Siri, një fëmijë në Idlib humb jetën në sulmet e avionëve rusë

Një fëmijë humbi jetën dhe dy civilë u plagosën në sulmet ajrore që kryen avionët luftarakë të Rusisë në rajonin e deeskalimit Idlib të Sirisë, raporton Anadolu Agency (AA).

Observatori i avionëve i opozitarëve në një deklaratë në median sociale theksoi se “Avioni luftarak i Rusisë që u ngrit në orën 10:02 nga baza ajrore Hımeymim në qytetin Latakia, kreu në orën 10:24 sulm ajror në fshatin Kansafra në jug të Idlibit”.

Edhe Firas Khalifa, përgjegjës për median i mbrojtjes civile, në një deklaratë për gazetarin e AA-së tha se një fëmijë humbi jetën dhe dy civilë u plagosën në sulmin ajror që avionët luftarakë të Rusisë kryen në fshatin Kansafra.

Në sulmin në fjalë në objektiv u vendosën një strehë për kafshët dhe një punishte për tulla, njoftoi Khalifa, i cili shtoi se shumë bagëti të vogla u vranë.

Në anën tjetër, edhe forcat e regjimit të Asadit zhvilluan sulme artilerike në fshatrat Fattire, Binin dhe Shinan në rajonin Jabal Al-Zawiya.

Situata në Idlib

Në kuadër të takimit të zhvilluar mes Turqisë, Rusisë dhe Iranit më 4-5 maj 2017 në Astana u shpallën “4 zona të deeskalimit”, përfshirë qytetin Idlib dhe disa zona të qyteteve fqinje rreth tij (Latakia, Hama dhe Halep), pjesën veriore të qytetit Homs, Gutën Lindore në kryeqytetin Damask dhe rajonet Dera dhe Kunejtra në jug të vendit.

Por, forcat e regjimit dhe terroristët me mbështetje iraniane nëpërmjet mbështetjes ajrore të Rusisë, morën nën kontroll 3 zonat e tjera të mbetura nga 4 rajonet dhe u drejtuan drejt Idlibit. Turqia dhe Rusia më 17 shtator 2018 në Soçi arritën marrëveshje shtesë për të forcuar armëpushimin.

Forcat e regjimit dhe Rusisë në maj 2019 filluan operacionet për të marrë nën kontroll të gjithë rajonin dhe morën nën kontroll shumë vendbanime të mëdha brenda rajonit të deeskalimit në Idlib.

Së fundmi, Turqia dhe Rusia siguruan një marrëveshje të re më 5 mars 2020 në kryeqytetin rus, Moskë.

Armëpushimi i shkelur herë pas here nga ana e forcave të regjimit, respektohet në masë të madhe. Në periudhën 2017-2020, rreth 2 milionë civilë u detyruan të migrojnë në afërsi të kufirit me Turqinë për shkak të sulmeve të Rusisë dhe forcave të regjimit.