Fëmijët e vegjël janë të pafajshëm. Si pasojë, ata nuk janë në gjendje të dallojnë informacione të ndryshme që ata marrin – se çka është e drejtë për të bërë publike dhe çfarë duhet të mbahet private.
Në rrjedhën e zhvillimit të tyre ata mësojnë lirinë e veprimit, por gjersa ta arrijnë, pafajësia e tyre e këndshme mund të shkaktojë shumë vështirësi dhe siklet për prindërit e tyre. Kjo për shkak se ata lehtë mund të flasin jashtë me të tjerët për çështje familjare që janë delikate dhe private.
Është e rëndësishme që t’u mësojmë fëmijëve për vlerën e jetës private në një moshë të re. Ata duhet të bëhen të vetëdijshëm se disa gjëra janë private dhe duhet të mbahen sekret. Prindërit duhet të jenë vigjilentë dhe t’i mësojnë ata për t’i mbajtur disa gjëra private. Të rriturit nuk duhet t’i diskutojnë disa gjëra para fëmijëve të tyre, veçanërisht problemet që mund të kenë nëna dhe babai.
Edhe duke biseduar në telefon para fëmijëve duhet të kemi kujdes, kur çështja është një çështje private familjare, e cila nuk duhet të bëhet e njohur për publikun e gjerë. Në një moshë shumë të re, fëmijët e vegjël janë thjesht të paaftë të dallojnë midis asaj që është private dhe çfarë nuk është.
Kur fëmija fillon të rritet, një respekt për jetën private duhet të jetë i rrënjosur tek ata. Duhet të kuptojnë konceptin e shtëpisë si një sferë private. Kjo është veçanërisht e rëndësishme, kur fëmijët fillojnë të shkojnë në shkollë. Por si mund të arrihet kjo?
Fëmijët janë të hapur për krahasime vizuale. Për shembull: “Kjo shtëpi që jetojmë na ruan (strehon) nga bota e jashtme. A do të jemi në gjendje të ulemi në të sikur të mos ketë mure? A do të jemi në gjendje për t’u ulur në tryezë dhe të hamë darkën tonë me secilin që na shikon nga jashtë ?”
Në këtë mënyrë, ne mund t’ua prezantojmë (fusim) konceptin e intimitetit në mendjet e tyre dhe t’i inkurajojmë fëmijët tanë të identifikohen me shtëpinë dhe familjen e tyre. Nga kjo pikënisje mund t’i mësojmë fëmijëve në lidhje me nevojën për të mbajtur fort familjen dhe çështjet personale si sekret nga publiku i përgjithshëm. Faza tjetër është të ndihmohet fëmija, që të zhvillojë një kuptim të plotë të intimitetit dhe dimensionet e tij praktike. Kjo fillon duke e mësuar fëmijën për të kërkuar leje para se të hyjë në ndonjë dhomë.
Allahu na urdhëron në Kuran, që t’ia mësojmë këtë porosi fëmijëve tanë: “O ju që besuat, ata që i keni në pronësinë tuaj (shërbëtorët) dhe ata që nuk kanë arritur moshën e pjekurisë duhet të kërkojnë leje prej jush (për të hyrë te ju) në tri kohë: para namazit të sabahut, në kohën e drekës kur i hiqni rrobat tuaja (për të pushuar) dhe pas namazit të jacisë, që të tria këto kohë janë kur ju nuk jeni të veshur. Pos atyre tri kohëve nuk është mëkat, as për ju, as për ata të vizitoni njëri-tjetrin. Kështu Allahu ua sqaron argumentet e veta. Allahu është i dijshmi, i urti.” Nur: 58.
Në këtë ajet, Allahu na urdhëron, që t’i mësojnë fëmijët tanë, të cilët nuk e kanë arritur moshën e pjekurisë për të kërkuar leje para se të hyjnë në ndonjë dhomë në tre kohë të ditës. E para, është para faljes së sabahut, kur njerëzit janë në gjumë zakonisht në shtretërit e tyre. E dyta, është në mesditë, ku në shumë kultura njerëzit flenë gjumë pasdreke dhe mund të jenë në dhomat e tyre duke pushuar të zhveshur. Dhe e treta, është gjatë natës, gjithashtu një kohë pushimi dhe gjumi. Këto janë tre kohë, kur një fëmijë mund të eci nëpër dhomat e gjumit të prindërve dhe t’i gjejë prindërit në një situatë të papërshtatshme.
Për shkak të nevojave të fëmijëve të vegjël Kurani i urdhëron vetëm prindërit, që t’i mësojnë ata për të kërkuar leje në këto tre kohë. Kur të rriten duhet të ndjekin mësimet e Islamit për të kërkuar leje në çdo kohë para se të hyjnë në ndonjë dhomë private.
“E kur fëmijët tuaj ta arrijnë moshën e pjekurisë, le të kërkojnë leje (për hyrje), ashtu si kërkuan ata para tyre. Allahu ju shpjegon dispozitat e veta, sepse Ai e di më së miri dhe është më i urti.” Nur: 59.
nga anglishtja: Fitim NUHIU