Ministrat e Jashtëm të Bashkimit Evropian (BE) u takuan në Bruksel për të diskutuar zhvillimet në lidhje me sulmin e mundshëm të Rusisë ndaj Ukrainës, reagimin ndaj tij dhe situatën e fundit në negociata, transmeton Anadolu Agency (AA).
Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Marrëdhëniet me Jashtë dhe Politikën e Sigurisë, Josep Borrell, në hyrje të takimit tha se agjenda kryesore do të jetë Rusia dhe Ukraina.
Duke thënë se BE-ja do të vazhdojë të punojë për të përcaktuar qëndrimin e saj kundër Rusisë, Borrell theksoi se Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, do të marrë pjesë në takim përmes video-konferencës, ku do të japë informacion për negociatat me Rusinë dhe do të dëgjojë pikëpamjet e BE-së dhe vendeve anëtare.
– Siria
Borrell deklaroi se Siria do të jetë gjithashtu ndër pikat e rëndësishme, ku tha se: “Ka një luftë të harruar në Siri dhe ne duhet të mendojmë për të”.
Në takim do të marrë pjesë edhe i dërguari i posaçëm i Kombeve të Bashkuara (OKB) për Sirinë, Geir O. Pedersen.
Ndërkohë që prej 21 muajsh nuk ka asnjë ndryshim në vijën e frontit në Siri, BE-ja ka përfshirë në agjendën e takimit edhe çështjen e Sirisë, pasi është futur një ngërç për zgjidhjen politike në kuadër të rezolutës 2254 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së.
Normalizimi i disa vendeve arabe me regjimin e Bashar al-Asadit ka tërhequr vëmendjen edhe të BE-së. BE-ja thekson se qëndrimi i saj nuk ka ndryshuar dhe se “çështjet e normalizimit, heqjes së sanksioneve dhe rindërtimit nuk mund të diskutohen derisa të ketë një tranzicion politik”.
– Libia
Ministrat e Jashtëm të BE-së do të diskutojnë edhe për zgjedhjet në Libi, të cilat ishin planifikuar të mbaheshin sot pas 8 viteve, por nuk mund të mbaheshin. Palët do të diskutojnë çështjet e mbajtjes së zgjedhjeve në Libi dhe largimin e fuqive të huaja nga vendi.
Ministrat pritet të diskutojnë gjithashtu situatën në lidhje me Malin, Sudanin dhe rajonin Indo-Paqësor.