Rtv Pendimi

Teologia Vaxhide Podvorica-Bunjaku flet për rëndësinë e muajit të Ramazanit, sakrificën, dobitë, si dhe veprimet që e prishin agjërimin

Teologia Vaxhide Podvorica-Bunjaku flet për rëndësinë e muajit të Ramazanit, sakrificën, dobitë, si dhe veprimet që e prishin agjërimin

Tash e dhjetë ditë besimtarët myslimanë në Kosovë janë duke agjëruar. Agjërimi nënkupton vetëpërmbajtjen e besimtarëve myslimanë nga ushqimet, pijet dhe marrëdhëniet seksuale, dhe gjërave të tjera të ndaluara në Islam.

Agjërimi është një nga pesë shtyllat e Islamit dhe zgjatë nga agimi deri në perëndimin e diellit.

Teologia, Vaxhide Podvorica – Bunjaku në një intervistë për Telegrafin ka folur për rëndësinë e muajit të Ramazanit, sakrificat dhe dobitë gjatë këtij muaji.

Gjithashtu, teologia gjatë intervistës ka përmendur edhe gjërat që e prishin agjërimin.

“Çdo vepër e ka rëndësinë e vet, por edhe ramazani e ka rëndësinë dhe dobitë që vetë Allah-u ka treguar. Njëra më kryesoret është që njeriun e bënë më të devotshëm, përmes agjërimit njeriu arrin kënaqësinë e Allahu-t është më afër Allahu-t, është më afër vetvetes, është më afër nevojtarëve. Është një lloj ndjenje që të jep vetë agjërimi, kemi ajetin kuranor ku Allah-u thotë se ‘o ju që keni besuar, agjërimi u është bërë obligim, sikurse ishte obligim edhe për ata që ishin para jush, në mënyrë që të bëheni më të devotshëm’. D.m.th nga ky ajet kuranor kuptojmë se agjërimi ka qenë edhe me herët para ardhjes së islamit, në mënyrat e tyre e që nga kjo kuptojmë se esenca për të sakrifikuar dhe për të bërë mirë, dhe për t’u afruar afër Allah-ut ka qenë çdo herë”, ka thënë ajo.

Vaxhide Podvorica tregon se agjërimi na jep rëndësi dhe vlerë në jetën.

“Njeriu i cili është duke agjëruar është më afër vetës, i ndjen nevojat për të tjerët, e bën të jetë më solidar për ata që kanë nevojë”, është shprehur ajo.

Duke folur për muajin e Ramazanit, ajo bëri të ditur se për gjatë këtij muaji Bashkësia Islame mbanë aktivitete të ndryshme nëpër komuna.

“Bashkësia Islame qysh prej themelit të departamentit të gruas është përkrahëse e aktiviteteve që janë në kuadër të departamentit që i takojnë grave, normal që gjatë Ramazanit rriten aktivitetet më shumë se muajve tjerë. Ne si departament i kemi aktivitetet tona që i bëjmë gjatë muajit të ramazanit, por tash për shkak të pandemisë janë pak më të reduktuara. Mirëpo, çdo herë BIK ka qenë përkrahëse, kemi aktivitetet po thuajse në të gjitha komunat e Kosovës. Ne i kemi aktivistet tona në ato komuna, dhe bëjmë aktivitete me ligjërata, iftare, takime, aq sa kërkohet nga masa”, shtoi ajo.

Podvorica – Bunjaku ndër të tjera tha se nga agjërimi njeriu ka përfitime të shumta.

“Me agjërim njeriu përfiton si nga çështja trupore, ashtu edhe nga ajo shpirtërore dhe fizike. Të çështja trupore, njeriu përmes agjërimit e pastron trupin, sepse të qëndrosh agjërueshëm për një kohë të gjatë,kjo është një lloj pastrimi kështu që kjo ka të bëjë edhe me mjekësinë. Agjërimi të pastron shpirtërisht, kur njeriu është agjërushëm bën të jetë më i dobët, dhe kur je i dobët je më afër Allahut”, potencoi ajo.

Po ashtu, ajo foli edhe për agjërimin e grave, duke treguar se kur ato lirohen nga agjërimi.

“Nëse një grua është e shtyrë në moshë dhe nuk ka mundësi të agjërojë, ajo nuk është e obliguar të agjërojë por ta bëjë pagesën për atë agjërim. Po ashtu edhe gratë të cilat kanë mundësi të agjërojnë, në momentin kur ato kanë ciklin mujor nuk kanë të drejtë të agjërojnë, por obligohen ta kompensojnë ato ditë. Kur përfundon muaji i Ramazanit, kur e ndjejnë fuqinë trupore mund t’i kompensojnë si në verë apo dimër. Mirëpo, duhet pasur kujdes që Ramazani tjetër të mos i gjejë pa i kompensuar ato ditë”, tha ajo.

Ajo bëri të ditur se pagesa për ata që nuk agjërojnë duhet të bëhet për të paguar dy shujta, iftarin dhe syfrin.

“Shuma minimale që duhet të paguajnë ata që nuk mund të agjërojnë është 120 euro”, sqaroi ajo.

Tutje numëroi edhe disa nga gjërat që e prishin agjërimin.

“Marrëdhëniet intime nga syfyri deri në iftar janë të ndaluara rreptësisht, nëse dikush ndodhë që bën veprime të tilla atëherë agjërimin e ka të prishur dhe kërkohet kompensimi i asaj ditë për 60 ditë. Infuzinonet, marrja e gjakut, e prishin agjërimin”.

Kurse, agjërimi nuk prishet nga ngrënia dhe pirja pa qëllim, e po ashtu as marrja e vaksinave dhe dhënia e gjakut për analiza.

Në fund të intervistës, teologia uroi të gjithë besimtarët për muajin agjërimit, duke uruar që lutjet të pranohen nga Allah-u.

“Uroj të gjithë ata që janë duke agjëruar muajin e Ramazanit që Allahu t’ua pranojë agjërimin, ibadetet dhe veprat e mira. Të jemi më afër tij, të jemi më afër vetës dhe të shtrijmë dorën për ata që kanë nevojë”, potencoi ajo.

Ndryshe, Ramazani është muaji i nëntë i kalendarit Islam. Muaji zgjatë 29 ose 30 ditë bazuar në vëzhgimet pamore të hënës së re dhe sipas llogarive të shumta të hartuara në hadithe. Në fund të ramazanit vjen fitër bajrami, apo festa e prishjes së agjërimit.

TË NGJAJSHME