Rtv Pendimi

Studim: Kompiuterat në klasë dëmtojnë mësimin

Vetëm me disa klikime në tastierë, interneti do të revolucionarizojë arsimin dhe marrjen e dijes. Ky ishte premtimi që shoqëroi në fillim masivizimin e internetit. Por një studim i ri tregon se prezenca e internetit në klasë shoqërohet me rezultate më të ulëta në provime.

Shkencëtarët e Universitetit Shtetëror në Miçigan kanë botuar një studim të ri në revistën psikologjike Psychological Science, ku thonë se u vërejtën nota më të ulëta dhe rezultate më të dobëta në provime edhe në rastet e nxënësve më të zgjuar e më punëtorë.

Në kuadër të studimit, shkencëtarët analizuan kohën që shpenzonin 127 nxënës në kompiuter gjatë një klase elementare psikologjie. Ata arritën në përfundimin se mesatarisht nxënësit shpenzuan 37 minuta në kompiuter duke u marrë me gjëra që s’kishin lidhje me materialin mësimor si për shembull kontrollonin emailin, llogaritë e tyre në median sociale, blenin gjëra përmes internetit apo shihnin video.

Aktiviteti i tyre në kompiuter kontrollohej për këtë studim nga monitorimi i serverit të kompiuterit.

Gjatë orëve të mësimit për të 15 seancave që përfshiheshin në kurs, 83 vetë nga grupi i nxënësve në eksperiment shpenzuan më shumë se gjysmën e kohës duke vizituar faqe të ndryshme interneti. Shkencëtarët zbuluan se koha e shpenzuar në internet ishte një faktor i rëndësishëm në rezultatin që merrnin nxënësit në këtë lëndë.

“Ndikimi negativ që ka përdorimi i internetit për aktivitete që nuk lidhen me mësimin na bën të vëmë në pikëpyetje praktikat që nxisin nxënësit të sjellin kompiuterat personalë në klasë, kur në fakt kompiuteri nuk i shërben mësimit,” thotë Susan Ravizza, asistente pedagoge e psikologjisë dhe kryesuesja e studimit.

Edhe në rastet kur nxënësit e përdorin kompiuterin për aktivitete që lidhen me mësimin, shkencëtarët zbuluan se nuk ndihmonte në përmirësimin e rezultateve.

“Ky kurs nuk kishte detyra që duheshin përmbushur duke përdorur internetin, pra aktiviteti në internet që cilësohej si “i lidhur me mësimin” përgjithësisht kishte të bënte me hapjen e dokumentave dixhitalë ku ishin regjistruar instruksione për leksionet që ndihmonin për të mbajtur shënime apo për të ndjekur lëndën,” tha zonja Ravizza.

Ajo shton se mbajtja e shënimeve përmes kompiuterit ka rezultuar nga studime të mëparshme si më pak e efektshme se mbajtja e shënimeve me dorë.

“Kur nxënësit hapin kompiuterin, vetvetiu tërhiqen nga aktivitete të tjera që s’kanë lidhje me mësimin”.

Ajo shton se, pas këtij studimi, sa herë sheh nxënës që kanë marrë me vete kompiuterin, u thotë të ulen në fund të klasës, që të mos shpërdëndrojnë vëmendjen e të tjerëve./woa

TË NGJAJSHME