Spitali në Slavonski Brod: Tetë nga 45 pasagjerët e autobusit të aksidentuar në gjendje të rëndë

Spitali në Slavonski Brod: Tetë nga 45 pasagjerët e autobusit të aksidentuar në gjendje të rëndë

Në spitalin në Slavonski Brod të Kroacisë janë pranuar 45 persona të cilët kërkuan ndihmë mjekësore pas një aksidenti të rëndë në autostradë ndërsa 8 prej tyre janë në gjendje të rëndë, tha drejtori i spitalit, Josip Samarxhiq, raporton Anadolu Agency (AA).

Në një aksident trafiku që ndodhi mëngjesin e sotëm në autostradën tek Slavonski Brod në Kroaci humbën jetën 10 persona në autobusin me targa të Kosovës.

Shefi i Mbrojtjes Civile, Damir Trut tha se në autobus kishte 67 pasagjerë, përfshirë fëmijë dhe dy shoferë dhe se fatkeqësisht 9 pasagjerë dhe një shofer humbën jetën.

Sipas tij, midis atyre që u pranuan në spital, katër janë operuar ndërsa 14 pasagjerë dhe një shofer janë në stacionin e policisë, duke pritur akomodimin në një objekt që do të sigurohet nga qarku.

“Sipas informacioneve që mora nga policia, një korsi do të hapet për 45 minuta dhe trafiku do të fillojë”, tha Trut.