Hulumtuesit amerikanë thonë se disa baktere në stomak e gëlltisin çokollatën e zezë dhe e fermentojnë atë në komponime antiinflamatore të cilat janë të mira për zemrën.
Udhëheqësi i studimit, John Finley, nga Louisiana State University dhe kolegët e tij i testuan tre pluhura të kakaos duke e përdorur një model të traktit tretës, të përbërë nga një seri e tubave testuese të modifikuara për ta simuluar një tretje normale. Ata pastaj ia nënshtruan materialet jo të tretshme fermentimit anaerobik duke përdorur baktere nga fekalet e njeriut, shpjegoi Finley.
Pluhuri i kakaos, një përbërës në çokollatë, përmban disa komponime polifenole, ose antioksidante si katehinën dhe epikatehinën, dhe një sasi të vogël të fibrave dietike, tha Finley.
Të dy komponentet treten dhe absorbohen dobët, por kur ato arrijnë në zorrë të trashë, mikrobet e mira i marrin përsipër.
“Në studimin tonë kemi zbuluar se fibrat janë fermentuar dhe se polimeret e mëdha polifenolike janë metabolizuar në molekula më të vogla, të cilat janë absorbuar më lehtë. Këto polimere më të vogla shfaqin aktivitet anti-inflamator,” tha Finley në një deklaratë.
“Kur këto komponime absorbohen nga trupi, ato e reduktojnë inflamacionin e indeve kardiovaskulare, duke e zvogëluar rrezikun afatgjatë nga sulmi.”
Finley vuri re se kombinimi i fibrave në kakao me prebiotikë ka gjasa ta përmirësojë shëndetin e përgjithshëm të personit dhe të ndihmojë t’i shndërrojë polifenolet në stomak në komponimet anti-inflamatore. “Kur hani prebiotikë, aftësia përfituese mikrobiale e zorrëve rritet dhe e tejkalon çdo mikrob të padëshirueshëm në zorrë, si ato që shkaktojnë probleme në stomak”, shtoi Finley.
Prebiotikët janë karbohidratet që gjenden në ushqimet si hudhra e papërpunuar dhe gruri i zier integral të cilat njerëzit nuk mund t’i tretin por bakteret e mira preferojnë t’i konsumojnë. Ato vijnë edhe si suplemente ushqimore.
Finley tha se njerëzit mund të kenë edhe më shumë përfitime shëndetësore kur çokollata e zezë kombinohet me fruta të ngurta si shega dhe akai.
Gjetjet u prezantuan në Takimin e 247-të Kombëtar të Shoqatës Kimike Amerikane në Dallas. /T/