Rtv Pendimi
Dija & Daveti Namazi Pastërtia

STINA E DIMRIT DHE MES’HU MBI MESTE

  1. Dimri dhe vera, të ftohtët dhe të nxehtët, ndërrimi i natës dhe i ditës, çdo gjë që Allahu e ka krijuar në qiell, si: dielli dhe hëna, yjet dhe orbita, këto të gjitha janë shenja nga shenjat e Allahut të Madhëruar që aludojnë në njëshmërinë e Tij, në të besuarit në një Zot të vetëm dhe në veprimtarinë e Tij, përjetshmërinë e Tij dhe se Ai është Mbajtësi i gjithçkaje me fuqinë e madhe të Tij, me sundimin dhe drejtimin e përsosur të Tij, në të merituarit e adhurimit vetëm të Tij, të Cilit nuk i përshkruhet ortak dhe se nuk i takon adhurimi askujt tjetër me të drejtë përveç Atij, dhe të gjitha krijesat kanë nevojë për Të, i binden dhe i përulen Atij. Natyra në të gjithë këtë nuk ka ndikim dhe as fuqi. Çfarëdo që na godet, nuk ka mundur të mos na godiste dhe çfarëdo që nuk na ka goditur, as që ka mundur të na godasë.

Allahu është Ai që i ndryshon ditët dhe muajt, i kalon vitet, e sjell të nxehtët pas stinës së dimrit dhe të ftohtët pas stinës së verës. Allahun nuk ka kush që e ndalon dhe nuk ka kush që e pengon.

Allahu në disa ajete thotë: “Me të vërtetë, në krijimin e qiejve dhe të Tokës dhe në ndërrimin e natës e të ditës, ka shenja për mendarët…” (Ali Imran: 190)

“Në Tokë ka shenja për ata që besojnë me bindje, po edhe në vetet tuaja – a nuk e shihni vallë?” (Edh-Dharijat: 20-21)

“A nuk e shohin ata mbretërinë e qiejve e të Tokës dhe gjithçka që ka krijuar Allahu…” (El-Earaf: 185)

  1. Ibën El-Kajimi, Allahu e mëshiroftë, thotë: “Medito në urtësinë e madhe, të nxehtët e verës dhe të ftohtët e dimrit, dhe jetesën e kafshëve dhe bimëve në të dy stinët. Mendo rreth asaj se si ndërrohen stinët njëra me tjetrën, ngadalë dhe shkallë-shkallë, derisa të vijë fundi i njërës dhe të fillojë stina tjetër. Po të ndërroheshin ato papritmas do të dëmtoheshin dhe shkatërroheshin njerëzit dhe bimët, kjo sikur ndokush të dalë nga hamami tepër i nxehtë në një vend tepër të ftohtë, prandaj po të mos ishte përkujdesja, mëshira dhe bamirësia e Allahut, s’do të ndodhte ky sistematizim dhe rregullim i gjërave.”[1]

Dhe po ashtu thotë: “Medito në gjendjet e diellit, kur nxehtësia e tij të ulet dhe të ngritet e të ndodhin ndryshime në kohë dhe stinë. Në çdo ndryshim të stinëve ka dobi dhe urtësi, po të ishte vetëm një stinë, do të mungonin dobitë e stinëve të tjera, kështu që po të ishte vetëm stina e verës, do të mungonin dobitë e dimrit, po të ishte vetëm stina e dimrit, do të mungonin dobitë e verës, si dhe po të ishte vetëm stina e pranverës ose vetëm stina e vjeshtës, do të mungonin dobitë e stinëve të tjera.”[2]

  1. Myslimani i mençur dhe mendjemprehtë bashkëvepron me të gjitha sezonet që i jeton, pa përtesë dhe shqetësim. Atë nuk e ndal të ftohtët e dimrit dhe as të nxehtët e verës, që të vazhdojë përpara në dobi të fesë dhe dynjasë së tij. I paaftë është ai që punën e sotit e vonon për nesër, kurse më i paaftë se ky i fundit llogaritet ai që punën e dimrit e vonon për në verë dhe punën e verës e vonon për në dimër.

Nëse po të dëmton të nxehtët e verës dhe po të rëndon vjeshta dhe të ftohtët e dimrit, dhe vëmendjen po ta merr koha e bukur e pranverës, më trego atëherë, se kur do të marrësh dije?!

  1. Nga bazat e imanit është besimi në gajbin (të fshehtën). Ne i besojmë bindshëm çdo lajmi që ndërlidhet me të fshehtën, e të së kaluarës dhe të së ardhmes, gjendjeve të ahiretit dhe të ngjashmeve me to, që ne nuk i shohim dhe për to na lajmëroi Allahu në Kuran dhe i Dërguari i Allahut, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, në Sunet.

Në ato lajme bën pjesë edhe ajo që na lajmëroi Pejgamberi, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, në një hadith ku thotë: “Zjarri u ankua te Zoti i tij dhe tha: ‘Zoti im, jam duke e ngrënë veten!’ Atëherë Allahu i jep leje që të shfryhet dy herë: një herë dimrit dhe një herë verës. Kulmin e nxehtësisë që e ndieni në verë dhe kulmin e ftohtësisë që e ndieni në dimër janë nga shfryrja e Xhehenemit.”[3]

Myslimani i beson këtij realiteti që është cekur në hadith, kurse për mënyrën dhe formën se si ndodh kjo, i mbështetet Allahut (d.m.th. vetëm Allahu e di) dhe kërkon mbrojtje tek Allahu nga zjarri dhe nga të ftohtët e Xhehenemit.

Nuk ka kundërshtim në mes shkakut që në të aludon sheriati dhe shkakut material që perceptohet, në këtë rast largimi i Diellit nga Toka ose afrimi i tij, pra nuk ka pengesë që këto të dy shkaqe të bashkohen.

  1. Dimri është një nga sezonet e vlefshme që myslimani duhet të përfitojë nga të mirat dhe shpërblimet e tij, t’i mësojë dispozitat dhe rregullat që ndërlidhen me të, si dhe të meditojë rreth mësimeve që i përçon kjo stinë.
  2. Dimri është pranvera e besimtarit dhe thesar madhështor për ata që i janë përkushtuar ibadetit. Myslimani gjatë ditëve të dimrit agjëron, sepse dita është e shkurtër dhe natën falet, pasi të flejë një pjesë të saj, sepse nata është e gjatë.

Omeri, Allahu qoftë i kënaqur prej tij, thotë: “Dimri është thesar për ata që i janë përkushtuar ibadetit.”[4]

Përcillet për Ibën Mesudin, Allahu qoftë i kënaqur prej tij, se kishte thënë: “Mirë se vjen stina e dimrit, që në të zbret bereqeti, nata zgjatet për namaz nate dhe dita shkurtohet për agjërim.”[5]

Me një hadith përcillet: “Thesari i ftohtë është agjërimi në dimër.”[6]

Hadithi nënkupton: “Thesar që është fituar pa luftë, pa lodhje dhe pa mund, pronari i saj e fiton këtë thesar rastësisht, pa vështirësi.

Besimtari e ka mundësinë që në dimër të agjërojë pa vështirësi dhe pa lodhje, uria dhe etja atë nuk e mundojnë, sepse dita në dimër është e shkurtër dhe e ftohtë, kështu që nuk e ndien vështirësinë e agjërimit.

Ndërsa nata në dimër është e gjatë, ka hapësirë të madhe për ibadet nate. Besimtari mund të pushojë një pjesë të natës, pastaj të ngritet për namaz nate dhe namazin e tij ta zgjatë dhe të lexojë Kuran sa më gjatë. Pra, gjatë natës mund të bëjë gjumë të bollshëm, por edhe të bëjë ibadet dhe të lexojë Kuran sa më gjatë, kështu tek ai plotësohet dobia e fesë dhe pushimi i trupit të tij.”[7]

  1. Dimri është mundësi e mirë për t’i kompensuar ditët e paagjëruara, me arsye, të Ramazanit, për shkak të sëmundjes, udhëtimit, menstruacioneve, lehonisë, e të ngjashmeve me këto, ose për atë që ka të agjërojë 60 ditë, si shpagim për prishjen e agjërimit gjatë Ramazanit me marrëdhënie ose ta shpaguajë ‘dhiharin’, dhe të ngjashme me to.
  2. Kalimi i netëve të dimrit në pagjumësi dhe në gjëra të kota që nuk bëjnë dobi, në dynja dhe në ahiret, por ndoshta edhe dëmtojnë, është anashkalim i mirësive që i ka kjo stinë.

Kur i erdhi momenti i vdekjes Amir ibën Abdullahut, Allahu e mëshiroftë, filloi të qajë dhe të pranishmit e pyetën: “Pse po qan?”

U përgjigj: “Nuk po qaj nga mërzia e vdekjes, as nga përkujdesja për dynjanë, mirëpo po qaj për agjërimin në verë dhe për namazin e natës në dimër.”[8]

Qau Jezid Er-Rekashij, Allahu e mëshiroftë, në momentet e fundit të jetës së tij dhe tha: “Pasha Allahun po qaj, sepse po ndahem nga namazi i natës dhe agjërimi i ditës.”

Pastaj tha: “O Jezid, kush do të falet dhe do të agjërojë për ty? Kush do t’i afrohet pas vdekjes sate Allahut me vepra të mira për ty dhe kush do të kërkojë falje tek Allahu për gjynahet e mëhershme, për ty?”[9]

  1. Të nxehtët dhe të ftohtët janë përcaktim i Allahut, prandaj nuk i lejohet myslimanit t’i braktisë detyrimet dhe ibadetet me pretekst se është nxehtë ose ftohtë, sikurse ta anashkalojë faljen e namazit me xhemat me pretekst se është ftohtë, në veçanti namazin e sabahut, dhe gruaja të mos e veshë hixhabin e saj, me pretekst se është nxehtë.

Kur Pejgamberi, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, doli me shokët e tij për në betejën e Tebukut, ishte vapë e madhe dhe kjo ishte arsyeja që disa hipokritë të mos dilnin me të tjerët dhe njëri-tjetrit i thanë: “Mos shkoni në luftë, nëpër vapë!” (Et-Teube: 81); por Allahu e refuzoi arsyetimin e tyre dhe ju tha: “Thuaju: “Zjarri i Xhehenemit është edhe më i nxehtë!” Veç sikur të kuptonin!” (Et-Teube: 81)

D.m.th. “Zjarri i Xhehenemit” që jeni nisur drejt tij për shkak se e kundërshtuat urdhrin e Pejgamberit, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, “është edhe më i nxehtë”, sesa vapa që nuk po e duroni dhe për shkak të saj nuk po dilni në luftë.”[10]

Prandaj, ai që në vete ndien dembeli dhe përtaci për ibadet gjatë kohëve të ftohta, duhet që t’ia rikujtojë vetes të ftohtët e Xhehenemit, Allahu na ruajttë prej tij.

  1. Dhuntitë që Allahu na i dhuroi janë të mëdha dhe madhështore. Në mesin e tyre bën pjesë edhe lehtësimi i mënyrave të parambrojtjes nga i ftohti, si: veshja e rrobave, batanijeve etj. Allahu për këto dhunti që ua dha robërve të Tij thotë: “Kafshët Ai i ka krijuar për ju. Nëpërmjet tyre ju siguroni rroba të ngrohta dhe dobi të tjera. Prej tyre ju ushqeheni.” (En-Nahl: 5)

Dhe thotë: “Allahu ju ka dhënë shtëpi për të banuar dhe lëkurë kafshësh, që t’i përdorni si tenda, në mënyrë që t’i bartni lehtë, kur të udhëtoni dhe të zini vend. Ai ju ka dhënë edhe leshin, gëzofin e fijet që t’i përdorni për veshje dhe për shtrojë, deri në një kohë.” (En-Nahl: 80)

Dhe thotë: “Nga ajo që ka krijuar, Ai ka bërë për ju hije; ka bërë për ju streha nëpër male; ka bërë për ju rroba që t’ju mbrojnë nga nxehtësia; ka bërë për ju veshje prej metali për t’ju mbrojtur në luftë. Kështu, Ai i përsos begatitë e Veta mbi ju, me qëllim që ju t’i bindeni vullnetit të Tij.” (En-Nahl: 81)

Fjala e Allahut: “ka bërë për ju rroba që t’ju mbrojnë nga nxehtësia;” nënkupton se ato janë bërë për mbrojtje nga të nxehtët dhe nga të ftohtët. Në ajet është përmendur vetëm i nxehti, shkaku se vetë fjalia aludon edhe për të ftohtët, sepse rrobat që mbrojnë nga të nxehtët mbrojnë edhe nga të ftohtët. Rrobat zakonisht janë prej liri (tekstile prej liri), pambuku dhe leshi.”[11]

Kur vinte dimri Omer ibën El-Hatabi, Allahu qoftë i kënaqur prej tij, nga përkujdesja i shkruante parisë së tij dhe e porosiste: “Ju erdhi dimri dhe ai është armik. Prandaj përgatituni për ardhjen e tij sa më mirë me rroba leshi, me meste dhe çorapë. Mbrojeni trupin nga të ftohtët me rroba leshi. Të ftohtët është armik që shumë shpejt vjen dhe shumë vonë del.”[12]

Këto begati e bëjnë të detyrueshëm falënderimin e Allahut dhe ato duhet të përdoren në adhurimin e Allahut dhe në ato vepra që e kënaqin Allahun, e jo të përdoren në diçka që është mëkat.

Ruajtja e begative dhe vazhdimësia e tyre varet nga falënderimi. Kush falënderon, Allahu atij i jep dhe ia shton dhuntitë, ashtu siç Allahu thotë: (Kujtoje) kur Zoti juaj kumtoi: “Nëse tregoheni mirënjohës, Unë do t’jua shtoj edhe më shumë begatitë e Mia; por, nëse ju mohoni mirësitë e Mia, (atëherë dijeni se) dënimi Im është i rëndë.” (Ibrahim: 7)

  1. Ai që përkujdeset ta ruajë veten, familjen dhe fëmijët nga të ftohtët, duke iu blerë rroba të trasha, batanije dhe të ngjashme me to, në rend të parë, le të përkujdeset që t’i ruajë ata nga zjarri i Xhehenemit, duke i udhëzuar për në mirësi dhe duke i përkrahur për në të, duke i larguar nga sherri, krimi dhe e shëmtuara, dhe duke e ndalur çdo rrugë që i çon deri te gjynahu ndaj Allahut. Allahu thotë: “O ju që besoni, ruani veten dhe familjet tuaja nga zjarri, lënda djegëse e të cilit janë njerëzit dhe gurët. Atë e mbikëqyrin engjëj të fuqishëm e të ashpër, të cilët kurrë nuk i kundërshtojnë urdhrat e Allahut, por i zbatojnë menjëherë ato.” (Et-Tehrim: 6)

I Dërguari i Allahut, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, ka thënë: “Secili prej jush është bari dhe secili prej jush është përgjegjës për kopenë e vet.”[13]

  1. Myslimani është vëlla i myslimanit: “Besimtarët dhe besimtaret janë miq për njëri-tjetrin.” (Et-Teube: 71); d.m.th. janë miq në dashuri, miqësi, ndihmesë, ngushëllim dhe përkrahje. Sipas nivelit të imanit në zemër vjen edhe përkrahja dhe ngushëllimi.

Prandaj t’ua lehtësojmë vështirësitë e dimrit vëllezërve myslimanë të varfër, jetimëve, të vejave, të ngratëve, nevojtarëve, sidomos atyre që janë në gjendje rrethimi dhe emigruesve. Ka nga ta që i ka rrethuar i ftohti e bora dhe nuk kanë veshmbathje për mbulojë, si dhe ka nga ta që i ka goditur vërshimi dhe nuk kanë vendstrehim.

  1. Nata dhe dita patjetër e kanë të ndërrohen, dimri patjetër e ka të vijë pas verës, sado që vera të zgjasë, agimi patjetër e ka të agojë sado që nata të zgjasë, i ftohti patjetër e ka të vijë, sado që i nxehti të jetë i madh, dhe këto ndërrime të mësojnë që e pamundur është të vazhdojë vetëm se një gjendje.

Ky është rikujtim, mësim, këshillë dhe frikësim për të padrejtin, se nëse nuk pendohet, shigjeta do t’i kthehet atij dhe Allahu do ta ndëshkojë atë, ashtu siç dënon i Plotfuqishmi dhe i Plotpushtetshmi. Allahu nuk e thyen premtimin e Vet: “Sigurisht, të padrejtët do ta shohin se në çfarë mundimi do të kthehen (pas vdekjes).” (Esh-Shuara: 227)

Si dhe është qetësim për atë që i është bërë padrejtësi se lehtësimi është afër, se pas vështirësisë vjen lehtësimi dhe se litari sa më shumë që shtrëngohet aq më afër është të këputet. Profeti, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, në një hadith thotë: “Dije se durimi në vështirësi jep shumë mirësi, fitorja arrihet me durim, shpëtimi me vështirësi dhe pas vështirësisë vjen lehtësimi.”[14]

  1. Nga bereqeti i dimrit është rënia e shiut dhe përhapja e mëshirës nga Allahu. Shiu është mëshirë, bereqet dhe pastrim, vetë është i pastër dhe i pastron të tjerët, e largon papastërtinë dhe ligësinë.

Allahu thotë: “Është Ai që e zbret shiun, kur ata kanë humbur çdo shpresë dhe përhap mëshirën e Vet; Ai është Mbrojtësi i vërtetë dhe i Denji për falënderim.” (Esh-Shura: 28)

Dhe thotë: “Është Ai që i dërgon erërat si lajmëtarë të gëzueshëm para mëshirës së Tij, duke lëshuar prej qiellit ujë të pastër.” (El-Furkan: 49)

Dhe thotë: “Ne lëshojmë nga qielli ujë të bekuar dhe nëpërmjet tij krijojmë kopshte, drithëra që korren.” (Kaf: 9)

  1. Shiun Allahu e krijon dhe e përcakton, kurse të besosh dhe t’ia atribuosh rënien e shiut veprimit të yjeve dhe ndikimit të planetëve është shirk (idhujtari).

Në një hadith kudsij (të shenjtë) përcillet se Allahu thotë: “Ka nga robërit e Mi që u gdhinë besimtarë dhe disa të tjerë mohues në Mua. Ai që tha se shiu ra me meritën e Allahut dhe me mëshirën e Tij, ai besoi në Mua dhe i mohoi yjet, kurse ai që tha se shiu ra për shkak këtij ylli dhe atij ylli, ai më mohoi Mua dhe iu besoi yjeve.”[15]

  1. Ai që e zbret shiun është Allahu, i Lartësuari dhe i Vetmi, dhe askush nuk e di kohën se kur do të zbresë shi, natën apo ditën apo në cilën orë, përveç Allahut. Kjo është nga dija e të së fshehtës që nuk e di askush përveç Allahut.

Allahu thotë: “Pa dyshim, vetëm Allahu e di Orën e caktuar. Ai e zbret shiun dhe e di ç’ka në barkun e shtatzënës. Asnjë njeri nuk di ç’do të fitojë nesër dhe askush nuk di se në ç’vend do të vdesë. Me të vërtetë, Allahu është i Gjithëdijshëm dhe Njohës i çdo gjëje.” (Lukman: 34)

Profeti, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, thotë: “Çelësat e së fshehtës janë pesë, ato nuk i di askush përveç Allahut”, dhe nga to e përmendi “nuk e di askush se kur zbret shiu përveç Allahut.”[16] Me një transmetim tjetër: “Nuk e di askush se kur vjen shiu.”[17]

  1. Njohja e motit, kohës dhe hulumtimi rreth tyre, njohja e kohëve të eklipsit të Diellit dhe të Hënës, njohja e kohëve të rënies së shiut dhe pritshmëria e tyre që të ndodhin, nuk bën pjesë në shtënien e fallit sipas yjeve apo pretendimit të njohjes të së ardhmes, sepse ato informata bazohen në gjëra që perceptohen, mbi prova dhe në studime universale në ligjet e Allahut. Pastaj ato janë gjëra që supozohet të ndodhin dhe jo që ka dije të vërtetë dhe saktësi, kështu që nganjëherë mund të qëllohet e nganjëherë të gabohet. Në përgjithësi janë përcaktime për një kohë më të afërt dhe nuk kanë dije se kur mund të ndodhë rënia e shiut pas disa viteve ose disa muajve.[18]
  2. Prej suneteve kur bie shi është të thuhet: “Allahume sajiben nafian – (O Allahu im, bëje këtë shi të begatshëm dhe të dobishëm.)”[19]

Kur bie shi pëlqehet shpeshtimi i lutjes, sepse kjo është koha e zbritjes së mëshirës. Në një hadith Profeti, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin me të, thotë: “Dy lutje nuk kthehen mbrapsht: lutja gjatë thirrjes së ezanit dhe lutja kur bie shi.”[20]

  1. Nëse shiu bie në sasi të mëdha derisa njerëzit të dëmtohen apo të kenë frikë se do të dëmtohen, në këtë rast pëlqehet të bëhet lutje që shiu të pakësohet dhe dëmi i tij të largohet dhe shiu të bjerë në vende ku bën dobi e jo dëm. Lutja bëhet ashtu si e bëri Profeti, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, i cili tha: “O Allahu im, le të bjerë shiu përreth nesh dhe jo mbi ne, o Allahu im, le të bjerë mbi kodra e male, mbi pyje e rrafshnalta dhe mbi lugina e vende ku rriten pemët.”[21]
  2. Nga sunetet e braktisura kur bie shiu është, që në momentin kur bien pikat e para të shiut nga qielli të zbulohet diçka nga trupi që të laget, si: kërci i këmbës, koka apo krahët, në shenjë mirësie dhe bereqeti. Shiu është mëshirë, bereqet dhe pastrim.

Enes ibën Malik, Allahu qoftë i kënaqur prej tij, tha: “Ishim me të Dërguarin e Allahut, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, kur një ditë na zuri shiu dhe i Dërguari i Allahut, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, e hoqi rrobën e tij që t’i laget ajo pjesë e trupit. Ne i thamë: ‘O i Dërguar i Allahut, pse veprove kështu?’ U përgjigj: ‘Sepse shiu tani sapo ka zbritur nga Zoti im.’[22][23]

Kur Pejgamberi, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, e luti Allahun në hutben e xhumasë që të bjerë shi, Allahu ia pranoi lutjen dhe filloi të bjerë shi. Enes ibën Malik, Allahu qoftë i kënaqur prej tij, tha: “Ende pa zbritur nga minberi filloi të bjerë shi derisa i rridhte nëpër mjekrën e tij.”[24]  Bazuar në këtë hadith imam Buhariu, Allahu e mëshiroftë, njërën nga kaptinat e librit të tij e emëroi: “Kaptina: Kush laget në shi, saqë shiu t’i rrjedhë nëpër mjekrën e tij.”

Pejgamberi, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, donte që shiu të binte mbi të, saqë e zbuloi një pjesë të trupit të tij që të laget. Ai e zgjati hutben derisa shiu filloi të binte me të madhe dhe t’i rridhte nëpër mjekër.[25]

Ibën Bazi, Allahu e mëshiroftë, tha: “Kur bie shi, e ligjshme është që myslimani ta zbulojë kokën e tij nëse mban kapelë, ose një pjesë të rrobës së tij nga krahu (pjesa e krahut nga bërryli deri te supi), ose nga parakrahu derisa të laget me shi, apo kërcin e këmbës dhe të ngjashme me to, që lejohen të zbulohen para njerëzve, si: këmba, kërci i këmbës, koka, dora dhe të ngjashme me to.”[26]

Kështu vepronin shumë nga të parët tanë të mirë, ndër ta: Uthman ibën Afani, Alij ibën Ebi Talib dhe Ibën Abasi, Allahu qoftë i kënaqur prej tyre.[27]

  1. Zbritja e shiut na rikujton se uji i pijshëm është nga begatitë më të mëdha që Allahu na begatoi me to. Prej ujit varet jeta e njeriut, e kafshëve dhe e bimëve. Ky realitet e bën të domosdoshëm falënderimin e Allahut pa u ndalur dhe në vazhdimësi, sepse shiu që bie është i pijshëm dhe i pastër e jo i papijshëm dhe i njelmët.

Allahu thotë: “Ne i dërgojmë erërat për pllenim dhe zbresim nga qielli ujë, prej të cilit ju japim të pini e të cilin nuk mund ta depozitoni dot.” (El-Hixhr: 22)

Dhe thotë: “Është Ai që zbret nga qielli shi, i cili ju siguron ujë për të pirë dhe bën që të rriten bimët, që shërbejnë si ushqim për kafshët. Nëpërmjet tij (ujit) rriten të lashtat, ullinjtë, palmat, rrushi dhe fruta të llojllojshme. Këtu ka vërtet tregues (të fuqisë hyjnore) për njerëzit, që kuptojnë.” (En-Nahl: 10-11)

Dhe thotë: “A e shihni ujin që pini? Vallë, ju e zbrisni atë prej reve apo Ne e zbresim? Nëse duam, Ne e bëjmë atë të njelmët, andaj përse nuk jeni mirënjohës?!” (El-Uakia: 68-70)

Profeti, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, tha: “Gjëja e parë që robi do të pyetet për sa i përket begative është pyetja: A nuk të dhamë shëndet në trup dhe a nuk të dhamë të pish ujë të ftohtë?!”[28]

  1. Në dimër shpeshtohen erërat. Era është e krijuar nga Allahu dhe ajo është e urdhëruar t’i respektojë dhe t’i nënshtrohet asaj për të cilën është krijuar. Ajo mund të vijë si mëshirë (erë e lehtë, fllad, freski dhe zbritje e shiut) ose si ndëshkim (shkatërrim të bimëve, ndërtimeve dhe shkatërrimin e të padrejtëve). Ajo është ushtar i Allahut që i nënshtrohet urdhrave të Tij, prandaj nuk lejohet sharja ose mallkimi i saj, por e kërkojmë nga Allahu mirësinë e saj dhe kërkojmë mbrojtje nga e keqja e saj.

Pejgamberi, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, kur frynte era lutej duke thënë: “O Zoti im, e kërkoj mirësinë e saj dhe mirësinë që gjendet në të dhe mirësinë e asaj për të cilën është dërguar. Dhe kërkoj mbrojtje nga e keqja e saj dhe nga e keqja që gjendet në të dhe nga e keqja për të cilën është dërguar.”[29]

Pejgamberi, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, thotë: “Era është nga mëshira e Allahut (që me mëshirën e Tij i freskon me erë robërit e Vet, ose ajo vjen me urdhrin e Allahut). Ajo vjen si mëshirë dhe vjen si ndëshkim. Nëse e shihni që po vjen mos e shani, kërkoni nga Allahu mirësinë e saj dhe kërkoni mbrojte tek Allahu nga e keqja e saj.”[30]

  1. Dimri ka vështirësi, prandaj sheriati i lejon disa lehtësime që ndërlidhen me dispozitat, si: mosshkuarja në xhuma, mosfalja e namazit me xhemat dhe bashkimi i dy namazeve, shkaku i shiut që i lagen rrobat (saqë nëse i shtrydh ato, pikon ujë prej tyre) dhe vështirësisë që ballafaqohet namazfalësi nëse del jashtë, pastaj baltës, akullit, borës, të ftohtët e madh dhe erës së fortë acare.

Në këto raste namazfalësi e bashkon namazin e drekës me të ikindisë dhe namazin e akshamit me të jacisë. Shkaku dhe motivi i bashkimit të namazeve është vështirësia: kur ka vështirësi, ditën ose natën, lejohet bashkimi i namazeve.[31]

Por kjo nuk do të thotë, që nëse i ftohti është i lehtë, namazfalësi ta anashkalojë namazin me xhemat dhe të arsyetohet me motin e ftohtë, në veçanti ata që xhaminë e kanë afër, kanë makina, rrugët janë të shtrira dhe të ndriçuara.

  1. Nuk obligohet të lahen rrobat dhe trupi nëse preken nga balta e rrugës, sepse në esencë balta është e pastër dhe këtë realitet nuk mundet ta largojë dyshimi. Sahabët dhe tabi’inët ecnin nëpër rrugë me baltë dhe nuk i lanin këmbët e tyre.[32]

Por nëse i lan këmbët, kjo është më e mirë. Kur të hysh në xhami i lan këmbët, nëse janë të prekura me baltë që të mos e përlyesh xhaminë dhe tepihun e xhamisë.

  1. Disa myslimanë në dimër i bëjnë disa gabime në lidhje me rregullat e fesë, ndër ato gabime është moslarja si duhet e pjesëve të abdesit shkaku i ujit të ftohtë. Abdesin nuk e marrin të plotë dhe si duhet. Madje disa nuk i lajnë pjesët e abdesit që duhet të lahen, por vetëm i fërkojnë. Disa të tjerë krahët nuk i lajnë si duhet. Prandaj ai që nuk merr drejt dhe si duhet abdes, namazi i tij është i kotë.

Pejgamberi, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, nxiti që abdesi të plotësohet edhe kur i ftohti është i madh dhe këtë vepër e bëri të jetë shkak për shlyerjen e gjynaheve. Në një hadith Pejgamberi, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, thotë: “A dëshironi t’ju tregoj për veprat që i shlyejnë gabimet dhe i rritin shkallët?” I thanë: “Po, o i Dërguari i Allahut. Tha: “Marrja e abdesit të plotë edhe kur ka vështirësi, hapat e shumtë për në xhami, pritja e namazit pas faljes së namazit. Kjo është fortifikatë për ju.”[33]

Fjala ‘marrja e abdesit të plotë’ nënkupton përsosjen dhe përkryerjen e tij. Kjo arrihet kur lahet me ujë çdo organ i abdesit që detyrohet të lahet duke e fërkuar me dorë. Nëse vepron kështu një herë dhe abdesin e merr të plotë, llogaritet që abdes ke marrë një herë.

Fjala ‘kur ka vështirësi’, nënkupton kur gjendja është e rëndë dhe e vështirë për njeriun. Kjo mund të ndodhë kur i ftohti është i madh, ose trupi ka dhembje (si prezenca e plagëve në pjesët e abdesit), ose gjatë çdo gjendjes që njeriut ia vështirëson marrjen e abdesit.[34]

Kur njeriu detyrohet të marrë abdes me ujë të ftohtë në dimër, duke e plotësuar dhe duke ia dhënë çdo pjese të abdesit hakun e vet në larje dhe fërkim, kjo llogaritet marrje e abdesit në vështirësi, vepër e cila i shlyen gabimet dhe i rrit shkallët.

  1. Nuk është e ligjshme për myslimanin që ta synojë dhe ta kërkojë vështirësinë, si në rastin kur ka ujë të nxehtë dhe ai nuk merr abdes me ujë të nxehtë, por me ujë të ftohtë, ose merr abdes me ujë të nxehtë gjatë verës, kur e ka mundësinë të marrë me ujë të ftohtë. Në të dy rastet ai e kërkon dhe e zgjedh më të rëndën me nijet që ta arrijë shpërblimin e lartcekur në hadith.

Kjo nuk është ligjshme, madje është më afër teprimit dhe thellimit. Allahu thotë: “Përse t’ju ndëshkojë Allahu, nëse ju e falënderoni dhe e besoni?!” (En-Nisa: 147)

Pejgamberi, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, çdoherë kur e ka pasur mundësinë të zgjedhë në mes dy çështjeve, e ka zgjedhur më të lehtën përderisa nuk ka qenë mëkat, e nëse ka qenë mëkat, ka qenë sa më larg tij.[35]

Njeriu nuk është i urdhëruar dhe as që pëlqehet që të veprojë diçka që ia rëndon gjendjen ose e dëmton atë, përkundrazi sa më shumë që ibadeti i lehtësohet atij është më mirë dhe më e vlefshme.

Nëse i lehtësohet uji i nxehtë atij, kjo është më e mirë, sepse i ndihmon ta plotësojë abdesin dhe pastrimi të jetë i përkryer ashtu siç e përcaktoi Allahu, si dhe është më e mirë në largimin e llomit dhe për pastërtinë e trupit.

Por nëse e ka patjetër të ballafaqohet me të ftohtët dhe vështirësinë (nuk ka ujë të nxehtë), ai do të shpërblehet për këtë, sepse kjo nuk është me zgjedhjen dhe dëshirën e tij.[36]

Qëllimi nga hadithi është se nëse abdesi arrihet të plotësohet në ndonjë rast ose situatë të vështirë (dhe këtë vështirësi nuk e synon dhe kërkon) shpërblimi është i madh, sepse kjo aludon në fuqinë e imanit të atij që e merr abdesin në këtë gjendje, i cili njëkohësisht e merr edhe shpërblimin e përmendur në hadith.

Por edhe atëherë kur abdesi plotësohet pa mos pasur ndonjë vështirësi, fitohet shpërblim për plotësimin e abdesit siç është përmendur me një hadith: “Kush merr abdes në mënyrën më të përkryer, i dalin mëkatet nga trupi i tij, madje edhe nga nënthonjtë e tij.”[37]

  1. Nga gabimet e tjera që veprohen në dimër është marrja shumë me lehtësi e çështjes së tejemumit me pretekst se uji ftohet.

Kjo nuk lejohet, sepse tejemumi është lehtësim atëherë kur nuk ka ujë, ose kur uji nuk ka mundësi të përdoret (si në rastet kur përdorimi i tij njeriun e dëmton, ose shkaku i sëmundjes, ose kur përdorimi i tij mundet që sëmundjen ta shtojë ose shërimin ta vonojë), ose kur uji është i ftohtë dhe nuk ka mundësi që të nxehet.

Kush e dëmton veten ose frikohet për veten e tij me përdorimin e ujit të ftohtë, e përdor ujin e nxehtë, nëse nuk i bën dëm atij.

Imami Ibën Kudame, Allahu e mëshiroftë, thotë: “Detyrohet ta nxehë ujin ai që frikohet nga i ftohti i madh dhe e ka mundësinë që ta nxehë atë, ose ta përdorë ujin në atë mënyrë që përdorimi i tij të mos e dëmtojë si p.sh. njëherë e lan një pjesë pastaj kalon te pjesa tjetër e trupit, çdoherë që e lan njërën pjesë e mbulon atë, në këtë rast detyrohet përdorimi i ujit të ftohtë. E nëse nuk mundet që ta përdorë ujin në asnjë mënyrë, atëherë merr tejemum dhe e fal namazin. Ky është mendimi i shumicës së dijetarëve.[38]

  1. Nga gabimet e tjera që veprohen në dimër është mbulimi i fytyrës ose gojës gjatë faljes së namazit pa mos pasur nevojë. Kjo urrehet.

Urrehet për burrin që në namaz ta mbulojë gojën, ose gojën dhe hundën bashkërisht, pavarësisht se a e mbulon gojën me dorë ose me rrobën e tij dhe të ngjashme me to, përveç nëse i hapet goja, në këtë rast prej suneti është që dora të vendoset në gojë.

Përcillet me një hadith: “Pejgamberi, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, e ndaloi që burri ta mbulojë fytyrën e tij në namaz.”[39]

Thuhet që urtësia e ndalesës vjen shkaku se fshehet fytyra dhe shkronjat nuk dalin të qarta gjatë leximit dhe dhikrit .

Veçohet në këtë rast ai që fytyrën e mbulon për shkak të nevojës ose sëmundjes, si gjatë të ftohtët të madh, gjatë ftohjes dhe gripit ku nganjëherë ka nevojë që goja të mbulohet, si dhe mund të ndodhë që gjatë namazit të mbulohet goja kur ai që falet afër tij e dëmton me erë të keqe. Në raste të ngjashme me to nuk ka pengesë që goja të mbulohet.[40]

  1. Nuk ka pengesë që namazi të falet me dorëza kur është ftohtë.[41]
  2. Nuk ka pengesë dhe nuk urrehet që në xhami para namazfalësve të vendosen nxehëse. Këto nxehëse nuk bëjnë pjesë në fjalët e dijetarëve, të cilët thonë se gjatë namazit urrehet të drejtohemi kah zjarri për shkak se kjo i përngjason zjarrputistëve (adhuruesve të zjarrit). Zjarrputistët e adhurojnë zjarrin të ndezur dhe me flakë, e jo këtë lloj të zjarrit. Përderisa zjarri nuk ka flakë, nuk urrehet që namazi të falet në drejtim të tij.

Pastaj në shumicën e rasteve këto nxehëse nuk vendosen para imamit, por para xhematit. Kjo e bën edhe më të lehtë çështjen, sepse imami është prijësi i tyre në namaz dhe sutreja e tij vlen si sutre edhe për xhematin.[42]

  1. Nga veçoritë e fesë islame dhe nga mëshira e Allahut për robërit e Tij është toleranca dhe lehtësimi, ngritja e vështirësive atyre që janë të ngarkuar me detyrime fetare, përkujdesja për gjendjet dhe arsyetimet e tyre të ndryshme.

Në mesin e tyre bën pjesë ligjërimi i lehtësimeve, si: marrja e tejemumit për atë që nuk ka ujë ose për atë që nuk mundet ta përdorë ujin, shkurtimi i namazeve gjatë udhëtimit prej 4 rekateve në 2, bashkimi i namazit të drekës me ikindinë dhe i akshamit me jacinë me arsye, dhënia mes’h mbi meste etj.

  1. Nga mëshira e Allahut për robërit e Tij është se atyre ua lejoi dhe ua lehtësoi që kur të marrin abdes t’u japin mes‘h mesteve[43] në vend se t’i lajnë këmbët, në dimër dhe jashtë dimrit, duke qenë vendas dhe udhëtarë, për nevojë ose pa nevojë, derisa kjo u bë rit i dukshëm dhe dallues i Ehli Sunetit karshi disa ithtarëve të risive. Dijetarët e njohur islamë të gjithë janë unikë rreth kësaj meseleje.

Hadithet që përcillen rreth mes’hut janë ‘mutevatir’[44], disa i numëruan transmetuesit e këtyre haditheve dhe numri i tyre e tejkaloi tetëdhjetën, ku në mesin e tyre janë edhe dhjetë të përgëzuarit me Xhenet, Allahu qoftë i kënaqur prej tyre.[45]

  1. Dhënia mes’h mesteve ka kushte dhe ato janë:
  2. a) Mestet duhet të jenë të pastra nga fëlliqësirat. Nëse në to gjendet diçka nga fëlliqësirat, nuk lejohet dhënia e mes’hut mbi to.
  3. b) Mestet duhet t’i mbulojnë pjesët e këmbës që obligohet mbulimi i tyre (këmbën me kockën e nyjës së këmbës) dhe nuk lejohet dhënia e mes’hut mbi ato meste që nuk e mbulojnë pjesën e që obligohet mbulimi i saj.
  4. c) Që të mund të ecën me to ecje të zakonshme.

ç) Mestet duhet të vishen me abdes, d.m.th. këmbët njëherit të lahen dhe pastaj mestet të mbathen. Nëse ato mbathen pa abdes mes’hu mbi to nuk pranohet.

  1. d) Mes’hu mbi mestet të jetë nga papastërtia e vogël (d.m.th. urinimi, nevoja e madhe etj, dhe në këto raste kur abdesi prishet, mestet nuk zbathen, por mbahen dhe u jepet mes’h – sh.p -). Kurse xhunubllëku e detyron që mestet të zbathen, pra xhunubi nuk lejohet t’u japë mes’h, por i zbath mestet dhe e pastron krejt trupin, prej te koka e deri te këmbët.
  2. dh) Koha e mes’hut është e definuar, për vendasin është një ditë dhe një natë, kurse për udhëtarin tri ditë dhe tri net. Kjo kohë nuk lejohet të tejkalohet.

Disa fukaha (juristë islamë) i përcaktuan edhe disa kushte të tjera (këto kushte nuk janë të pranuara te dijetarët e tjerë) si: mestet të jenë nga hallalli (pra, mos të jenë të uzurpuara ose të vjedhura), të jenë të shëndosha dhe jo të grisura, por më e sakta është se këto dy kushte nuk merren në llogari.[46]

  1. Dallimi në mes çorapëve dhe mesteve është se mestet janë të prodhuara nga lëkura, kurse çorapët nuk janë nga lëkura, por mund të jenë nga leshi, pëlhura, pambuku ose najloni.
  2. Mes’hu mbi meste është i vërtetuar me hadithe profetike dhe shumica e dijetarëve i bashkëngjisin me to edhe çorapët. Nuk ka argument që Pejgamberi, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, çorapëve iu ka dhënë mes’h, por ka transmetime për disa sahabë, Allahu qoftë i kënaqur prej tyre, se çorapëve u kanë dhënë mes’h. Nga aspekti i vështrimit nuk ka dallim ndikues në mes të mesteve dhe çorapëve, si dhe nevoja për t’u dhënë mes’h çorapëve është e njëjtë sikurse nevoja për t’u dhënë mes’h mesteve. Sheriati nuk bën dallim në mes dy gjërave që ngjasojnë njëra me tjetrën.[47]
  3. Kushtet e mes’hut mbi çorapë janë po të njëjtat sikurse kushtet e mes’hut mbi meste, përveçse një numër i madh dijetarësh e kushtëzuan që çorapët të jenë të trashë, të shpeshtë, të mos depërtojë uji përmes tyre dhe ta lagë shputën e këmbës.

Nëse çorapët janë të hollë dhe të tejdukshëm që e përshkruajnë lëkurën, nuk lejohet mes’hu mbi to, sepse në këtë rast këmba e merr dispozitën e këmbës së shpalosur. Çorapët e kanë të njëjtën dispozitë sikurse të mesteve: ato janë të trashë, prandaj edhe çorapët nuk mund të barazohen në dispozitë me to, përveç, nëse janë të trashë. Në këtë rast çorapët iu përngjasojnë mesteve. Kurse çorapët e tejdukshëm nuk janë sikurse mestet dhe nuk mund të krahasohen me to.

Kjo është fetvaja e Ibën Bazit, Allahu e mëshiroftë, dhe “Komisionit të Përhershëm për Fetva të Arabisë Saudite”.

Përcillet për disa dijetarë se e lejuan mes’hun mbi çorapë të tejdukshëm dhe i këtij mendimi është edhe dijetari Ibën Uthejmin.[48]

Ajo më e sakta, Allahu e di më së miri, është fetvaja e shumicës së dijetarëve, pra, nuk lejohet mes’hu mbi çorapë të tejdukshëm dhe kjo është më e sigurt për ibadet.

  1. Sipas mendimit më të saktë, koha e mes’hut fillon të llogaritet prej momentit kur bëhet mes’hu i parë dhe jo prej momentit kur prishet abdesi.

Kjo është thënie e imam Ahmedit, zgjedhje e Ibën Mundhirit dhe imam Neveviut, “Komisionit të Përhershëm për Fetva” të Arabisë Saudite, Ibën Bazit dhe Ibën Uthejminit nga dijetarët bashkëkohorë, Allahu i mëshiroftë.[49]

Shembull: Nëse merr abdes për namazin e sabahut dhe i vesh mestet, pastaj abdesin e prish ora 9 të mëngjesit dhe më nuk merr abdes deri në ora 12 të ditës dhe kur merr abdes u jep mes’h mesteve, prej këtij momenti fillon llogaria e kohës së mes’hut, d.m.th. prej ora 12 të ditës dhe jo prej ora 9 të mëngjesit.

  1. Forma e mes’hut është kjo: I jep mes’h pjesës së epërme të këmbës dhe jo pjesës së poshtme. Me dy duart e lagura u jep mes’h të dy këmbëve përnjëherë, me dorën e djathtë i jep mes’h këmbës së djathtë dhe me dorën e majtë këmbës së majtë. Mes’hu jepet një herë, me gishtërinjtë të shpërndarë duke filluar nga majat e gishtave të këmbës e deri në fillim të kërcit të këmbës, saqë mes’hu të përfshijë sa më shumë nga hapësira e mesteve.

Pavarësisht a u jep mes’h të dy këmbëve bashkërisht (sikurse kur i lan veshët për abdes) apo fillon me këmbën e djathtë e pastaj me të majtën, apo u jep mes’h të dy këmbëve me dorën e djathtë, apo u jep mes’h të dy këmbëve me dorën e majtë, nuk është problem dhe nuk ka pengesë, të gjitha mënyrat pranohen dhe lejohen. Në këtë çështje ka hapësirë të gjerë veprimi.[50]

“Shumë njerëz me dy duar i japin mes’h këmbës së djathtë dhe me dy duar i japin mes’h këmbës së majtë, kjo nuk ka bazë në fe dhe është gabim.

Kurse sipas cilës mënyrë të dojë (atyre mënyrave të lejuara që u cekën më lart) që t’u japë mes’h mesteve, ajo është e pranuar.”[51]

  1. Sipas mendimit më të saktë, ai që i zbath mestet, ose i ka përfunduar koha e mes’hut (dhe paraprakisht ka qenë me abdes), abdesi i tij është i saktë, përderisa nuk e ka prishur abdesin me ndonjë vepër tjetër që e prish abdesin.

Ky është mendimi i El-Hasan El-Basriut dhe Katades, e ka zgjedhur Ibën Mundhiri dhe imam Neveviu dhe Ibën Tejmije, Allahu i mëshiroftë, dhe i Ibën Uthejminit, Allahu e mëshiroftë, nga dijetarët bashkëkohorë.[52]

Por nëse dëshiron sërish që t’u japë mes’h mesteve (pasi i ka zbathur mestet dhe e ka prishur abdesin ose ka përfunduar kohëzgjatja e mes’hut) duhet fillimisht të marrë abdes të plotë dhe t’i lajë këmbët me ujë, e pastaj t’i mbathë mestet, e nëse e prish abdesin atëherë mundet t’u japë mes’h mesteve.

  1. Nëse dëshiron ndonjëri që t’i mbathë dy palë meste (d.m.th. pasi i mbath një palë, i mbath edhe një palë të tjera mbi ato të parat që i ka mbathur) ekzistojnë disa mundësi:

E para: Nëse i mbath një palë meste, pastaj i mbath edhe një palë të tjera mbi ato të parat para se t’i prishet abdesi, në këtë rast mundet t’u japë mes’h cilave meste të dojë.

E dyta: Nëse i mbath mestet dhe më pas e prish abdesin, pastaj i mbath mestet e tjera mbi ato të parat para se të marrë abdes, në këtë rast kur merr abdes u jep mes’h mesteve të para dhe nuk lejohet që t’u japë mes’h mesteve të dyta.

E treta: Nëse i mbath mestet dhe më pas e prish abdesin, pastaj kur merr abdes u jep mes’h mesteve dhe pastaj i mbath edhe një palë meste të tjera mbi ato të parat, në këtë rast kur merr përsëri abdes, mes’h iu jep mesteve të dyta, sepse ato i ka mbathur duke qenë me abdes. Në këtë rast koha e llogaritjes së mes’hut fillon prej momentit kur u jep mes’h mesteve të para. Po ashtu në këtë rast ai mundet që t’u japë mes’h edhe mesteve të para.

E katërta: Nëse i vesh dy palë meste njëra mbi tjetrën dhe u jep mes’h mesteve të epërme dhe pastaj i zbath ato, në këtë rast a mundet më vonë t’u jepet mes’h mesteve të para? Po lejohet t’u jepet mes’h mesteve të poshtme derisa të përfundojë koha e mes’hut të mesteve të epërme (d.m.th. koha kur iu ka dhënë mes’h mesteve të epërme, nëse i ka dhënë ora 9 e mëngjesit pastaj i ka zbathur mestet e epërme ora 12 të ditës, mundet t’u japë mes’h mesteve të poshtme deri ora 9 të mëngjesit të ditës tjetër, kjo për vendasin, kurse për udhëtarin është 3 ditë e 3 e net, – sh.p-). Nëse rrjepen ose hiqet ana e jashtme e mesteve, atëherë mes’h i jepet astarit.[53]

  1. Nga dallimet në mes mes’hut të gjipsit dhe atij të mesteve:
  2. a) Gjipsi nuk veçohet me ndonjë organ të veçantë, kurse mestet veçohen me këmbët.
  3. b) Në esencë nuk lejohet mes’hu mbi gjips, përveç kur njeriu dëmtohet me heqjen e tij, në krahasim me mestet, të cilat janë lehtësim dhe lejohet mes’hu mbi to pavarësisht njeriu a gjen vështirësi apo jo me zbathjen e tyre.
  4. c) Obligohet që i tërë gjipsi të përfshihet me mes’h, sepse nëse fërkohet në tërësi nuk ka asnjë dëm, në krahasim me mestet, ku mes’hu jepet në pjesën e epërme pa pjesën e poshtme, sepse është e vështirë që me mes’h të përfshihen mestet krejtësisht, si dhe mes’hu i tillë mund t’i dëmtojë mestet.

Nëse një pjesë e gjipsit është e vendosur në vendin që obligohet të lahet për abdes dhe pjesa tjetër është e vendosur në vend tjetër, që nuk obligohet të lahet për abdes (si në rastin kur gjipsi është i vendosur në këmbë dhe në kërcin e këmbës) i jepet mes’h pjesës që gjendet përreth vendit që obligohet të lahet për abdes.

ç) Për t’i dhënë mes’h gjipsit, nuk është kusht që të mbulohet vendi që obligohet të lahet për abdes, nëse nuk ka nevojë që ajo pjesë të mbulohet, në krahasim me mestet, ku patjetër duhet të mbulohet pjesa është e obliguar të lahet për abdes (këmbët dhe kocka e nyjës së këmbëve).

  1. d) Mes’hu i gjipsit është i lejuar në rastin e të dy papastërtive, të vogël dhe të madhe (d.m.th. kur prishet abdesi shkaku i urinimit ose nevojës së madhe, si dhe xhunubllëku, menstruacionet, lehonia, -sh.p-). Kur merr gusëll, mes’h i jepet gjipsit sikurse kur merr mes’h për abdes, sepse në këtë rast nëse largohet gjipsi vjen deri te dëmtimi, në krahasim me mestet, ku nuk lejohet t’u jepet mes’h mesteve, përveçse, kur prishet abdesi nga papastërtia e vogël (urina dhe nevoja e madhe), kurse ato obligohet të zbathen në rastin e papastërtisë së madhe (xhunubllëku, menstruacione, lehonia).
  2. dh) Mes’hu i gjipsit nuk ndërlidhet me ndonjë kohë të caktuar, por koha e tij është derisa që i sëmuri të shërohet dhe t’i largohet gjipsi. Ai e ka të drejtën t’i japë mes’h gjipsit derisa të ekzistojë nevoja, ngase mes’hun e gjipsit e lejon domosdoshmëria, prandaj edhe kohëzgjatja e mes’hut përcaktohet me sasinë e domosdoshmërisë. Derisa ka domosdoshmëri ka edhe mes’h, kur bie domosdoshmëria dhe largohet gjipsi, atëherë bie edhe mes’hu. Në krahasim me mestet, ku atyre u jepet mes’h një ditë e një natë për vendasin dhe tri ditë e tri net për udhëtarin.
  3. e) Sipas mendimit më të saktë nuk është kusht që gjipsi të vendoset duke qenë me abdes. Nëse e vendos gjipsin pa abdes dhe pastaj merr abdes, lejohet që t’i jepet gjipsit mes’h. Në krahasim me mestet ku është kusht që ato të mbathen vetëm me abdes të plotë, pasi janë larë këmbët me ujë.[54]

E lusim Allahun të na bëjë nga ata që e kuptojë fenë e Tij, të na mësojë atë që nuk e dimë, të na e shtojë dijen dhe udhëzimin, dhe të na ndihmojë në përmendjen, falënderimin dhe adhurimin e mirë të Tij.

Falënderimi i takon Allahu, Zotit të botëve.

 

Dr. Muhamed Salih El-Munexhid

Nga arabishtja: Irfan JAHIU

 

[1] Miftah darus seade (2/610).

[2] Miftah darus seade (2/592).

[3] Buhariu (537), Muslimi (617).

[4] Musanaf Ibën Ebi Shejbe (9835), Hiljetu El-Evlija, Ebu Nuajm (1/51).

[5] Shih: Letaif el Mearif, Ibën Rexheb (fq.327).

[6] Tirmidhiu (797) dhe tha: hadithi është mursel, kurse shejh Albani hadithin e vlerësoi si të mirë me asistencë të haditheve të ngjashme.

[7] Shih: Letaif el Mearif, Ibën Rexheb (fq.326).

[8] El-Muhtedirin, Ibën Ebi Dunja (178).

[9] Tarih Dimeshk (65/92).

[10] Tefsir Ibën Kethir (4/189).

[11] Shih: Tefsir El-Bagavij (5/36), Edva El-Bejan (2/420).

[12] Shih: Letaif el Mearif, Ibën Rexheb (fq.330).

[13] Buhariu (893), Muslimi (1829).

[14] Imam Ahmedi (2803), shejh Albani e saktësoi zinxhirin e tij në Es-Sahiha (5/297).

[15] Buhariu (846), Muslimi (71).

[16] Buhariu (4697).

[17] Buhariu (1039).

[18] Fetava El-Lexhnetu Ed-Daime (1/634,635, 8/323), El-Kaulu El-Mufid, Ibën Uthejmin (1/531), Sherh Rijadus Salihin, Ibën Uthejmin (3/441), Xhelesat Ramadanije.

[19] Buhariu (974).

[20] Hakimi (2/124), dhe hadithi është Sahih el Xhami’ (3078).

[21] Buhariu (1013), Muslimi (897).

[22] D.m.th. shiu sapo është krijuar nga Allahu dhe është zbritur. Kuptimi është se shiu është mëshirë dhe sapo është krijuar nga Allahu, prandaj kërkohet bereqeti i tij. (sh.a.)

[23] Muslimi (898).

[24] Buhariu (1033), baza e hadithit është tek Muslimi (897).

[25] Shih: Fet’hul Barij, Ibën Haxher (2/520).

[26] Mexhmua Fetava Ibën Baz (13/64).

[27] Shih: Musanaf Ibën Ebi Shejbe (13/354, 355), Fet’hul Barij, Ibën Haxher (9/234).

[28] Tirmidhiu (3358), hadithin e saktësuan Ibën Hibani, El-Hakimi dhe Albani.

[29] Muslimi (899).

[30] Ebu Davudi (5097), Ibën Maxhe (3727), shejh Albani e saktësoi.

[31] Shih: El-Mugni, Ibën Kudame (2/378, 3/132), El-Insaf, El-Merdavij (2/302,337), Esh-Sherh El-Mumti’, Ibën Uthejmin (4/317, 391, 393).

[32] Shih: El-Mugni, Ibën Kudame (2/501), Fet’hul Barij, Ibën Rexheb (3/42, 44).

[33] Muslimi (251).

[34] Shih: El-Istidhkar, Ibën Abdulber (2/302), Et-Temhid (20/223), En-Nihaje, Ibën El-Ethir (4/168), Sherh En-Nevevij ala Muslim (3/141).

[35] Buhariu (3560), Muslim (2327).

[36] Shih: Mevahib El-Xhelil, El-Hatab (1/80), Fetava Nur ala Ed-Derb, Ibën Baz (5/133, 134), Sherh Rijadus Salihin, Ibën Uthejmin (5/21), Fetava Nur ala Ed-Derb, Ibën Uthejmin.

[37] Muslimi (245).

[38] Shih: El-Mugni, Ibën Kudame (1/339).

[39] Ebu Davudi (548), Ibën Maxhe (956), shejh Albani e vlerësoi si të mirë.

[40]Shih: Shih: El-Mugni, Ibën Kudame (2/298), El-Mexhmua, Neveviu (3/179), Mirkatul Mefatih, El-Mulla Alij El-Karij (2/636), Esh-Sherh El-Mumti’ (2/193).

[41] Shih: Fetava El-Lexhnetu Ed-Daime (7/195).

[42]Shih: Fetava Ibën Uthejmin (13/337,338,339).

[43] Mes’h nënkupton fërkim i lehtë duke kaluar dorën sipër diçkaje, kurse meste janë veshmbathje për këmbët, zakonisht nga lëkura, që mbathen dimrit dhe e mbulojnë këmbën deri në kërce. (sh.p.)

[44] Hadithi mutevatir është ai që përcillet nga një grup i madh i transmetuesve të besueshëm. (sh.p)

[45] Shih: El-Eusat, Ibën El-Mundhirij (1/426), Sherh En-Nevevij ala Muslim (3/164), El-Mexhmua sherh El-Muhedhib, Neveviu (1/476),Fet’hul Barij, Ibën Haxher (1/305), Nudhum El-Metenathir minel hadith el Mutevatir, El-Kitanij (fq. 60).

[46] Shih: El-Mugni, Ibën Kudame (1/361-376), El-Mexhmua, Neveviu (1/509), El-Insaf, El-Merdavij (1/171-183), El-Meusua El-Fikhije (37/263).

[47] Shih: El-Eusat, Ibën El-Mundhirij (1/462), Es-Sunen El-Kubra, Bejhakiu (1/425), El-Mugni, Ibën Kudame (1/373), El-Mexhmua, Neveviu (1/499), Mexhmua El-Fetava (22/214).

[48] Shih: Bedaiu Es-Sanai’, El-Kasanij (1/10), El-Mugni, Ibën Kudame (1/373), El-Mexhmua, Neveviu (1/499), Fetava El-Lexhnetu Ed-Daime (5/262, 267), Fetava Ibën Baz (10/110), Fetava Ibën Uthejmin (11/165, 168).

[49] Shih: El-Eusat, Ibën El-Mundhirij (1/442), El-Mugni, Ibën Kudame (1/370), El-Mexhmua, Neveviu (1/486), Fetava El-Lexhnetu Ed-Daime (5/262), Fetava Ibën Baz (10/106-108, 111,112), Esh-Sherh El-Mumtia (1/262, 265).

[50] Shih: El-Mugni, Ibën Kudame (1/377), El-Insaf, El-Merdavij (1/185), Fetava Ibën Baz (10/105), Esh-Sherh El-Mumtia (1/260).

[51] Fetava Ibën Uthejmin (11/177).

[52] Shih: El-Eusat, Ibën El-Mundhirij (1/457), El-Mugni, Ibën Kudame (1/366), El-Mexhmua, Neveviu (1/526), El-Ihtijarat el-fikhije li Ibën Tejmije (fq. 15), Esh-Sherh El-Mumtia (1/263).

[53] Shih: Fetava Ibën Uthejmin (11/192).

[54] Shih: Bedaiu Es-Sanai’, El-Kasanij (1/14), El-Mugni, Ibën Kudame (1/356), El-Insaf, El-Merdavij, (1/193), Hashijetu Ibën Abidin 91/280), Esh-Sherh El-Mumtia, Ibën Uthejmin (1/250) Mexhmual Fetava Ibën Uthejmin (11/174).

 

Të ngjajshme

DISA FJALË DREJTUAR MJEKËVE DHE TË SËMURËVE

Irfan Jahiu

LAICIZMI DHE RREZIKU I TIJ

Irfan Jahiu

PËRSHKRIMI I MUHAMEDIT, ALEJHI SALATU UE SELAM, DHE EMRAT E TIJ

Irfan Jahiu

NDËSHKIMI I BESIMTARËVE

Irfan Jahiu

MADHËRIMI I CITATEVE SHERIATIKE

Irfan Jahiu

MË I MIRI PREJ JUSH ËSHTË AI QË E MËSON KUR’ANIN DHE UA MËSON TË TJERËVE

Irfan Jahiu

ZBUKURIMI I LEJUAR DHE AI I NDALUAR

Irfan Jahiu

VESVESET E SHEJTANIT DHE MBROJTJA PREJ TIJ

Irfan Jahiu

VDEKJA

Irfan Jahiu