Stresi shkakton inflamacionin kronik

Inflamacioni kronik është reaksioni i trupit në traumë ose infeksion i cili mund të krijohet si pasojë e çrregullimeve dhe sëmundjeve të ndryshme.

Në një hulumtim kanë marrë pjesë 34 femra të shëndetshme në moshë të pjekur. Gjatë hulumtimit disa prej tyre ishin të ekspozuara situatave stresuese, siç janë fjalimet publike dhe intervistat për punë.

Shkencëtarët kanë marrë mostrat e gjakut dhe kanë zbuluar që femrat, të cilat kanë qenë të ekspozuara ndaj situatave stresuese tregojnë nivel më të madh të proteinës C reaktive, që është shenjë i inflamacionit, transmeton Koha.net. Proteina C reaktive prodhohet në mëlçi kur në trup është i pranishëm inflamacioni dhe është pjesë e sistemit të imunitetit.

Edhe pse kemi qenë të informuar që stresi dobëson sistemin e imunitetit, ky është hulumtimi i parë i cili efektin e stresit në trup e ka matur në mostrën e gjakut të pjesëmarrësve.

Udhëheqësja e hulumtimit, dr. Peggy Zoccola, ka deklaruar se si”inflamacioni kronik ende nuk është hulumtuar si duhet, por është dëshmuar që mund të rrisë rrezikun nga krijimi i një vargu të sëmundjeve.”

Niveli i proteinës C reaktive ka qenë shumë më i madh te femrat që kanë qenë të ekspozuara në situata stresuese, në krahasim me ato që nuk kanë qenë, transmeton Koha.net. Më e keqja është që niveli i proteinës C reaktive ka vazhduar të rritet gjatë periudhës së ardhshme prej një ore.

Shkencëtarët theksojnë që stresi është i pashmangshëm, por që mund të mësohemi të përballemi me të. Ka teknika të ndryshme relaksuese (frymëmarrja e thellë, meditimi) të cilat kanë ndihmuar njerëzit nëpër gjithë botën, përcjell “Telegraph”. /Telegrafi/