Rtv Pendimi

Si ta luftojmë gripin me ushqim?

Muajt më të ftohtë të vitit sjellin virozat e stinës, gjendjen gripale që prek të gjitha moshat por kryesisht fëmijët, të sëmurët kronikë dhe të moshuarit. Mjekët thonë se gjatë muajve të ftohtë aleati më i fortë i njeriut për të mbajtur larg virozat është ushqimi, pasi kështu do të forcojmë imunitetin e organizmit.

Dietologu italian Pietro Migliaccio, në një studim të fundit të tij këshillon që edhe personat e prekur nga gripi stinor duhet të jenë të kujdesshëm ndaj ushqimit, pasi sipas tij zgjedhja e ushqimit të duhur ndikon në kalimin e shpejtë dhe pa pasoja të gripit. Doktor Migliaccio që është kryetar i Shoqatës italiane të shkencës së ushqimit ka hartuar një dietë për përballimin sa më të lehtë të 3 ditëve të para të gripit, kur i sëmuri këshillohet nga mjeku të qëndrojë në shtrat.

Këshilla e parë e ekspertit është kalimi i ditëve të regjimit shtëpiak sa më shumë në shtrat, duke ndjekur këshillat e mjekut të familjes dhe duke pirë sa më shumë ujë në temperaturën e ambjentit. Por përveç kësaj këshille tashmë të njohur si nga mjekët ashtu edhe nga njerëzit në përgjithësi, mjeku italian propozon që gjatë 3 ditëve të para të prekjes nga virozat e stinës, i sëmuri duhet të ushqehet sa më lehtë, me ushqime të tretshme, por njëherësh që përmbajnë shumë vitamina.

Zgjedhja e ushqimit duhet bërë e orientuar nga përmbajtja e vitaminës C (mbi të gjitha të zgjidhni agrumet dhe kivin), ndërsa përsa i përket ushqimeve të pasura me proteina ai këshillon mish të bardhë, kryesisht pule dhe peshk, pasi këto treten lehtësisht nga stomaku. Në dietën ushqimore të këshilluar nga mjeku dietolog italian nuk përjashtohen makaronat, pasi sipas tij ato janë të shëndetshme dhe ruajnë ekuilibrin e organizmit. Mjeku italian thotë se makaronat përveçse të pasura në karbohidrate në nivelin 79,1% përmbajnë dhe proteina vegjetale. Një tjetër anë pozitive e makaronave për përdorim gjatë ditëve kur jemi të prekur nga virozat, dietologu thekson se ato janë të pasura me vitamina të grupit B, përmbajnë pak sodë dhe nuk e rritin kolesterolin.

Makaronat sipas tij japin energji dhe konsiderohen si një nga ushqimet e duhura për shëndetin dhe parandalimin e disa patologjive. Për këtë arsye në ditët kur jemi prekur nga virozat e stinës dhe për pasojë nuk kemi oreks e ndjehemi të dobët, mjeku dietolog këshillon të hamë makarona në dreke ose darkë, por në formën e supës së trashë. Mjeku thotë se makaronat me lëng mishi janë të tretshme nga stomaku dhe ndihmojnë në forcimin e trupit të prekur nga viroza si dhe zbutjen e kollës.

Përdorimin e supave të trasha gjatë periudhës kur jemi të sëmurë me grip mjeku e këshillon pasi sipas tij karbohidratet që gjendet te makaronat e supës përbëjnë burimin kryesor të energjisë, për muskujt, trurin, rruazat e kuqe të gjakut . Madje ai i krahason me një karburant të domosdoshëm për trupin e njeriut. Supa e trashë me makarona mund të përgatitet me gjalpë ose vaj ulliri, si dhe në përbërje të saj mund të hedhim domate të freskëta të grira të cilat janë të pasura me vitamina (A, C, E) dhe antioksiduese mjaft të mira.

 

Dieta ushqimore për 3 ditët e para të gripit

 

Mëngjesi

Qumësht, kafe sipas dëshirës, çaj, të cilat mund të ëmbëlsohen me sheqer apo mjaltë si dhe dy feta bukë të thekur.

Rreth orës 11.00 pini një gotë me lëng portokalli të shtrydhur, por mund të hani një portokall apo 2 mandarina.

 

Dreka– peshk i freskët i shoqëruar me perime të pjekura të spërkatura me vaj ulliri dhe limon. Bukë e thekur dhe fruta sipas dëshirës. Frutat mund edhe ti piqni (dardhat, mollët, ftonjtë)

1 gotë qumësht i ngrohtë me sheqer ose mjaltë, ose një gotë me portokall të shtrydhur

 

Darka-Supë e trashë me makarona apo oriz; mish pule i pjekur dhe perime të pjekura të spërkatura me vaj ulliri dhe limon një fetë bukë e thekur dhe fruta.

 

Dietologët këshillojnë edhe një dietë tjetër në rastet kur i sëmuri me grip ka probleme me stomakun.

 

 

Dieta ushqimore

Mëngjesi– Çaj me sheqer ose mjaltë dhe dy feta bukë të thekur

Ora 11.00- Një mollë e grirë me lëng limoni.

Dreka: peshk i freskët i pjekur ose i zier, patate të ziera ose të pjekura me vaj ulliri dhe lëng limoni. Një racion frutash, mundësisht të pjekura.

Një gotë çaj me dy feta bukë të thekur

Darka: oriz i shoqëruar me 2-3 lugë djathë kaçkavall të grirë, mish pule i pjekur ose i zier i spërkatur me vaj ulliri dhe limon si dhe një racion fruta, mundësisht të pjekura.

 

Duke ndjekur këtë dietë ushqimore në 3 ditët e para kur jemi të prekur nga gripi, përveç mjekimit të dhënë nga mjeku i shtëpisë, do të ndihmojmë organizmin për të kaluar sa më lehtë gjendjen gripale dhe për të rifituar energjinë e nevojshme të një trupi të shëndetshëm.kohaislame

TË NGJAJSHME

IOS
ANDROID
DONACION
DËRGO MESAZH