Rtv Pendimi

TA NJOHIM VETEN DHE BOTËN

Ne nuk duhet të mjaftohemi së lexuari apo së studjuari një libër, qoftë edhe një raft me libra. Neve porositemi që të studiojmë gjithçka ka në tokë dhe nëntokë, gjithçka ka në deti dhe nëndeti, gjithçka ka nëhapësirë deri sa të mbërrijnë mundësitë tona hulumtuese dhe studimore në hapësirat e pafund të Universit.

Për ne dituria duhet me qenë deti pa bregdet sepse ashtu edhe është, s’ka si të jetë ndryshe! Dituria nuk është tunel i ngushtë dhe i errët.

Kur ne bëhemi universal në lexime, atëherë mund të themi se ne jemi dashamir dhe nxënës të dijes. E jo me një gazetë të lexuar “t’i tregojmë botës se ne dimë diçka”! Në fakt ne s’dimë asgjë! Së pari duhet tëdimë se s’dimë asgjë! Ky është hapi i parë drejt diturisë.

Të mos krenohemi me dituritë e pakta dhe shumë modeste që i kemi sepse tjerët kanë shku në Hënë dhe kanë zbritë në të e pak kush po i përmend. Ne me dy-tri gazeta – revista, broshura apo libra të lexuara, qofshin edhe voluminoze, rrahim gjoks para të tjerëve se “dimë shumçka”!

Të kishim qenë të ditur siç na ka hije dhe siç porositemi, nuk do të ishim bishti i botës së quajtur “luan”, por do të ishim timoni kryesor.

Leximi është para se gjithash, por së pari ta lexojmë vetveten, ne jemi më shumë se bibliotekë dhe më shumë se botë në vete. Ta lexojmë gjithashtu librin e quajtur Univers, t’i lexojmë faktet dhe argumentet e Zotit të shpërndara anembanë, ashtu do ta njohim veten tonë.

Fatkeqsisht kohëve të fundit rrjetet sociale kanë krijuar një varësi tek ne dhe “aq jemi trashë”, saqë vazhdojmë të mbajmë dietë ndaj një ushqimi që të mbanë të ngopur në çdo situatë, e që quhet libër, dritare ku mund ta shohim gjithë botën; të gjitha ngjyrat e llojllojshme, të gjitha bukuritë e larmishme, të gjitha zërat e ëmbël, të gjitha gjuhët e vjetra dhe të reja, të gjitha rolet, pozitat dhe statuset që i gëzojnë njerëzit, të gjitha vlerat që i disponojnë, të gjitha diversitetet e ndryshme, botën shpirtërore, materiale, mendore, bimore, shtazore, tokësore, ujore, hapësinore, prej atomit më të vogël e deri te planetet më gjigande.

Deri te ai planeti që u zbulu kohëve të fundit se për t’u sjellë një herë rreth vetvetes i duhen 8000 vite. Pse jo, të mësojmë edhe përtej këtij planeti!

Ta studiojmë kohën e shtrenjt sepse ajo është si shpata, po s’preve me të në luftë, të pret ajo ty. Sekondi shumë i shtrenjt, i ndarë nga shkenctarët në dy bilionë pjesë dhe në një pjesë prej dy bilionë pjesëve të sekondit kanë arritë me pa materien se si po lëvizë.

Merre vesh tash ti dhe unë se ku jemi, e pastaj të shohim se a kemi drejtë të ankohemi për prapambeturi. Mos ta akuzojmë askënd, mos t’ia drejtojmë gishtin askujt pos vetvetes.

Karavani i të tjerëve po ec, vetëm ne vazhdojmë ta mbajmë llambën e fikur. Pse të fikur, Nikola Tesla a vetëm për ata e kishte zbulu rrymën elektrike apo edhe për ne?

“Lexo! Se Zoti yt është më Bujari!” (96:3)

Autor: Labinot Kunushevci

 

 

 

TË NGJAJSHME