Para pak ditësh duke lexuar një opinion të Bill Schneider në Gazeta Blic, mu kujtua filmi i vitit 2008 “Swing Vote” – “Vota e Lëkundur”, ku rolin kryesor e luan aktori i mirënjohur Kevin Costner. Në film, Costner i cili jetonte ne New Mexico, kishte lënë në gjysmë votimin, por pas pak u kuptua se kandidatët kishin vota të barabarta dhe vota e tij ishte e fundit e cila do të përcaktonte se kush do të zgjidhej president i ShBA-ve. Atëherë fillojnë ofertat joshëse për Costnerin nga dy kandidatët për ta fituar atë votë… Kuptohet filmi është i zhanrit dramë-komedi dhe nuk ka ndodhur asnjëherë diçka e tillë në zgjedhjet presidenciale në ShBA. Por shqetësimin që Schnaider e shtronte në opinionin e tij, se kandidatja demokrate Clinton mund të mos e gëzoj postin e presidentit, edhe nëse i fiton zgjedhjet, nëse rezultati do të ishte i ngushtë, kjo edhe mund të vështirësoj procesin zgjedhor. Megjithatë, etërit themelues të ShBA-ve, kur e shkruan kushtetutën, kanë paraparë si të zgjidhet problemi në raste të tilla, por ndryshimet e shumta që janë bërë rreth sistemit elektoral por jo direkt te sistemi elektoral, kjo mund të sjellë situata të sikletshme, për të cilën ka nënvizuar edhe Schneider.
II.
Janë raste të shumta në historinë rreth 230 vjeçare të zgjedhjeve presidenciale në ShBA, ku ka pasur raste të rezultateve të ngushta mes kandidatëve, madje edhe njëra vetëm pak vite më herët, ajo mes Bush vs. Gore. Këto raste siç quhen ndryshe si “disputed elections” – “zgjedhjet e kontestuara apo diskutabile”, ndodhin si rezultat i sistemit elektoral “winner takes all” – “fituesi merr të gjitha”. Pra fituesi i shumicës së votës popullore të një shteti merr të gjitha votat elektorale të atij shteti. P.sh. Kalifornia ka 55 vota elektorale dhe nëse njëri kandidat fiton 50%+1 votë të votës popullore, atëherë ai merrë të gjithë 55 votat elektorale edhe përkundër 49.999% që kanë votuar për kandidatin tjetër dhe i cili mbetet pa asnjë votë elektorale. Edhe kjo, si pjesë e sistemit elektoral është e kuptueshme dhe ka ndodhur disa herë. Por të fitosh zgjedhjet presidenciale me më pak vota popullore se kundërkandiati, kjo ka ndodhur më rrallë, më 1824, 1876, 1888 dhe 2000. Por përderisa mundësia për të ndodhur ekziston, atëherë kjo bëhet shqetësuese. Sot para se të filloj të shkruaj këtë artikull, lexova se disa votues të Trump-it kanë kërcënuar me revolucion nëse Clinton fiton zgjedhjet. D.mth. shqetësimi i Schneider është goxha serioz, por edhe “vota e lëkundur e Kevin Costnerit” dhe shumë vota tjera të lëkundura janë të rëndësishme që fitorja të mos jetë e ngushtë për cilindo kandidat, e të mos ndodhin edhe një palë zgjedhje të kontestuara.
III.
Për të sqaruar më mirë se çka nënkuptohet me rezultat të ngushtë, e që të mos kemi zgjedhje diskutabile, shembullin më të afërt e kemi atë të zgjedhjeve të vitit 2000 mes Bush vs Gore. Edhe përkundër votës popullore të fituar nga Gore me diferencë mbi 540 mijë vota më shumë se Bush, prap zgjedhjet i fitoi Bush për shkak se kishte fituar votat elektorale. Ndërsa fenomeni tjetër i këtyre zgjedhjeve është edhe fakti se fitoren presidentit Bush ia siguruan 25 votat elektorale të shtetit Florida. Ai i fitoj ato me vetëm 537 vota popullore më shumë se Gore, nga rreth 6 milion votues, që i bie me më pak se 0.01% të votave. Ky po që është rezultat i ngushtë dhe shpresojmë të mos kemi rezultat të tillë mes Clinton dhe Trump. Mos të harrojmë se rinumërimi i votave në Florida vazhdoi për gati një muaj e gjysmë. Këto zgjedhje njëherit ishin edhe një sfidë e madhe për drejtësinë amerikane. Shumë gjyqe lokale jepnin vendime të kundërta nga njëra tjetra. Disa vendosnin pro rinumërimit të votave me arsyetimin e rezultatit të ngushtë të votave mes dy kandidatëve, ndërkohë që gjykatat e tjera e vlerësonin të kundërtën, derisa rasti kaloi në Gjykatën Supreme të Shteteve të Bashkuara. Ajo mori rastin Bush – Gore më 1 Dhjetor, kurse më 12 dhjetor mori vendim në favor të Bushit duke ndërprerë rinumërimin ende të papërfunduar. Ditën e nesërme, më 13 dhjetor, Al Gore iu adresua kombit duke e pranuar humbjen e garës presidenciale.
Gore veproi drejt, por bazuar në debatin e fundit televiziv, ku Trump-i u deklarua se mund të mos e pranoj rezultatin e zgjedhjeve nëse i humb ato, atëherë mendoj se as “vota e lëkundur e Kevin Costner” nuk do ta ndihmoj këtë proces.
*Autori është magjistër i shkencave juridike, e njëherësh autor i librit, “Zgjedhjet Presidenciale në SHBA – në rrugën e kontinuitetit apo ndryshimit të këtij sistemi elektoral”