Iman Shuhud, e cila varrosi burrin e saj në sulmin me avion të regjimit të Bashar Asadit në provincën veriore të Halepit në Siri, kujdeset për dy fëmijët e saj me aftësi të kufizuara në Tadef të rrethit Bab dhe pret lajmin për djalin e saj të madh të cilin e kishte humbur para 5 vitesh.
Iman Shuhud nga Halepi humbi burrin dhe shtëpinë e saj në sulmet intensive të regjimit të Asadit në vitin 2016.
55-vjeçarja Shuhud, e cila është nënë dhe baba i fëmijëve të saj, dy prej të cilëve janë me aftësi të kufizuara, u shkëput nga djali i saj i madh gjatë evakuimit të rrethimit të Halepit në dhjetor të vitit 2016.
Pas evakuimit, familja Shuhud migroi në provincën e Idlibit dhe më pas në rrethin Bab, i cili u pastrua nga terrorizmi me operacionin “Mburoja e Eufratit”.
Iman, e cila nuk mundi të gjente shtëpi për shkak të vështirësive financiare, u vendos në një shtëpi të dëmtuar pjesërisht nga lufta në Tadef, i cili ndodhet në vijën e frontit midis opozitës ushtarake dhe forcave të regjimit të Asadit.
Duke jetuar në një zonë ku energjia elektrike, uji dhe furnizimet bazë ushqimore janë të vështira për t’u arritur, familja jeton në rrezik për t’u qenë në shënjestër të forcave të regjimit në çdo moment.
Familja, e cila plotëson nevojat për ujë të pijshëm duke vendosur enët plastike që vendosin në çati në ditët me shi, pret ndihmë nga të tjerët.
Nëna, e cila kujdeset për dy fëmijët e saj me aftësi të kufizuara nga lindja, pret të marrë lajm nga djali i saj i zhdukur 5 vite më parë.
5 vite jeton me mall për djalin e saj
Në një prononcim për Anadolu Agency (AA) Iman Shuhud tha: “Djali im 20-vjeçar nuk erdhi në vendin tonë të takimit në momentin e evakuimeve. Nuk kam marrë lajm që nga ajo ditë. Disa thonë se ka rënë dëshmor, të tjerë thonë se është arrestuar. Nuk ka asnjë lajm. Lutja ime drejtuar Zotit është të na bashkojë përsëri”.
Ajo tha se aktualisht jetojnë në vendbanimin Tadef dhe shpjegon situatën në të cilën ndodhen. “Ne jetojmë në vijën e parë të frontit. Nuk kemi as dhomë e as ushqim për të ngrënë. Nuk na troket njeri në derë. Askush nuk pyet nëse kemi nevojë për ndonjë gjë. Ne presim ndihmën e Zotit. Unë kam 2 fëmijë me aftësi të kufizuara. Djali im 17-vjeç po përpiqet të kujdeset për ne”, thotë Shuhud.
Duke theksuar se kanë vështirësi financiare, Shuhud tha se për t’u ngrohur kanë vetëm batanije.
“Regjimi më mori të dashurit e mi”
Nëna Shuhud tha se ata kanë mungesë të ujit të pijshëm në qytet. “Ditët e dimrit janë shumë më të vështira këtu. Nuk ka ujë në shtëpinë tonë. Shkoj tek fqinjët për të marrë një kanaçe me ujë, por edhe tek ata nuk ka. Kur bie shi, pimë nga uji që mbush enët që vendosim në çati”, tregon ajo.
Shuhud thotë se duan të jetojnë në një shtëpi të ngrohtë me fëmijët e saj. “Regjimi më mori të dashurit e mi. Ata i lanë fëmijët e mi pa baba. Ata u privuan nga shkollimi dhe u dënuan me një jetë të vështirë. E gjithë kjo është për shkak të Bashar Asadit”, tha ajo.