Vegim Rashiti
Pa dyshim ky titull nuk është në rregull gjuhësisht ngase mentaliteti nuk pastrohet por ndryshohet. Në fakt, ky shkrim ka të bëjë me aksionin e ndërmarrë disa ditë më parë për pastrimin e ambientit “Ta pastrojmë Kosovën”. Ky aksion kishte filluar vite më parë vetëm me pastrimin e Prishtinës, ndërsa sivjet arriti kulmin duke u organizuar jo vetëm në Kryeqytet, por në gjithë Kosovën. Madje aksionit iu bë një marketing i kënaqshëm dhe gëzoi një përkrahje të madhe anembanë vendit.
Megjithëse me një mot jo shumë të përshtatshëm, herë herë me shi, aksioni filloi dhe mbaroi si është më së miri. Përveç qytetarëve, aksionin e mbështetën edhe politikanët, Institucionet Ndërkombëtare si KFOR-i e OSCE, e po ashtu edhe kompanitë dhe bizneset më të mëdha të cilët sakrifikuan biznesin dhe punën e tyre për ta mbështetur me gjithë fuqinë pastrimin e Kosovës.
Natyrisht kur flasim për një pastrim të mirëfilltë të vendit, nevojitet një punë akoma më e madhe si pastrimi i lumenjve, vendosja e filtrave të tymit për ndotësit e mëdhenj si KEK-u, Feronikeli etj., që më shumë është punë Institucionale. Megjithatë qëllimi sadopak u arrit, rrugët u pastruan nga mbeturinat e hedhura vend e pavend dhe qyteti mori një pamje më të mirë, po flas për Prishtinën.
Por ajo që bie në sy vetëm disa ditë pas pastrimit është se qyteti sërish ka filluar të mbushet me mbeturina dhe sikur qytetarët iu kthyen menjëherë vesit të vjetër për hedhjen e mbeturinave. Duket se hedhja e mbeturinave nga dera e lokalit, hedhja e cigareve nga dritarja e veturës gjatë vozitjes, e ndonjëherë edhe hedhja e mbeturinave nga tarraca e banesave janë dukuri të pashmangshme në vendin tonë. Madje të gjitha këto ndodhin jo më larg banesës në të cilën jetoj pranë qendrës së Prishtinës.
Jo rrallë herë ndodhë që në mungesë të shportave të mbeturinave, qytetarët i hedhin mbeturinat në ndonjë hapësirë që vetë e kanë caktuar dhe më pas ai vend shndërrohet në një “deponi” të madhe mbeturinash, duke e dëmtuar rëndë ambientin. Këto vese dhe dukuri, vënë në pikëpyetje të madhe mundin e madh dhe efektin e këtyre aksioneve pastruese. Në fakt, më shumë se kaq, vërehet nevoja për fushata vetëdijesuese dhe edukative, sepse nuk mund të pastrohet një ditë në vit, e më pas për 364 ditë të tjera të vitit të vazhdohet me hedhje të mbeturinave. Pa dyshim, kështu nuk mund të cilësohen të gjithë qytetarët, por tek një numër i konsiderueshëm, hedhja e mbeturinave ka të bëjë me edukatën dhe kulturën e vetë qytetarëve.
Është paradoksale se si disa shqiptarë mund të jenë shumë të suksesshëm, të edukuar e të disiplinuar në vendet perëndimore në të cilat jetojnë, mirëpo në momentin që vijnë për t’i kaluar pushimet në Kosovë, kjo kulturë, edukatë dhe disiplinë sikur përnjëherë zhduket dhe bëjnë gjëra të cilat në Europë kurrë nuk do t’i kishin bërë. Këta njerëz sikur kanë dy kultura të ndryshme, të edukuar dhe të disiplinuar në vendet evropiane ndërsa të paedukuar e të padisiplinuar kur vijnë për pushime në Kosovë.
Për përmirësimin e kësaj gjendjeje ka shumë hapa për t’u ndërmarrë si vendosja e më shumë shportave për hedhjen e mbeturinave në qytet, angazhimi i më shumë kompanive për pastrimin e qytetit, por mbi të gjitha është nevoja e ndryshimit të këtij mentaliteti që vazhdon të jetë faktori kryesor dhe më i madh i dëmtimit të ambientit!