SI TA NDJEJMË AROMËN E XHENETIT

Ardhja e Ramazanit shënon ndërrrim të atmosferës e cila dominon në përditshmëri. I Dërguari paralajmëron:

“U erdhi Ramazani. Allahu ua obligoi agjërimin e tij. Në të hapen dyert e xhenetit dhe mbyllen dyert e skëterrës…” (Ahmedi, sahih)
Hapja e dyerve të xhenetit, edhe pse për shqisat dhe fizikun tonë është e pahetueshme, megjithatë duhet konsideruar se është reale. Përpjekjet dhe përkushtimi ynë në adhurim duhet të na bëjë të aftë të ndjejmë dhe përjetojmë aromën e xhenetit duke qenë ende në këtë botë. Kjo, për besimtarin nuk është e paarritshme. Ai, kur të ketë vdekur dhe të jetë varrosur, sipas përshkrimit profetik, do të ndjejë aromën dhe freskinë e xhenetit nëpërmjet asaj dritares që përshkruhet se i hapet prej varrit të tij drejt në xhenet.
Nëse të vdekurit i mundësohet kjo pasiqë është varrosur, besimtarit derisa është i gjallë, kjo mundësi i ofrohet posa të vijë Ramazani. Kjo aromë, pasiqë dyert e xhenetit hapen, dhe atmosfera e xhenetit duhet të përjetohet. Sigurisht që duhet të pastrojmë zemrat, t’a fisnikërojmë shpirtin dhe të ngritemi aq sa të ndjejmë këtë aromë. Kjo arrihet me përkushtim dhe seriozitet. Besimtari duhet të jetë i edukuar në këtë frymë dhe i përgatitur për këtë. Shokët e të Dërguarit të Allahut ishin stërvitur, edukuar dhe aftësuar për të përjetuar dhe për ta ndjerë atë aromë. Enes b. en-Nadri kishte deklaruar se e ndjente aromën e xhenetit përtej Uhudit. Kjo e shtyhu që të nxitonte drejt takimit me vdekjen, me ç’rast u bë dëshmor.
Ngritja në këtë gradë do të jetë e mundur dhe e natyrshme atëherë kur shpirti ndihet rehat me angazhimin në adhurim, të ujitur me sinqeritet dhe kullim dhe të ngritur mbi bazat e aplikimit të praktikës profetike, edhe pse trupi përjeton lodhje, përballet me uri dhe etje. Shpirti që e shtyn trupin kah sakrifica, që e bën të rezistojë në adhurim, duke synuar të fitojë kënaqësinë e Allahut, është aq i ngritur dhe i pastërt saqë do të jetë në gjendje të ndjejë aromën e xhenetit.

Shkruar nga Hoxha Ekrem Avdiu, për Radio Pendimin.