Të paktën katër persona kanë humbur jetën në Stamboll si pasojë e një stuhie të fuqishme që goditi metropolin turk, raporton Anadolu Agency (AA).
Sipas Autoritetit të Menaxhimit të Fatkeqësive dhe Emergjencave (AFAD), po ashtu të paktën 19 persona janë plagosur, përfshirë tre të cilët janë në gjendje të rëndë.
Shërbimet e urgjencës po punojnë me kapacitete të plota në ndihmë të personave në nevojë.
Që nga mëngjesi i sotëm, qyteti me mbi 15 milionë banorë është përballur me erëra të fuqishme, duke rrëzuar pemët, çatitë dhe madje rrëzoi edhe një kullë sahati.
Zyrtarët shtetëror të motit thanë se erërat në rrethin Beylikdüzü kanë fryer me shpejtësi deri në 129 kilometra në orë.
Disa varka të ankoruara në Maltepe dhe Pendik pësuan dëme të rënda si pasojë e stuhisë që shkaktoi edhe përplasjen e një anije mallrash me një skelë në Portin Ambarlı.
Mes stuhisë, autoritetet morën masa paraprake, duke anuluar transportin detar dhe duke mbyllur ngushticën e Bosforit, që lidh detin Marmara dhe Detin e Zi.
Duke u përballur me kushte të pafavorshme ajrore, linja ajrore Turkish Airlines dërgoi në aeroportet jashtë qytetit të paktën gjashtë aeroplanë që nuk mundeshin të ulen në Stamboll.
Zyrtarët thanë se deri të martën pjesa më e madhe e Turqisë do të preket nga erëra të forta dhe stuhi, si dhe kërkuan nga qytetarët të marrin masa për të shmangur dëmtimet gjatë motit të keq.
Më vonë, në një njoftim zyra e guvernatorit tha se arsimi u pezullua për një ditë për shkak të ndikimit të vazhdueshëm të stuhisë në qytet.
Erërat e fuqishme dhe stuhitë do të vazhdojnë të godasin qytetin sonte, me shpejtësi të erës deri në 90 kilometra në orë, ndërkohë sipas zyrtarëve të motit kjo stuhi do të vazhdojë deri në mbrëmjen e nesërme.
Zyrtarët po ashtu theksuan se për shkak të stuhisë së fuqishme motoçikletat dhe skuterët elektrikë nuk do të lejohen në qarkullim nga ora 23:00 sonte deri në orën 18:00 të ditës së nesërme.