Një raport i ri që vjen nga Business Korea sugjeron se telefonat e mençur që lakohen mund të futen në treg që prej vitit të ardhshëm.
Për publikimin foli një zyrtar i paidentifikuar i Samsung, i cili tha “industria beson se komercializimi i telefonave të mençur që lakohen do të jetë i mundur në vitin 2016.”
Shumë kompani të teknologjisë duke përfshirë edhe Samsung kanë prezantuar modele të telefonave të mençur që lakohen në të kaluarën.
Me modelet e reja si LG G Flex 2 dhe Samsung Galaxy S6 Edge kohët e fundit kjo mundësi teknologjike është vënë në praktikë, pasi që telefonat e tillë janë një objektiv tjetër i prodhuesve të mëdhenj botëror.
Paramendoni se sa mirë do të ishte që madhësia e ekranit të fabletit tuaj të mos ishte problem, dhe që i njëjti ta kishte edhe opsionin për tu paluar në xhep për të zënë sa më pak vend.
Bashkë me teknologjinë e ekraneve që palohen, i njëjti raport pretendon gjithashtu se ekranet transparente po vijnë dhe do ti shohim në modelet e reja të telefonave të mençur.
Telefonat e mençur që lakohen dhe ekranet e tyre transparente janë sigurisht një koncept inovativ, por a do të thotë kjo se të njëjtit do të jenë shumë të shtrenjtë dhe të papërballueshëm për nga kostoja?
Për këtë, duhet të presim dhe të shohim se si do të zhvillohet teknologjia në vitet e ardhshme. (Telegrafi)