Pas ankesave të shumta nga përdoruesit se iPhonët e vjetër me bateritë me kapacitet të ulët ishin duke u ngadalësuar gjatë punës, Apple zyrtarisht ka konfirmuar se qëllimisht ngadalësonte telefonat e vjetër me degradimin e baterive pas një periudhe kohore.
Shumica e njerëzve janë duke pyetur nëse edhe prodhuesit e tjerë të smartfonëve kanë vepruar njëjtë, transmeton Koha.net. Gjiganti i teknologjisë, Samsung, ka konfirmuar se smartfonët e saj nuk ngadalësohen me bateritë e vjetra.
Samsung, kategorikisht ka thënë se nuk dobësohet performanca e procesorëve përmes përditësimit të softuerit gjatë ciklit jetësor të smartfonit. Ajo ka lëshuar një deklaratë për shtyp, në të cilin thuhet:
“Cilësia e produktit ka qenë dhe do të jetë gjithmonë prioriteti kryesor i Samsung Mobile. Ne ju sigurojmë jetëgjatësi të gjatë të baterisë së pajisjeve mobile të Samsungut përmes masave shumë-shtresore të sigurisë, të cilat përfshijnë algoritmet e softuerit që rregullojnë karikimin aktual të baterisë dhe kohën e karikimit të baterisë. Ne nuk e dobësojmë performancën e procesorit përmes përditësimeve të softuerit gjatë ciklit jetësor të telefonit”, përcjell Koha.net.