Rtv Pendimi

SI VEPRON ME TË TJERËT, ASHTU VEPROHET EDHE ME TY

Kjo është një këshillë e vërtetë, që na e jep një fëmijë në moshën parashkollore.

Një natë nga netët, nëna u ul me fëmijët e saj që shkonin në shkollë, që t’u ndihmojë në përsëritjen e mësimeve, kurse fëmijës së saj të vogël që i kishte pas arritur të katërtat, ia dha disa fletore të vizatojë dhe mos t’u pengojë në përsëritjen e mësimeve me fëmijët e tjerë.

Ndërkohë iu kujtua se kishte harruar t’ia dërgojë ushqimin babait të burrit të saj, i cili ishte plak dhe jetonte me një dhomë jashtë vilës, e ajo e shërbente sa kishte mundësi, kurse burri i saj ishte i kënaqur me atë shërbim që ia bënte prindit të tij, i cili nga pleqëria dhe nga shëndeti i dobët nuk dilte jashtë dhome.

Kur u kthye në dhomë të fëmijëve, e vërejti se fëmija i vogël vizatonte rrethe dhe katrore dhe në çdonjërën vendoste shenja. Nëna i tha:

– I dashuri im, çfarë po vizaton?

Iu përgjigj:

– Jam duke e vizatuar shtëpinë time ku do të jetoj kur të rritem dhe të martohem.

Nëna u gëzua nga këto fjalë dhe i tha:

– Ti ku do të flesh?

– Unë do të fle në këtë dhomë. Kjo është kuzhina. Kjo është dhoma e pritjes së mysafirëve, – kështu filloi t’i numërojë të gjitha dhomat e shtëpisë. Kurse për në fund e la një katror jashtë shtëpisë.

Nëna u çudit dhe i tha:

– Pse kjo dhomë është jashtë shtëpisë dhe nuk është pjesë e dhomave tjera?

– Kjo është për ty. Do të vendosë të jetosh në këtë dhomë, ashtu si sot jeton gjyshi im.

Nëna mbeti e shtangur nga fjalët e fëmijës së saj!

Filloi t’i sillet nëpër mend se a do të jetë e vetme dhe jashtë shtëpisë, se nuk do të ketë mundësi të flasë me fëmijët e saj dhe me nipat e saj. Kujt do t’i flas atë ditë dhe a do jetoj e vetme mes katër mureve, pa mos ia dëgjuar zërin asnjë anëtarit të familjes? thoshte në vete nëna.

Në atë moment shpejtoi në thirrjen e shërbëtorëve dhe dha urdhër që menjëherë t’i marrin mobilet e dhomës së mysafirëve, e t’i shpërngulin në dhomën e plakut, kurse krevatin e tij, dha urdhër që ta vendosin në atë dhomë që konsiderohej dhoma më e mirë e shtëpisë.

Në ato momente burri u kthye nga puna dhe nga ajo që e pa u habit dhe e pyeti gruan se çfarë ka ndodhur?

Ajo iu përgjigj me lot:

– Unë e zgjodha dhomën më të mirë ku do të jetojmë unë e ti, nëse Allahu na jep jetë. Kurse dhoma e mysafirëve do të jetë jashtë vilës.

Burri e kuptoi se çfarë synon gruaja e tij, e lavdëroi për këtë vepër dhe për atë që e bëri për prindin e tij, i cili i shikonte ata dy dhe buzëqeshte i kënaqur me veprën e tyre. Kurse fëmija i vogël pas kësaj ndodhie e fshiu vizatimin dhe buzëqeshi.

Allahu i Madhëruar thotë: “Çfarëdo mirësie që bëni për shpirtin tuaj, me siguri që do ta gjeni tek Allahu. Ajo do të jetë më e mirë dhe më e shpërblyer.”[1]

[1]              (El-Muzemil: 20)

Nga arabishtja: Irfan JAHIU

TË NGJAJSHME