Ligjet e Islamit i përfshinë të gjitha anët e jetës dhe çështjet e saj dhe e sistematizojnë çdo gjë që i del përpara njeriut nga lindja e deri në vdekje. Feja e cila synon të ngrit një umet, i cili në vete përmban mesazh që ajo të mbetet udhëheqëse dhe e vlefshme për çdo vend dhe kohë, nuk lejon të ketë hapësirë, por atë vetëm se e plotëson dhe e rregullon me dispozita dhe rregulla.
Prandaj s’është për të çuditur që udhëzimet islame dhe dispozitat ligjore të ndërhynë në rregullimin e shoqërisë, në çështjet e mëdha apo të vogla të saj, në individin apo shoqërinë e saj apo më mirë të themi në të gjitha çështjet e saj. Librat islame sot e kësaj dite vazhdojnë t’i cekin dispozitat sa i përket të kuptuarit e jetës, problemeve të njerëzve dhe politikës së shoqërisë edhe atë duke i shoqëruar ato me shembuj praktik të gjallë nga historia islame.
Dukshmëria e përsosmërisë dhe madhështisë së urtësive dhe dispozitave të kësaj feje sa i përket etikës së rrugës, ndejës nëpër tregje apo etikës së xhematit, e kështu me radhë më së miri qartësohen nga Kur’ani e Suneti dhe gjurmët e dijetarëve.
Allahu i Madhëruar thotë: “Robërit e të Gjithëmëshirshmit janë ata që ecin thjesht nëpër Tokë dhe, kur të paditurit i sulmojnë me fjalë, ata përgjigjen: “Paqe qoftë!”. (El-Furkan: 63); “dhe, kur dëgjojnë ndonjë marrëzi, i shmangen asaj, duke thënë: “Ne kemi veprat tona, ndërsa ju keni veprat tuaja! Paqja qoftë me ju! Ne nuk duam shoqëri me të paditurit”. (El-Kasas: 55); “Mos shko pas diçkaje për të cilën nuk ke dijeni. Vërtet, dëgjimi, shikimi dhe zemra, të gjithë këta do të merren në përgjegjësi. Mos ec nëpër tokë me mendjemadhësi, se ti, në të vërtetë, nuk mund ta çash tokën e as të arrish lartësinë e maleve”. (El-Isra: 36-37)
Kurse në Sunetin e të Dërguarit të Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, përcillet të ketë thënë: “Kini mendjen! Ruhuni nga të ulurit në rrugë!”. Njerëzit i thanë: “Nuk kemi zgjidhje tjetër pasi ato janë vendet ku mblidhemi dhe bisedojmë.” Pejgamberi, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, u tha: “Në qoftë se duhet patjetër të uleni atje, atëherë përmbajuni të drejtave të rrugës.” E pyetën përsëri: “Cilat janë të drejtat e rrugës?” Ai u tha: “Ulja e shikimit (që të mos vështrosh çfarë është e ndaluar për t’u parë), përmbajtja për të mos i lënduar njerëzit, kthimi i përshëndetjes, urdhërimi i së mirës dhe ndalimi i së keqes.”
Me një hadith tjetër të cilin e shënojnë dijetarët e hadithit ceket se i Dërguari i Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, nga dyert e mirësisë e ka numëruar: “Buzëqeshja jote në fytyrën e vëllait tënd është lëmoshë, urdhërimi për mirë dhe ndalimi nga e keqja është lëmoshë, udhëzimi që ia jep njeriut që ka humbur rrugën është lëmoshë, heqja e pengesës, e gjembave dhe e eshtrave nga rruga është lëmoshë dhe hedhja e ujit nga kova jote në kovën e vëllait tënd është lëmoshë”.
Burimet e sigurta të sheriatit janë të stërmbushura me citate të këtij llojit ku në to vërtetohen këto të drejta dhe udhëzojnë kah etika e tyre.
Pra, robërit e Allahut janë më të mirët në mesin e njerëzve, ecin thjesht nëpër tokë, pa mendjemadhësi dhe vetëpëlqim, ecje që aludon në personalitet të matur dhe shpirt të qetë, ecje që nuk e dëmton askënd nga robërit e Allahut, ecje e mëshirës për ta, ecje që nuk ia tërheqë vërejtjen askujt për të keq, kur është i shoqëruar nga të tjerët nuk u del atyre përpara që të tjerët të ecin pas tij dhe nuk i lenë të tjerët të ecin e ai të jetë i hipur në mjet transporti.
Kurse sa i përket uljes së zërit, ajo është cilësi e njerëzve me moral të lartë e sidomos gjatë ecjes nëpër rrugë. Etika e të folurit në rrugë është titulli i besimit në vetveten dhe të folurit të drejtë dhe argumentit të fortë. Atë e shoqëron urtësia e butësia, largimi nga fjalët e fëlliqura dhe të pahijshme. Besimtari nuk e ngrit zërin e tij pa nevojë, tenton që gjithmonë ta flet të vërtetën dhe ta argumenton të drejtën, edhe atë me fjalë të buta dhe të urta.
Ulja e shikimit është e drejtë që duhet t’ia jep kalimtari dhe ata që rrinë ulur rrugës. Me uljen e shikimit mbrohet nderi dhe të metat e tyre. Shikimi është adresa e gjynaheve dhe për këtë arsye nëse e vëren se nëpër tregje dhe rrugë ndonjëri shikimin e tij e drejton kah harami, atëherë dije se epshi do të fillojë të reagojë dhe të pasohet me fjalë dhe shenja vrasëse dhe shkatërruese për fenë dhe turpin e tij.
Largimi i pengesave nga rruga është një ndër të drejtat më të dalluara të rrugës. Pengesë është fjalë e përgjithshme për çdo send çka i pengon muslimanët nga fjalët dhe veprat. I Dërguari i Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, thotë: “E pash një njeri duke u dëfryer në Xhenet për shkak se kishte prerë një dru që i pengonte njerëzve në rrugë”.
Kur kërkoi Ebu Berzeh, Allahu qoftë i kënaqur me të, nga i Dërguari i Allahut që t’i mëson diçka që mundet të përfiton nga ajo, i tha: “Mos i pengo muslimanët në rrugë”.
Në një transmetim tjetër: “Duke ecur rrugës një njeri e gjen një degë të ferrës në rrugë dhe e largon. Allahu e falënderoi atë dhe ia fali mëkatet”.
Nëse ky është shpërblimi i atyre që i largojnë pengesat nga rruga atëherë si është dënimi i atyre që me qëllim i dëmtojnë dhe i pengojnë njerëzit nëpër rrugë dhe në ndejat e tyre dhe hedhin mbeturina nëpër parqe dhe vende të pushimit dhe të hijes.
I Dërguari i Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, ka thënë: “Kush i pengon dhe dëmton muslimanët nëpër rrugët e tyre, mbi të detyrohet mallkimi i tyre”.
Në një hadith tjetër i Dërguari i Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, thotë: “Ruajuni nga dy gjëra të mallkuara (që nëse njeriu i bën ato është i mallkuar)”. Të pranishmit i thanë: Cilat janë ato dy gjëra, o i Dërguar i Allahut? Pejgamberi, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, tha: “Ai i cili kryen nevojën në ndonjë rrugë të njerëzve apo në ndonjë hije të tyre (hije nën të cilën pushojnë njerëzit)”.
Kurse sa i përket përhapjes së selamit, dhënia dhe kthimi i tij trashëgon dashuri në zemra, mbjell afrim në shpirtra, lan urrejtjet, largon zilitë, fitohet nëpërmjet tij kënaqësia e Allahut dhe falja e Tij. Në një hadith përcillet se i Dërguari i Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, ka thënë. “Betohem në Zotin se nuk do të hyni në Xhenet pa besuar; nuk do të besoni plotësisht pa e dashur njëri-tjetrin. Doni t’ju tregoj diçka që nëse e bëni do ta doni njëri-tjetrin? – Shpërndajeni selamin (përshëndetjen) në mesin tuaj!”
Udhëzimi i atij njeriut që e ka humbur udhën duhet të jetë me fjalë të buta e të mira, e jo fjalë të ashpra e vulgare, me buzëqeshje në fytyrë e cila padyshim se është edhe lëmoshë.
Ndihmesa e atij që i bart sendet duke ia bartur apo duke ia ngritur ato është lëmoshë. Ajo duhet të jetë në mënyrë sa më të mirë dhe duke mos e dëmtuar askënd përreth.
Ka nga njerëzit që rrugët i marrin si vend për shitblerje apo ka nga ata që edhe ulen në karrige që tërë ditën t’i përcjellin të metat e njerëzve dhe t’i cenojnë të tjerët në nder e t’i përgojojnë dhe fjalë të bartin pa pasur aspak turp e moral. Nuk duhet t’u lejohet këtij lloji të njerëzve që rrugët t’i marrin vende ku bëhen harame apo shikohet në të haram.
Nga këto lloje të ndejave dhe mexhliseve ikin dhe largohen njerëzit e devotshëm dhe të moralshëm kurse i afrohen të ligtit dhe të pamoralshmit.
O ju besimtar, përmendja e tepërt e Allahut i shton mirësitë dhe e ndihmon robin në adhurime dhe e përforcon atë dhe e mbron shpirtin nga shejtani.
Ka ardhur me një hadith se i Dërguari i Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, ka thënë: “Kush thotë kur të del nga shtëpia e tij: “Bismilah tevekeltu ala Allah ue la haule ue la kuvete ila bil-lah – Me emrin e Allahut, në Allahun u mbështeta, nuk ka ndryshim e as forcë pa ndihmën e Allahut”, i thuhet atij: Kjo të mjafton dhe ti u mbrojte dhe largohet shejtani nga ai”.
Muslimani nuk duhet të neglizhon duanë e daljes nga shtëpia: “Allahume ini eudhu bike en edil-le ev udal, ev ezil-le ev uzel-le, ev adhlime ev udhleme, ev exh-hele ev jush-hele alej’je – O Allahu im, kërkoj mbrojtje tek Ti, që të mos devijojë e as të tjerët të më devijojnë, që të mos i poshtërojë të tjerët e as të mos poshtërojnë mua, të mos bëj padrejtësi e as të mos më bëjnë mua padrejtësi, të mos i shpërfillë të tjerët e as të më shpërfillin mua”.
Gruaja nëse ka nevojë të del nga shtëpia e saj duhet të del e mbuluar, e turpëruar dhe mos të bën lëvizje që bien në sy të burrave gjatë ecjes së saj, mos të del e parfumuar dhe e lyer dhe pasi që ta kryen nevojën e saj të kthehet sa më shpejt në shtëpinë e saj: “Thuaju besimtareve që të ulin shikimet e tyre (nga e ndaluara), ta ruajnë nderin e tyre (nga marrëdhëniet e jashtëligjshme) dhe të mos i shfaqin stolitë e tyre, përveç atyre që janë të dukshme. Le t’i mbulojnë kraharorët me mbulesat e tyre (të kokës) dhe të mos ua shfaqin stolitë e tyre”. (En-Nur: 31)
O muslimanë, frikojuni Allahut dhe kapuni për etikën e fesë së juaj dhe respektoni dhe ruani të drejta e vëllezërve të juaj.
Allahu i Madhëruar thotë: “O djali im, kryeje namazin, urdhëroje të mirën, pengoje të keqen dhe bëhu i durueshëm për çfarëdo që të godet! Me të vërtetë, ky është thelbi i patundur i të gjitha punëve! Mos i trajto njerëzit me nënçmim dhe mos ec në tokë me mendjemadhësi, se Allahu nuk i do mendjemëdhenjtë e mburracakët! Ec me kujdes e i përmbajtur dhe fol me zë të ulët; se zëri më i vrazhdë është zëri i gomarit”. (Lukman: 17-19)
Shejh Dr. Salih Humejd
Nga arabishtja: Irfan JAHIU