Standardet e shumëfishta përgjatë vdekjeve

Shkruan: Iljasa SALIHU

Vdekja aq shumë është mbërthyer me interes, saqë po të varej (mos)vdekja prej njeriut, atëherë nuk ia vlen fare të vdiset. Mirëpo, falë Zotit që një gjë e tillë nuk varet prej njeriut, përndryshe ku do të përgjigjeshin këta që shfaqin interes material dhe djallëzor edhe me rastin e vdekjeve. Në kohën bashkëkohore, njeriu në vend se të mendoj më dëlirë e më me arsye, ai gjithnjë e më tepër po bëhet më i pështirë. Pikërisht në kohën kur intelekti i tij si asnjëherë më parë gjendet pranë mundësive për zhvillim. Rrjedhimisht, zhvillimi do të duhej të shpinte në mirëqenie dhe në ndezje të arsyes! Zhvillimi rrodhi, mirëpo në vend të intelektit u zhvillua intuita, madje njeriu bashkëkohor filloi të garojë me kafshët për sa i përket zhvillimit të intuitës. Për pasojë, në këtë kohë, njeriu vlen në sajë të prejardhjes së tij, pavarësisht nëse bëhet fjalë për kriminel apo për karagjoz. Fjala vjen, nëse mbytet një francez, do të ngrihen në këmbë i madh e i vogël për të shprehur gjoja keqardhje dhe për ta ndarë dhimbjen me familjarët e tyre. Kurse nëse në të njëjtën fatkeqësi ndodhet edhe një algjerian, as që do të bëjë fjalë dikush, apo përciptazi do të theksohet se së bashku me francezin ishte edhe një person. Pavarësisht kësaj, shohim një trëndafil në mes të kësaj skëterre. Zoti nuk i gjykon njerëzit në këtë mënyrë, përndryshe bota do të humbiste çdo lloj kuptimi dhe nënkuptimi.

Kjo sindromë i shtriu prej kohësh këmbët edhe në Maqedoni. Për vdekjen e ndonjë shqiptari shumë pak flitej e flitet, aq më tepër nëse vdekja ndërlidhej me sjelljet jonjerëzore të shtetarëve të këtij shteti. Në kohën kur vdiq, Tose Proeski edhe punimet në kuvend u ndërprenë. Kurse me rastin e vdekjeve të shqiptarëve, çdo gjë kaloi në heshtje. Të mos flasim për ndonjë rom! Ka shumë raste kur kësi lloj hipokrizish ka shfaqur mendësia e këtij shteti. Më e freskëta është vdekja e 14 emigrantëve në Maqedoni. Disa ikanakë prej vendlindjeve të tyre në Lindje të Mesme, dëshmuan se në këtë planet gjendet një shtet ku përmendoret vlejnë më shumë se çdo gjë. Në Maqedoni ditë më parë 14 emigrant u shkelën për mbytje prej trenit. Asnjë shtetarit nuk i lëvizi dot zemra, aq më pak mëshira, edhe pse është vështirë të konstatohet nëse kanë apo nuk kanë këta mëshirë. Madje edhe familjarëve të viktimave iu ndalua vizita në varret e të afërmeve të tyre. Ikanakët nuk u trajtuan si njerëz. Ndoshta me të drejtë, ngaqë trajtuesit njerëz munguan. Nëse nuk je njeri, vallë si mendon t’i trajtosh njerëzit si njerëz?

Të mos harrojmë se edhe në vitin 2002 po në këtë shtet gjoja për t’ia gëluar dëshirën të huajve, si të mos ishin njerëz u vranë gjashtë pakistanez në vendin e quajtur “Vreshtat e Reshtakut” prej atyre që kishin marr në dorë kujdestarinë e ruajtjes së njerëzve.

Kështu që, keqësia po i trashet kësaj mendësie shtetërore. Këta mendojnë se me mbërthimin ditës prej muzgut dhe me agimin e ditës, gjithçka do të harrohet. Assesi nuk do të harrohen këto ngjarje të cilët bëhet tragjike në kontekst të trajtimit nga ana e shtetit. Kronikat vendore dhe ndërkombëtare nuk do t’i harrojnë këto raste. Pikërisht kur të gjenden këta të shkujdesur më së ngushti, si kërpudha pas shiut do t’i dalin sheshit këto epitafe, të cilët për jetë e mot nuk do t’i lënë të qetë. Lëre që dorëheqja e ministrit gjegjës mungoi, mirëpo të paktën një telegram ngushëllimi frikshëm nuk u duk, edhe pse në anën tjetër mugulloi humanizmi i një prijësi fetar islam, që me forcat e veta dhe të disa miqve të tij me rastin e varrimit i trajtoi si njerëz këta njerëz. Zoti i pastë mëshiruar ata që u harruan prej drejtësisë së shtetarëve!