Si ta presim Ramazanin

Ramazan, mirë se na vjen, mysafir i nderuar që shpejt do të na ikësh!

Në Ramazan shpërblimet dyfishohen, lidhen me pranga shejtanët, hapen dyert e xhenetit, mbyllen dyert e zjarrit. Thjesht, ai është muaj i mirësisë dhe bereqetit.

Është mirë për ne që të përgatitemi në pritjen e tij sa më mirë. Mysafiri përgatitet për rrugën e tij, nënpunësi përgatitet me detyra ushtruese të punës së tij. Edhe djajtë përgatiten për këtë muaj ose i bëjnë të dyshimtë njerëzit për këtë muaj (para se te aplikohet prangimi i tyre) me lloje të ndryshme zbavitëse, sikur janë filmat dhe lojërat e kota. Pra, ne jemi muslimanë dhe është detyrë e jona që të bëhemi gati me përgatitjen më të vlefshme. Dhe, nuk ka gëzim më të madh se ai i cili e shfrytëzon Ramazanin që nga dita dhe momenti i parë.

Si të përgatitemi për Ramazan?

Me lutje. T’i lutemi Allahun që ky muaj fisnik të na arrijë ne, ashtu siç vepruan gjeneratat e para. Ata vetëm e lusnin Allahun gjashtë muaj qe t’i arrijë Ramazani. Pastaj e lusnin përsëri Allahun gjashtë muaj, derisa pranohej lutja e tyre. T’i lutemi Allahut të na ndihmojë që ta presim mirë atë dhe t’i përmirësojmë veprimet tonë në të. Gjithashtu, t’i lutemi Allahut t’i pranojë veprat tona në këtë muaj të ndershëm.

Me hapjen e zemrave tona ndaj muslimanëve. Mos të ketë mes teje dhe ndonjë muslimani urrejtje, ashtu siç thotë i dërguari i Allahut, (Paqja dhe shpëtimi i Zotit qoftë mbi të!): “Allahu i vështron të gjitha krijesat e Tij në natën e gjysmës së muajit shaban dhe i fal të gjitha krijesat e Tij, me përjashtim të atij i cili i bën shok Atij dhe atij që urren.”

Me agjërim. Kështu ka vepruar i dërguari (alejhi selam). Kjo shihet nga hadithi i Usame bin Zejdit (Allahu qoftë i kënaqur me ata dy!). Ai thotë: “Thash: O i dërguar i Allahut, nuk të kam parë të kesh agjëruar në ndonjë muaj më shumë se sa agjëron në muajin shaban? Ai tha: “Ai është një muaj të cilin njerëzit e lenë pas dore, ngase është në mes muajit rexhep dhe Ramazanit. Ai është muaj në të cilin veprat ngjiten te Zoti i botërave dhe unë dëshiroj që veprat e mia të ngrihen e unë të jem agjërueshëm.” “Sahihu terhib ue tergib” 1012.

Duke u dhënë rëndësi detyrimeve. Siç është namazi i përbashkët në sabah dhe kohët e tjera, në mënyrë që mos të shkoj kot as vlera më e vogël e Ramazanit. Sa të kesh mundësi të largohesh nga gjynahet, të cilat janë pengesë për sevape (shpërblime).

Të falësh vazhdimisht namazin e natës dhe bësh rregullisht lutjet, si dhe të caktosh një pjesë të Kuranit për lexim çdo ditë, në mënyrë që mos të bëhemi përtac në mes të muajit, duke i shtuar kësaj kohe të caktuar për leximin e Kuranit, pas namazit dhe para tij ose mes akshamit dhe jacisë, ose përveç këtyre edhe vakte të tjera gjatë gjithë muajit shaban dhe Ramazan. Me ndihmën e Allahut ta bësh këtë edhe jashtë këtyre muajve.

T’i lexosh dhe mësosh rregullat e agjërimit, nëpërmjet librave, kasetave të dijetarëve, si dhe nga studentët që i njohin këto rregulla.

Përgatitje për thirrje në Islam gjatë Ramazanit me te gjitha mjetet, ngase shpirtrat janë të gatshëm të pranojnë thirrjen në këtë muaj, gjë që nuk ndodh jashtë këtij muaji. Në këto mjete bën pjesë: fjala e bukur në xhami ose në ndonjë vend të veçantë për një person a më tepër. Të japësh dhuratë ndonjë fletëpalosje ose kasetë të dobishme apo të krijosh hallkë përkujtuese, leximin e Kuranit në xhamia dhe shtëpi, tubimi i fetuave (vendimeve) rreth agjërimit dhe shpërndarjes së tyre, si dhe nxitje për veprat e mira etj.

Parapërgatitje morale me të gjitha sjelljet e mira dhe largimi nga të gjitha sjelljet e këqija. Ka mundësi të bëhet kjo nëpërmjet leximit të librave që flasin për moralin ose t’i pyesësh pasuesit e sjelljeve të mira që të të japin këshilla rreth asaj që është jo e mirë për moralin, nëse gjinden.

Parapërgatitje për shfrytëzimin e kohës në Ramazan, duke bërë orar për leximin e Kuranit, vizitat për hir të Allahut, si dhe vizitat e të afërmve etj.

Nxitje e xhematit të xhamisë për organizimin e iftareve të përbashkëta të përditshme ose të paktën njëherë në këtë muaj. Nxitje e xhematit për shkëmbimin e vizitave për hir të Allahut gjatë këtij muaji, si dhe takimin pas faljes së namazit të Bajramit në xhami ose në çfarëdo vendi të përshtatshëm për këtë.

E lusim Allahun të na e bëj të mundshëm arritjen e Ramazanit dhe të na ndihmojë në pritjen e tij dhe përmirësimin e veprave në të!

Ebu Ahmed
Përktheu: Zumer Konushevci