Mesazhi i Hutbës së Xhumasë
E mbajtur, më /06/11/2015
Vendi:Xhamia Dardania – Gjilan
Ligjërues: Hoxhë Shaban Murati
Tema:Si të kemi një mendje të shëndosh?
Prej shumë të mirave që Allahu i dhuroi njeriut, kësaj krijese të dobët është mendja. Me të njeriu njehë rrugët e jetës, dallon mes të vërtetës dhe të pa vërtetës, mes të dëmshmes dhe të dobishmes, mes të mirës dhe të keqes. Në bazë të mendjes së njeriut ngarkohet edhe dënimi dhe shpërblimi. Ai i cili ka sëmundje mendore nuk kërkohet llogaria prej tij. Në bazë të mendjes njeriu lavdërohet ose qortohet. Me mendjen njeriu bënë planin e të ardhmes së jetës së tij.
Për këtë Allahu i ka lavdëruar në Kuran të zotit e mendjes, ata të cilët kanë një logjikë të shëndosh dhe një mendje të ndritur. Allahu në shumë ajete Kuranore nxiti në angazhimin e mendjes, në meditim. Në disa nga ajetet edhe urdhëroi që njeriu të futë mendjen e tij në funksion, që të arrij deri te njohja e realitetit. Allahu thotë: “Me të vërtetë, në krijimin e qiejve dhe të Tokës dhe në ndërrimin e natës e të ditës, ka shenja për mendarët”, ( Ali Imran 190). “Ky (Kuran) është një libër i bekuar, që Ne ta kemi zbritur ty (Muhamed), për të përsiatur mbi vargjet e tij dhe për t’u këshilluar me të mendarët”. ( Sad 29). Po ashtu Allahu thotë: Thuaj: “Udhëtoni nëpër Tokë dhe shikoni se si Ai e ka zënë fill krijimin. Pastaj do të jetë Allahu Ai që do të bëjë krijimin e dytë (ringjalljen). Me të vërtetë, Allahu është i Fuqishëm për çdo gjë. ( Ankebut 20).
Me mendje njeriu ose do të ngritët në shkallët më të larta, ose do të bie në shkallët më të ulëta. Allahu thotë: “Ne kemi paracaktuar për Xhehenemin shumë xhinde dhe njerëz, sepse ata kanë zemra, por nuk kuptojnë, kanë sy, por nuk shohin dhe kanë veshë, por nuk dëgjojnë. Ata janë si bagëtitë, madje edhe më zi. Pikërisht këta janë të shkujdesurit”. ( A’raf 179). Për ata të cilët stopuan logjikën e tyre. Për ata të cilët e paaftësuan logjikën e tyre, e gjymtuan logjikën e tyre, Allahu thotë në Kuran: “Allahu i ka vulosur zemrat e tyre, ndërsa në veshët dhe sytë e tyre kanë mbulesë, ata i pret një dënim i madh”. ( Bekare 7).
Mendja e shëndosh, e cila i garanton njeriut shpëtim në këtë botë dhe në botën tjetër është ajo e cila ndriçohet me dritën e Allahut. Nuk përfiton nga mendja dhe logjika që Allahu i ka dhënë njeriut, përveç ai i cili e njeh vetën e tij dhe ndalet në kufijtë e tij, përveç ai i cili nuk merr kompetencat e tjetrit,që nuk është i thirrur për të. Çdo gjë që njeriu përfiton nga mendja e tij duhet ta dijë se ajo është dhunti e Allahut, dhe vetëm Ai duhet të falënderohet dhe të lavdërohet. Ka thënë Jahja b. Muadh : “ Ai i cili e njeh vetën e tij e njeh Zotin e tij”. Ndërsa, disa nga njerëzit e mençur kishin shkruar në derën e shtëpisë së tyre: “ nuk përfiton nga urtësitë tona përveç ai i cili e njeh vetën e tij dhe ndalet në kapacitetet e tij. Ai i cili posedon këtë cilësi le ty hyjë në shtëpinë tonë. Ndërsa ai i cili nuk i posedon këto cilësi le të kthehet prej nga erdhi”.
Me gjithë fuqinë që e ka mendja e njeriut. Ajo prapë i ka pengesat e saj. Fundi i saj është i kufizuar. Nëse ajo tejkalon kufirin atëherë devijon, humb qëndrimin e saj, sidomos nëse ky tejkalim është në gjërat e fshehta. Imam Shatibiu ka thënë: “ Allahu, nxënien e gjërave me mendje e ka bërë të kufizuar, që nuk guxon ti tejkaloj kufijtë, dhe nuk i ka mundësuar njeriut të arrij te çdo gjë që i nevojitet me mendjen e tij.
Prej etikës së mendjes së shëndosh është të ndalet, ti nënshtrohet teksteve Kuranore dhe fjalëve të vërteta të Pejgamberit. Mos ti kundërshtoj ato qëllimisht. Sepse, ai i cili cilësohet me mendje të shëndosh, e vërteta pa tjetër duhet të jetë udhëheqësi i asaj mendje. Nëse e vërteta e udhëheq mendjen tënde, atëherë Allahu do ta bëjë të lehtë pranimin e gjërave. Allahu thotë në Kuran: “Sa për atë që jep (për hir të Allahut), ka frikë (nga Ai) dhe dëshmon për vërtetësinë e më të bukurës (besimit), Ne do t’ia lehtësojmë atij rrugën drejt shpëtimit”. ( suret lejl 5-7).
Ka thënë Ibnul Kajjimi: “ është e njohur te të gjithë njerëzit e mençur se të Dërguarit e Zotit kanë qenë njerëzit më të mençur. Mendjet e tyre kanë qenë mendjet më të shëndosha. Për këtë, ajo që sollën të Dërguarit e Allahut tejkalon mendjen e njeriut. Të mirat që i sollën të dërguarit e Allahut nuk i solli askush. Ata rregulluan gjendjen shpirtërore dhe zemrat e njerëzve, i ndërtuan dhe i pastruan ato me dije dhe me vepër, gjë të cilën nuk pat mundësi ta bëjë askush prej njerëzve. Rregullimi i zemrave të njerëzve në këtë botë dhe në botën tjetër ishte në duart e tyre. Ndërsa çdo çrregullim që është bërë këtë botë, është bërë për shkak të largimit nga ajo që sollën të Dërguarit e Allahut dhe kundërshtimin që i bërën atyre. Nëse analizon të gjitha të këqijat që kanë ndodhur në botë, çdo çrregullim, çdo mëkat dhe çdo shkatërrim, shkaku është kundërshtimi i mësimeve të pejgambereve. Çdo e mirë në këtë botë dhe në botën tjetër, shkaku është respektimi i tyre. Kjo ka filluar qysh në kohën e Nuhit alejhi selam dhe vazhdon deri në kohën që ne jetojmë. Nuk është dënuar ndonjë popull, gjersa edhe myslimanët, disfatën që e patën në betejën e Uhudit ishte për shkak të kundërshtimit të urdhrit të Pejgamberit. Njeriu i mençur është ai i cili merr mësim prej vetës së tij, prej gjërave të cilat e rrethojnë”.
Prej etikës së mendjes së shëndosh është që njeriu të mendoj në të mirat që i bëjnë dobi atij në këtë botë dhe në botën tjetër. Të mendoj në rrugën për të arrit deri te gjërat e mira dhe të largoj pengesat që e pengojnë për të arrit te ato gjëra. Allahu thotë: “ Pas tyre, erdhi një brezni e cila e trashëgoi Librin (Teuratin), por duke marrë gjërat e pavlefshme të kësaj bote dhe duke thënë: “Do të na falet çdo gjë!” Edhe nëse u binin në dorë gjëra të ngjashme, prapë i merrnin ato. Vallë, a nuk e kishin pranuar besëlidhjen në Libër – që për Allahun të thoshin vetëm të vërtetën?!”. ( A’raf 169). Allahu tregoi për ata që merrnin gjërat e ulëta nga ryshfeti, dashuria për pozitë dhe pasimi i epshit, dhe për ta arsyetuar vetën e tyre e thonë të pavërtetën për Allahun.
Prej etikës së mendjes së shëndosh është edhe kërkimi dhe hulumtimi i të vërtetës. Pasimin e argumentit dhe kapja për të. Allahu thotë: “Ky është Allahu, Zoti juaj i vërtetë. E çfarë ka pas së vërtetës, përveç humbjes? Atëherë, përse largoheni?” ( Junus 32). Allahu në këtë ajet tregoi se nuk ka shkallë të tretë mes të vërtetës dhe të kotës. Urtësia është gjëja e humbur për besimtarin ku do që e gjen atë e merr.
Prej etikës së mendjes së shëndosh është që me qenë i aftë dhe i përgatitur për ta mposhtë çdo dyshim apo pasim të epshit. Ai i cili dëshiron pastrimin e mendjes dhe zemrës së tij le ti jep përparësi mësimeve Hyjnore para epshit të tij”. Atëherë kur njeriu e ushqen zemrën e tij me përkujtime dhe e ujit me mendime të mira sheh çudira dhe inspirohet me urtësi të shumta.
Prej etikës së mendjes së shëndosh është që njeriu të largohet nga gjërat të cilat e pengojnë për të arrit deri te e vërteta, si mendjemadhësia, xhelozia, pasimi i epshit, ti japësh përparësi mendjes para teksteve uranore, pasioni ndaj kësaj bote. Për të vendos njeriu gjërat e mira në mendjen e tij, pa tjetër ajo duhet të jetë e pastër dhe të mos ketë në të gjëra të këqija. Kur mendja e njeriut është e mbushur me dritën e Zotit, me fanarin profetik, me metodologjinë e drejtë, e pastër nga dyshimet dhe epshet, atëherë pronari i kësaj mendje të shëndosh do të jetë shtyllë e ndërtimit në shoqëri.
Atëherë kur njeriu ka parasysh këto etika, këto rregulla për mendjen e tij atëherë do të jetë një njeri me mendje të shëndosh.
Nuk është e mjaftueshme që njeriu të cilësohet me mendjemprehtësi , se i kupton gjërat thellë, se ka mendje të veçantë, nëse këtë mendjemprehtësi nuk e ushqen me besimin në Allahun, dhe respektimin e Tij, nëse nuk e ushqen me pasimin e atij që është më i mençur se ai, e që është i Dërguari i Allahut, nëse nuk ushqen mendjen e tij me dije të pastër dhe vepër të sinqertë. Allahu thotë në Kuran: “Vërtet, kushdo që e pastron shpirtin, do të shpëtojë, ndërsa kushdo që e shtyp atë (me punë të këqija), do të dështojë”. ( Esh-shems 9,10).
Andaj: Formoje një logjikë të shëndosh me një mendje të ndritur, me një zemër të pastër dhe me një shpirt të dëlirë. Mos lejo që Shejtani të gjej vendbanim në mendjen dhe dëshirat tua. Sepse nëse ai zotëron mendjen tënde do ta prish deri në atë mas sa që është vështirë pastaj kurimi i saj. Nëse ai futet në mendjen tënde do ta shkatërroj atë me vesvese dhe mendime të helmuara dhe të pengon në mendimin i cili të bënë dobi në këtë botë dhe në botën tjetër.