Sulmet terroriste në vende publike janë shtuar ndërsa organizatorët e veprimtarive të mëdha janë gjithnjë në kërkim të metodave për të përmirësuar masat e sigurisë.
Shtimi i kamerave të sigurisë është diçka e lehtë ndërsa monitorimi i filmimeve të tyre kërkon një numër të madh individësh.
Gjiganti japonez teknologjik Hitachi, thotë se inteligjenca artificiale mund të ndihmojë në zbulimin e aktiviteteve të dyshimta.
Gjetja dhe ndjekja e një individi që lëviz mes turmave të mëdha duke parë pamje filmike të regjistruara, kërkon përpunim të shpejtë të të dhënave duke analizuar një sërë faktorësh si gjinia, veshja, mënyra e të ecurit apo sendet që objekti ka me vete.
Më mirë se njerëzit këtë e bëjnë pajisjet elektronike inteligjente, e citon Zëri i A|merikës Tomokazu Murakami, që është hulumtues me firmën Hitachi.
“Analizimi i pamjeve filmike kërkon burime të shumta njerëzore. Ky program kompjuterik inteligjent jep shpresa pikërisht për kryerjen e këtyre funksioneve.”
I zhvilluar nga Hitachi, sistemi mund të ndjekë trajektoret e individëve, të numërojë njerëzit si dhe të parashikojë se në çfarë vendi turma mund të bllokohet.
Programi mund të skanojë me shpejtësi dhe ruajë fotot dhe sjelljet karakteristike për çdo individ, në çdo moment, mund të kuptojë nëse një njeri është i ulur, po vrapon, flet në telefon apo mban çantë në dorë.
Personeli i sigurisë nuk ka nevojë të shikojë të gjitha ekranet, ndërsa sistemi përpunon 36 milionë imazhe në sekondë dhe jep alarmin për veprime të dyshimta.
“Në Japoni po shtohet kërkesa për këtë teknologji si rezultat i Lojrave Olimpike të vitit 2020 në Tokio. Ne po e ndërtojmë teknologjinë për përdorime të ndryshme si në stacionet e trenit, në stadiume dhe qendrat tregtare, thotë zoti Murakami me firmën Hitachi.
Hulumtuesit theksojnë se sistemi është ndërtuar jo vetëm të vëzhgojë për probleme të mundshme por edhe për situata të tjera emergjente si është rasti kur një individ ka nevojë për ndihmë mjekësore apo kur një fëmijë ka humbur.