Të humburit përshëndesin Hitlerin

Sulejman Rexhepi

“Pas Aushvicit, bile edhe të shkruarit poezi quhet diçka barbare” (Teodor Adorn, filozof gjerman)

Opinioni ynë së fundmi dëgjoi se Holokausti qenka trillim, pra hebrenjtë paskan qenë rehat gjatë luftës së Dytë Botërore. Njëkohësisht, në megafonin e njeriut të vogël që është i fascinuar me kryqa të mëdhenjë, u pa qartë simboli fashist “ss1488”. Heshtje mortore. Askush, gati askush nuk reagoi.

Në këtë vend të stërmbushur me gënjeshtra dhe retushime të historisë, me ndryshime identitetesh, me përvetësime personalitetesh, me fasadimin e objekteve të komunizmit që brenda nate po shndërrohen në “gjurmë lashtësie”, si duket as “ringjallja” e fashizmit nuk po paraqet ndonjë shqetësim.

Jemi mësuar me çdo gjë, turlifarë pisllëku i është servuar shqisave tona, gjithkush dhe gjithëçka është sharë dhe është denigruar, çdokujt i është veshur nga një bagazh trillimesh. Pse pra të mos ndryshojmë faktet, pse të mos madhërojmë ideologjitë e urrejtjes dhe diskriminimit? Pse, kur asnjë ligj nuk merret me keqpërdoruesit dhe nxitësit e konflikteve. Nëse te ne sillen ligje që i falin pedofilët dhe manipuluesit e zgjedhjeve, kush do ta pengojë sjelljen e iligjeve që i falin propaganduesit e fashizmit?

po vazhdon ëndra

 

Janë të njohura divergjencat mes muslimanëve dhe hebrenjëve, ato janë shekullore dhe nevoitet shumë vullnet i ndërsjellë për të ndryshuar gjërat. Por, të gjitha divergjencat e kësaj bote nuk mund të më pengojnë të them të vërtetën, nuk mund të më detyrojnë të hesht përpara shtrembërimit të fakteve lidhur me zhdukjen dhe likuidimin masiv të njerëzve, siç ishte Holokausti. Nuk mund të më pengojnë edhe pse jam i trishtuar që ushtria e një populli, i cili ka qenë buzë eliminimit të tërësishëm përmes brutalitetit të pa parë ndonjë herë, shpesh përdorë brutalitet ndaj fqinjëve të vetë.

Faktet, dokumente dhe dëshmitë, jo llafet, thonë se antisemitizmi dhe zhdukja e Hebrenjëve kanë qenë themeli i ideologjisë naziste.” Endlösung der Judenfrage”( Zgjidhja përfundimtare e çështjes së hebrenjëve), quhet politika zyrtare naziste ndaj hebrenjëve që filloi të zbatohet nga konferenca në Wansee në vitin 1942, me mbikqyrjen e drejtëpërdrejtë të Adolf Eichman.

Hollokausti ka pasur forma të ndryshme, por kampet për shfarosjen e hebrenjëve si Aushvic dhe Aushvic Birkenau, Treblinka e shumë të tjera në të cilat me gazin Ciklon B u zhdukën me miliona njerëz, sa të jetë jeta mbeten vrragë në mbamendjen e njerëzimit. Të mohosh një gjë të këtillë është jo njerëzore, siç është jo njerëzore të ekspozohesh publikisht me simbolinss 1488 duke kërkuar ndërtimin e kryqave gjigandë.

Sidoqoftë, objektiv i nazizmit ishte ndërtimi i një shteti të ri dhe formimi i një njeriu të ri sepse njerëzimi qenkësh ndotur nga përzierjet racore dhe gjenetike.

A thua Maqedonia e vockël që është zhytur në ëndrrën antike mund të vazhdojë edhe me ëndrrën e pastrimit të racës e të gjeneve? A thua dikush këtu po ëndëron “ unitetin e kombit duke e siguruar pastërtinë e gjakut të bashkësisë”?

Fashizmi është antiliberal, antidemokrat dhe autoritar. Duke nxitur nacionalizmin, racizmin dhe antisemitizmin, ai i shenjon pjesëtarët e popujve që janë më të paktë si fajtorë kujdestarë për çdo lloj krize që paraqitet në shoqëri. Ideologjia fashiste propagon që dhunshëm të eliminohet çdo botëkuptim tjetërfarësh, të gjitha dallimet kulturore, fetare e politike.

Kuptohet, ky nuk është një aludim, është vetëm një përkujtim.

Këtu banon oportunizmi

Me që po flasim për fashizmin dhe përvjedhjet e tij në opinionin tonë, po përkujtoj çfarë ka thënë Adolf HitlerMein Kampf: Me propagandë mjeshtërore e të vazhdueshme, qiellin mund t’ ua prezentosh njerëzve si xhenem, kurse jetën më të mjerueshme si xhenet.

E pra, paraqitja e simboleve të fashizmit dhe mohimi i Holokaustit nga disa individë nëpër disa media, a nuk është propagandë? A nuk po përpiqet dikush t’ua përziej konceptet për xhehenemin dhe xhenetin njerëzve që edhe ashtu janë të lodhur e të zhgënjyer nga çdo gjë?

Stërngopja nga informatat e panumërta që po arrijnë nga çdo anë, po bëjnë që njerëzit të cilët i janë ekspozuar këtij presioni të absorbojnë porositë pa analizuar dhe pa ua kërkuar paraprakisht psenë. Po krijohet një situatë tamam çfarë ju përshtatet propaganduesve dinakë, situatë në të cilën po shmanget të menduarit racional. Po realizohet dëshira e tyre që ta dërgojnë porosinë të cilën do ta pranojnë ata që janë të lodhur nga bombardimi i pa kontrolluar medial, kurse ata që e e kuptojnë prapavinë – do të heshtin.

Dhe, po heshtin të gjithë ata që do duhej të ishin të zëshëm në këtë situatë. Ashtu siç po heshtin përpara bombave të kurdisura nëpër Turqi që s’dallojnë fare nga Charly Hebdo dhe nga Parisi, ashtu po heshtin përpara shushuritjeve fashiste.

Sinqerisht, kam pritur reagimin e fuqishëm, ta zëmë të bashkësive fetare të cilat do duhej të jenë istikami i parë në të cilin do jenë të vendosur luftëtarët kundër të keqes së përgjithshme. Arsyetimi i vazhdueshëm se “bashkësitë fetare nuk përzihen në politikë” nuk vlenë dhe është qesharak në këto situata. Dukuritë për të cilat fola duhet posaçërisht të luftohen pa kompromis dhe pa pardon, sepse e cënojnë rëndë vetë ekzistencën e njeriut.

Nuk e di pse, por kam një bindje se në opinionin publik të Maqedonisë do të ndodhte hataja nëse ndonjë folës në megafonin e tij do të vente simbolin e ISIL ose do të mohonte krimet që ka bërë kjo organizatë. Çfarë do të arrijmë nëse edhe qasjet tona ndaj të keqes janë selektive, nuk mund të them me saktësi por e di se asgjë e mirë nuk mund të del nga kjo.

A po banon këtu oportunizmi? Po, po banon dhe bile ka lëshuar rrënjë!