Teprimi me kripë rrit rrezikun nga astma, ekzema dhe MS-ja

Të ushqyerit modern, i pasur me ushqime që përgatiten shpejt që i nënshtrohen mikrovalës ose me ushqim të shpejtë mund të konsiderohet përgjegjës për rritjen e rasteve të sëmundjeve autoimune si skleroza e shumëfishtë, astma ose ekzema, pohojnë ekspertët.

Hulumtuesit gjermanë dhe amerikanë kanë zbuluar ndikimin e ushqimit të shpejtë në zhvillimin e sëmundjeve të përmendura: “Ky studim i pari ka treguar se si konsumimi i tepërt i kripës mund të jetë një nga faktorët, për shkak të të cilëve rritet numri i rasteve të sëmundjeve autoimune”, pohojnë ekspertët e Universitetit Yale dhe Erlangen-Nuremberg. Ata kanë studiuar rolin e qelizave ndihmëse T në trup, të cilat aktivizojnë dhe ndihmojnë qelizat tjera të luftojnë kundër patogjenëve të rrezikshëm (bakteret dhe viruset), përcjellin mediet.

Pasi që këto qeliza i nënshtrohen tretjes së njelmët, sillen në mënyrë më agresive. Minjtë, të cilët janë ushqyer me ushqimet të pasura me kripë kanë pasur rritje të konsiderueshme të numrit të qelizave Th17 në sistemin e tyre nervor, të cilat kanë përshpejtuar inflamacionet në trupin e tyre. Po ashtu këta minj kanë qenë më të prirë për të zhvilluar formën e rëndë të sklerozës së shumëfishtë.

Në nivel molekular, ekspozimi ndaj kripës ka rritur nivelin e citokineve, të cilat lirojnë qelizat Th17 për dhjetë herë (citokinet janë proteina që mundësojnë bartjen e mesazheve në mes qelizave). “Ky zbulim paraqet kontribut të rëndësishëm për të kuptuar sklerozën e shumëfishtë dhe mund të ofrojë synime të reja për shërimin e kësaj sëmundjes për të cilën nuk ka ilaç momentalisht”, ka shpjeguar Ralf Linker, udhëheqës i pjesës gjermane të ekipit hulumtues.

Hapi i ardhshëm i hulumtuesve është të përcaktojnë nëse këto qeliza Th17 kanë ndonjë rol në sëmundjet autoimune që prekin lëkurën.

Sëmundja neurodegjenerative, skleroza e shumëfishtë, kryesisht “sulmon” masën e bardhë të sistemit nervor qendror. Zhvillohet kur imuniteti gabimisht njeh mielinën, e cila rrethon fibrat nervore në tru dhe palce kurrizore si trup të huaj. Imuniteti e largon mielinën nga fibrat nervore, çka ndërpret bartjen e mesazheve në mes trurit dhe pjesës tjetër të trupit, ndërsa rezultat janë problemet me të folurin, shikimin dhe ekuilibrin.

Simptomat më të shpeshta fillestar të MS-së janë reduktimi i shikimit në njërin sy me dhimbje përcjellëse gjatë lëvizjes së syrit, mpirje ose humbje të ndjesive në pjesë të caktuara të trupit, ngathtësi kur kemi gjëra në duar etj, transmeton Koha.net. Skleroza e shumëfishtë nuk diagnostikohet lehtë, por trajtimi i hershëm mund të parandalojë paaftësinë, respektivisht pamundësinë e ecjes për ç’arsye vjen deri te gjysma e të sëmurëve të pashëruar pas 15 vjetësh. /Telegrafi/