SI MOS TË DUHET ALLAHU?

Ibën Abasi, Allahu qoftë i kënaqur nga ai, përcjell se i Dërguari i Allahut, lavdërimi dhe paqja qofshin mbi të, ka thënë: “Dojeni Allahun për shkak të atyre begative me të cilat ju ushqen”.

O robër të Allahut, dashuria zhvillohet nga bamirësia dhe njohja e begative. Zemrat janë të krijuara që ta duan atë që sillet mirë me të dhe ta urrejnë atë sillet keq me të dhe a ka më bamirës se Allahu i Madhëruar. Bamirësia e Tij ndaj robit është e pranishme në çdo kohë dhe moment dhe robi ato bamirësi i shfrytëzon në të gjitha gjendjet e tij. Nuk ka asnjë mundësi që llojet dhe format e bamirësisë të numërohen dhe mjafton të ceket se një nga llojet e saj është begatia e frymëmarrjes. Njeriu brenda një dite dhe një nate i merr njëzet e katër mijë frymëmarrje e mos të flasim për begatitë tjera që janë më të larta dhe më të mëdha: “Edhe nëse përpiqeni t’i numëroni dhuntitë e Allahut, nuk do të mund t’i numëroni dot”. (Ibrahim: 34)

Robi i Allahut nuk ka ndjenja përplot nga begatitë e dhuruara që e rrethojnë dhe për këtë shpesh i bën padrejtësi vetvetes dhe i mohon begatitë e Allahut dhe prapë Allahu e ruan dhe e mbron nga çdo e keqe dhe nga çdo dëm: “Thuaj: “Kush do t’ju ruajë natën dhe ditën (nga dënimi) i të Gjithëmëshirshmit?”. (El-Enbija: 42)

I Dërguari i Allahut, lavdërimi dhe paqja qofshin mbi të, me një hadith thotë: “Askush nuk mund te jetë më i durueshëm sesa Allahu për të keqën që ka dëgjuar për vete; pretendojnë se Ai ka fëmijë ndërsa Ai i furnizon dhe iu jep shëndet (apo i mbron nga të këqijat)”.

Allahu nga bamirësia dhe dashuria ndaj robërve të Tij krijoi çdo gjë në qiej dhe tokë dhe në dynja dhe ahiret, pastaj i banoi në të dhe i fisnikëroi, u dërgoi të Dërguar, u zbriti libra, u ligjësoi ligje, ua lejoi që t’i drejtohen Atij në çdo kohë, u caktoi shpërblim për çdo të mirë që e shumëfishojnë atë prej dhjetë e deri në shtatëqind herë më tepër dhe më shumë, kurse për çdo vepër të ligë ua shkruan vetëm një të keqe, e nëse pendohen nga ato të liga ua fal dhe shndërron në të mira, dhe nëse gjynahet e robit e arrijnë qiellin e pastaj bën istigfar Allahu ia fal, dhe nëse e takon Allahun me mëkate të mëdha sa toka, pastaj e takon Allahun duke mos i bërë ortak në adhurim Ai do të dhuroj falje po aq të madhe.

Për robërit e Vet e ligjësoi Haxhin që ua fshin të gjitha mëkatet e mëhershme, i mbarësoi për kryerjen e tij dhe nëpërmjet tij ua fali gjynahet, dhe po ashtu ligjësoi adhurime dhe nënshtrime dhe për kryerjen e tyre caktoi shumë shpërblime. I dhuroi robit të Vet pasuri dhe i tha: O robi Im, afrohu kah Unë nëpërmjet saj që ta pranoj. Robi është i Veti, pasuria është e Tij, shpërblimi është nga Ai dhe Ai është dhuruesi fillimisht dhe përfundimisht.

Si mos të duhet Allahu kur ia dhuroi robit këto mirësi dhe si nuk i vjen robit turp që të harxhojë diçka nga dashuria e tij për dikë tjetër jashtë Allahut. Kush është më meritor që të falënderohet, të madhështohet dhe të duhet se sa Allahu? A ka më fisnik dhe bujar se sa Allahu?

Allahu gëzohet shumë me pendimin e robit kur i pendohet Atij dhe ia fal gjynahet dhe ia detyron Vetes dashurinë e tij, Ai është i Cili e frymëzoi të pendohet dhe e mbarësoi dhe i ndihmoi në të. I lartësuar është Allahu i Cili i mbushi qiejt e Tij me melekë të cilët i përdor në kërkimin e istigfarit për banorët e tokës dhe i përdori nga to bartësit e Arshit në lutje për robërit e Tij besimtarë dhe për kërkimin e istigfarit për gjynahet e tyre dhe mbrojtjen e tyre nga zjarri i Xhehenemit dhe ndërmjetësimin për ta tek Allahu që të futen në xhenetet e Tij.

Shikoni këtë përkujdesje, këtë bamirësi, këtë dashuri dhe butësi të plotë të Allahut ndaj robërve të Tij.

Megjithatë pasi që ua dërgoi të Dërguarit e Tij dhe ua zbriti librat e Tij dhe ua mësoi emrat dhe cilësitë e Tij, Ai zbret për çdo natë në qiellin e dynjasë dhe interesohet për ta, Vet i shqyrton nevojat e tyre dhe i thërret që t’i kërkojnë Atij, e thërret gjynahqarin që të pendohet, të sëmurin që të kërkojë shërim, të varfrin që të kërkojë nga pasuria e Tij dhe nevojtarin që të kërkojë nga Ai çdo natë që t’ia lehtësojë nevojat.

I thërret në pendim edhe pse i luftuan dhe torturuan dhe i djegën me zjarr evlijat e Tij. Allahu i Madhëruar thotë: “Pa dyshim, ata që i përndjekin besimtarët dhe besimtaret e nuk pendohen, i pret dënimi i Xhehenemit dhe dënimi me djegie”. (El-Buruxh: 10)

Kurse disa nga selefi thanë se shikoni fisnikërinë e Allahut se si i thërret në pendim edhe pse ata i torturuan evlijatë e Tij dhe i djegën me zjarr.

Nuk ka rob me zemër të shëndoshë e mos ta donë Allahun kur e di këtë dhe vetëm se ai që ka zemër të sëmurë dhe të ligë dhe të largët nga çdo e mirë nuk ka mundësi ta duan Allahun e tij. Allahu i krijoi zemrat që ta duan bamirësinë e përsosur në cilësitë dhe moralin e tij dhe askush nuk mundet dhe nuk ekziston asnjë mundësi t’i afrohet bamirësisë së Allahut të Madhëruar dhe nuk ka gjë më të përsosur dhe më të bukur sesa Ai. Çdo përsosmëri dhe bukuri në krijim është rezultat i gjurmëve të Tij dhe aludues mbi përsosmërinë e Krijuesit të tij. Si dhe çdo dituri në univers është rezultat i gjurmëve të diturisë së Tij dhe çdo fuqi është rezultat i gjurmëve të fuqisë së Tij.

Duhet që dashuria e robit ndaj Allahut të jetë më e madhe se çdo gjë tjetër dhe ajo dashuri të jetë aq e fortë saqë mos të ketë mundësi që t’i afrohet asnjë dashuri tjetër. Kush nuk e realizon dashurinë ndaj Tij me dituri dhe vepra nuk e ka realizuar dëshminë se nuk i takon adhurimi me të drejtë askujt përveç se Allahut. Allahu është Ai që adhurohet dhe duhet dhe të Cilin e adhurojnë zemrat me dashuri dhe i nënshtrohen dhe i përulen Atij, i frikohen dhe e shpresojnë Atë, i mbështeten në gjendje vështirësie Atij, i luten dhe qetësohen me përmendjen e Tij dhe rehatohen me dashurinë ndaj Tij dhe kjo nuk ka mundësi të bëhet vetëm se për Allahun dhe askënd tjetër. Për këtë fjala la ilahe il-lAllah është fjala më e sinqertë, ata që e shqiptojnë dhe veprojnë me të dhe i besojnë janë evlijatë e Allahut dhe partia e Tij, kurse mohuesit e saj janë armiqtë e Tij.

O robër të Allahut, dashuria e vërtetë shfaqet në katër gjendje:

Gjendja e parë: Kur robi bie në shtratin e tij dhe është i lirë nga preokupimet tjera, ai nuk fle vetëm se duke e përmendur atë që e do dhe zemrën e tij me të e preokupon.

Gjendja e dytë: Kur zgjohet nga gjumi. Gjëja e parë që robi e vepron kur zgjohet nga gjumi është përmendja e të dashurit të tij që i mungoi gjatë kohës së gjumit së tij.

Gjendja e tretë: Kur hyn në namaz. Namazi është peshorja e besimit me të cilin peshohet besimi dhe vërtetohet gjendja e tij dhe afërsia e tij me Allahun. Kur ngrihet për në namaz dhe qetësohet në të dhe i kënaqen sytë dhe zemra para qëndrimit të Tij dhe i zgjerohet dhe i qetësohet gjoksi dhe zemra e tij, kjo aludon në dashuri të vërtetë.

Gjendja e katërt: Gjatë vështirësive dhe sprovave. Zemra në këto gjendje nuk i përmend vetëm se ato gjëra që janë të dashura tek ai dhe nuk ik vetëm se kah ai që e do më së shumti.

I dashuruari qetësohet me të dashurin e tij në çdo musibet që e godet jashtë tij. Për këtë arsye kur doli ajo grua nga Ensarët në luftën e Uhudit të shikojë se ç’ndodhi me të Dërguarin e Allahut, lavdërimi dhe paqja qofshin mbi të, kaloi pranë prindit dhe vëllait të saj të vrarë në luftë dhe nuk u ndal tek ata dhe i kaloi duke thënë se çka bëri i Dërguari i Allahut dhe si është ai? I thanë se ai është mirë dhe i gjallë dhe kur shikoi kah ai tha: O i Dërguar i Allahut, çdo musibet jashtë tëndit është i vogël dhe nuk më intereson për të.

E njëjta vlen edhe për sprovat e vdekjes dhe asaj që vjen pas saj nga sprovat e Ditës së Kiametit. Të gjitha ato lehtësohen me dashuri kurse sprova dhe musibeti më i madh është sprova e zjarrit të Xhehenemit dhe atë nuk e largon vetëm se dashuria e Allahut të vetëm dhe pasimi i të Dërguarit të Tij, lavdërimi dhe paqja qofshin mbi të.

Dashuria pra është baza e çdo të mire në dynja dhe ahiret siç e cek edhe Sehnuni: “Na tejkaluan të dashuruarit në nderin e dynjasë dhe ahiretit. I Dërguari i Allahut, lavdërimi dhe paqja qofshin mbi të, përcillet se ka thënë: “Njeriu është me atë qe e do”, dhe ata janë me Allahun”.

Allahu i Madhëruar thotë: “E megjithatë, disa njerëz zgjedhin (për të adhuruar) në vend të Allahut (zota) të tjerë, (duke i konsideruar) si të barabartë me Atë dhe duke i dashur siç duhet Allahu. Por ata që besojnë, e duan shumë më tepër Allahun (se sa ç’i duan idhujtarët idhujt e tyre). Sikur keqbërësit të shihnin që tani çastin kur të përballen me ndëshkimin, do ta kuptonin se e tërë fuqia i përket Allahut dhe se dënimi i Tij është fort i ashpër”. (El-Bekare: 165)

O Zot, bëje dashurinë ndaj teje të jetë më e dashur sesa edhe dashuria ndaj shpirtrave tanë dhe se sa dashuria ndaj ujit të ftohët gjatë etjes së madhe.

Shejh Muhamed ibën Abdurrahman El Kasim

Nga arabishtja: Irfan JAHIU