Të gjitha proceset vitale të trupit të njeriut funksionojnë me ujë. Uji është në fakt lënda ushqyese më e rëndësishme për trupin pas oksigjenit. Megjithatë, ka disa çështje të diskutueshme në këtë mes..
Sa ujë që konsumojmë në ditë mund të ndikojë me të madhe në shëndetin tonë. Uji rregullon temperaturën trupore, bart materiet ushqyese dhe oksigjenin dhe ndihmon gjatë nxjerrjes së materieve toksike nga trupi. Por, a duhet ta detyrojmë veten të pimë ujë edhe atëherë kur nuk kemi etje? Mos vallë të gjithë njerëzit, duhet ta sforcojnë veten për të pirë shumë ujë gjatë ditës? Çfarë fshihet pas gjithë këtyre kërkesave të vazhdueshme për të pirë ujë dhe ç’duhet të konsumojmë për të shuar etjen?
Besoni se: Duhet të pini tetë gota ujë çdo ditë
Në fakt: E para dhe themelorja, që duhet të pini tetë gota ujë në ditë është mit. Sasia e mjaftueshme e ujit, të cilin duhet ta konsumoni gjatë ditës është ajo sasi e ujit të cilën e humbni përmes djersës, urinës, frymëmarrjes…Për të përcaktuar se sa ujë duhet të pini, peshohuni çdo mëngjes për 3 deri 4 ditë me radhë, përjashtoni ditët në periudhën e menstruacioneve. Nëse humbisni një kilogram nga pesha juaj në një ditë, kjo do të thotë që ju nuk keni pirë mjaftueshëm lëngje një ditë më parë. Pini 2 gota, ujë ose lëng gjë e parë në mëngjes, për çdo kile që ju keni humbur dhe rregulloni konsumin tuaj të përditshëm deri sa pesha juaj të jetë e qëndrueshme.
Besoni se: Duhet pini vetëm kur jeni të etur
Në fakt: Për ju që rrini “ulur” ky rregull vlen. Për të gjithë të tjerët që bëjnë një jetë më aktive, rregulli nuk është më i njëjti. “Aktiviteti fizik çorienton mekanizmin tuaj të etjes”, thotë instruktor Jovani – “Ju humbisni lëngje në mënyrë aq të shpejtë sa truri nuk mund të përgjigjet në kohë.” Prandaj një orë para se të bëni palestër, pini dy gota ujë që të hidratoheni përpara se të dehidratoheni. Ujit i duhet 60 minuta për të udhëtuar nga barku tek muskujt tuaj. Një studim i fundit nga Universiteti i Mastrihtit në Holandë ka zbuluar se gratë humbasin më shumë ujë gjatë ushtrimeve fizike sesa burrat.
Besoni se: Çaji dhe kafeja ju dehidratojnë
Në fakt: Të gjithë e keni provuar që nëse pini shumë çaj apo kafe, do të vizitoni shpesh banjot. Pijet me kafeinë janë në thelb ujë, nëse ju nuk i përzieni me sheqer, shurup apo qumësht. Pijet me kafeinë nuk e largojnë ujin nga trupi juaj kur ato konsumohen normalisht, që do të thotë maksimumi pesë gota kafe, çaj apo kola. Çdo lëng, i gazuar apo jo, që ju pini, ju ndihmon për të mbajtur qelizat tuaja të ngopura. Vetëm kujdes kaloritë, lagni qelizat, por pa zgjeruar belin.
Besoni se: Të pini ujë para se të hani, ju ndihmon të humbni në peshë
Në fakt: Pirja e ujit para apo gjatë të ngrënit nuk ju “ruan’ nga mbingrënia dhe nuk e largon ushqimin më shpejt nga trupi. Në mënyrë që të mos shtoni në peshë ju duhet të konsumoni ushqimet që përmbajnë shumë ujë, pasi ata ju ngopin dhe hidratojnë njëkohësisht. Prandaj zgjidhni supat, lëngjet e frutave dhe perimeve si shalqi, pjeshkë, kastravec dhe domate si një mënyrë e lehtë për t’u ngopur me ujë dhe të mos ndieni urinë.
Besoni se: Atletëve u duhen pije sportive; njerëzve të thjeshtë jo
Në fakt: “Gatorade” u shpik për të ndihmuar lojtarët e futbollit të qëndrojnë në formë të mirë fizike gjatë lojës, por ajo ka të njëjtin efekt tek ju gjatë aktivitetit sportiv. Kur ju djersitni shumë, ju humbni si kripë ashtu edhe ujë. Pijet sportive mund të plotësojnë humbjet e të dyjave. Soda në pijet sportive ndihmon që trupi të mbajë më shumë lëngje, kështu që ju mund të keni më në kontroll frymëmarrjen dhe të ndjeheni më mirë.
Besoni se: Nuk mund të dehidratoheni ndërsa notoni
Në fakt: Ka më shumë gjasa që ju të dehidratoheni kur kaloni një periudhë të gjatë kohe në pishinë ose det. Një nga arsyet është psikologjike: kur ju dilni nga pishina, gjëja e fundit që doni të shikoni është një gotë me ujë. Por nevoja fiziologjike mbizotëron. Etja kontrollohet nga vëllimin i gjakut në qendër të trupit. Pra, kur truri ndien mungesën e gjakut në qendrën tuaj, ju kërkoni të pini ujë. Nga ana tjetër uji në pishinë, krijon një presion hidrostatik që shtyn gjakun nga lëkura në qendër të trupit tuaj, duke “futur në kurth” sistemin. /Telegrafi/