashtu edhe këtyre ditëve kemi pasur fluks të madh të vizitave pediatrike si pasojë e gripit sezonal. Te foshnjat gripi po zgjat pesë deri në shtatë ditë. Fëmijët në dy-tri ditët e para po kanë temperaturë, por që pas ditës së dytë dhe të tretë po fillojnë të stabilizohen dhe kryesisht i trajtojmë me terapi simptomatike”, tha ajo.