- Tërmetet dhe vullkanet, eklipsi i Diellit dhe eklipsi i Hënës, furtunat dhe vërshimet, retë dhe era, nata dhe dita, dielli dhe hëna, të nxehtët dhe të ftohtët, yjet dhe orbita; këto të gjitha janë shenja nga shenjat e Allahut të Madhëruar që aludojnë në njëshmërinë e Tij, në të besuarit në një Zot të vetëm dhe në veprimtarinë e Tij, përjetshmërinë e Tij dhe se Ai është Mbajtësi i gjithçkaje me fuqinë e madhe të Tij, me sundimin dhe drejtimin e përsosur të Tij, në të merituarit e adhurimit vetëm të Tij, të Cilit nuk i përshkruhet ortak dhe se nuk i takon adhurimi askujt tjetër me të drejtë përveç Atij, dhe të gjitha krijesat kanë nevojë për Të, i binden dhe i përulen Atij. Natyra në gjithë këtë nuk ka ndikim, as fuqi dhe çfarëdo që na godet nuk ka mundur të mos na godiste dhe çfarëdo që nuk na ka goditur as që ka mundur të na godiste.
Allahu në disa ajete thotë: “Me të vërtetë, në krijimin e qiejve dhe të Tokës dhe në ndërrimin e natës e të ditës, ka shenja për mendarët…” (Ali Imran: 190)
“Në Tokë ka shenja për ata që besojnë me bindje, po edhe në vetet tuaja – a nuk e shihni vallë?” (Edh-Dharijat: 20-21)
“A nuk e shohin ata mbretërinë e qiejve e të Tokës dhe gjithçka që ka krijuar Allahu, duke menduar se mund t’u jetë afruar fundi?! Në çfarë Shpallje tjetër do të besojnë pas kësaj?!” (El-Earaf: 185)
“Allahut nuk mund t’i shpëtojë asgjë, as në qiej, as në Tokë. Ai është vërtet i Gjithëdijshëm dhe i Fuqishëm për çdo gjë.” (Fatir: 44)
- Allahu i begatoi robërit e Vet me shumë begati dhe njëra begati që ndër to llogaritet e madhe dhe një numër i madh i njerëzve e neglizhojnë është begatia e qëndrueshmërisë së tokës. Allahu thotë: “Allahu është Ai që jua ka bërë Tokën vendbanim e qiellin kulm…” (Gafir: 64)
Dhe po ashtu thotë: “A ka më të mirë se Ai që e ka bërë Tokën të qëndrueshme, ka bërë në të lumenj, ka ngritur në të male dhe ka bërë midis dy deteve pengesë të padukshme?! Vallë, a ka krahas Allahut, zot tjetër?! Jo, por shumica e tyre janë të paditur.” (En-Neml: 61)
D.m.th. që Allahu e bëri Tokën të jetë stabile, të qetë dhe të qëndrueshme, të mos tundet dhe të mos dridhet e shkundet bashkë me banorët e saj. Po të ishte toka jostabile dhe e paqëndrueshme, nuk do të ekzistonte jetesë dhe askush nuk do të dëshironte të jetonte në të, por Allahu me dhuntinë dhe mëshirën e Tij e bëri Tokën të jetë si shtrat dhe si shtrojë e gjerë, e përqendruar dhe që nuk dridhet e shkundet.”[1]
Ashtu siç Allahu thotë: “Ai ka vendosur male të palëvizshme në Tokë, që ajo të mos tundet bashkë me ju dhe ka krijuar lumenj e rrugë për të arritur aty ku synoni.” (En-Nahl: 15)
- Në dridhjen e tokës apo në tërmete, që me to Allahu i provon robërit e Tij, ka mësim dhe rikujtim për krijesat se Allahu i begatoi me Tokë të qëndrueshme, të rrafshët, si shtrojë e gjerë që krijesat të vendosen dhe të jetojnë mbi të, t’u mundësohet të mbjellin dhe të ndërtojnë në të dhe të përfitojnë nga të mirat e saj, ashtu siç Allahu thotë: “A nuk jua kemi bërë Tokën si shtrat, e malet si shtylla?!” (En-Nebe: 6-7)
Po ashtu thotë: “Vallë, a nuk i shohin devetë, se si janë krijuar?! Po qiellin, se si është ngritur?! Po malet, se si janë vënë të patundura?! Po Tokën, se si është shtrirë?!” (El-Gashije: 17-20)
- Ibën El-Kajimi, Allahu e mëshiroftë, thotë: “Meditoje dhe përsiate krijimin e Tokës ashtu si është, ajo u krijua statike dhe e palëvizshme që të jetë si shtrat dhe e qëndrueshme për kafshët, bimët, sendet dhe objektet dhe të ecin nëpër të njerëzit e kafshët për nevojat e tyre, të rehatohen duke u ulur, të pushojnë duke fjetur dhe të kenë mundësi për t’i punuar punët e tyre.
Po të ishte Toka që dridhej dhe lëkundej, krijesat nuk do të mund të jetonin dhe të gjenin rehatinë, as të qëndrojnë mbi të objekte dhe shtëpi, as të ndërtohet dhe të tregtohet dhe as të mbillet dhe të përfitohet ndonjë dobi. Si mund të jetojnë krijesat në komoditet kur toka poshtë këmbëve të tyre u dridhet?!
Merr mësim nga tërmetet që tokën e shkundin, edhe pse dridhjet nuk zgjasin shumë, se si i detyrojnë krijesat t’i braktisin shtëpitë dhe të ikin prej tyre?!
Allahu për këtë na paralajmëroi në disa ajete ku thotë: “Ai ka vendosur male të palëvizshme në Tokë, që ajo të mos tundet bashkë me ju…” (En-Nahl: 15)
Dhe thotë: “Allahu është Ai që jua ka bërë Tokën vendbanim e qiellin kulm…” (Gafir: 64.)
Dhe thotë: “Është Ai që Tokën e ka bërë shtrat për ju…” (Ta Ha: 53)[2]
- Dridhja e shpeshtë e tokës, përhapja e tërmeteve dhe përsëritja e shpeshtë e tyre është nga shenjat e vogla të Kiametit. Pejgamberi, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, thoshte: “Nuk do të ndodhë Kiameti derisa të mos humbet dituria, të shpeshtohen tërmetet, të afrohet (shkurtohet) koha, të paraqiten fitnetë dhe të shtohet ‘el-herxh’, që është vrasja dhe vrasja dhe derisa t’ju shtohet pasuria dhe t’ju teprojë.”[3]
- Tërmetet e dynjasë janë shenja nga shenjat e Allahut që na e rikujtojnë Ditën e Kiametit dhe vështirësitë e ahiretit, si dhe janë shenja nga shenjat e afrimit të ndodhisë së Kiametit dhe na e rikujtojnë atë.
Allahu thotë: “O njerëz, frikësojuni Zotit tuaj, sepse dridhja e Orës (së Kiametit), është vërtet një ngjarje e madhe! Ditën, që do ta shihni atë, çdo grua me fëmijë në gji do ta harrojë fëmijën e saj dhe çdo grua shtatzënë do ta hedhë barrën e vet. Njerëzit do t’i shihni si të dehur, ndonëse ata nuk do të jenë të dehur, por dënimi i Allahut është i ashpër.” (El-Haxh: 1-2)
Po ashtu Allahu thotë: “Kur të dridhet Toka me tronditjen e saj (të fundit), kur të nxjerrë barrët nga brendia e saj e njeriu të thotë: “Ç’po i ndodh asaj?!” Atë Ditë ajo do të tregojë lajmet e saj, sepse Zoti yt e ka frymëzuar atë. Atë Ditë njerëzit do të paraqiten grupe-grupe, që t’u tregohen veprat e tyre.” (Ez-Zelzele: 1-6)
Dhe po ashtu thotë: “Kur Toka të dridhet fuqishëm, malet të thërrmohen copë-copë e të shndërrohen në pluhur të shpërndarë.” (El-Vakia: 4-6.); që nënkupton se toka do të tundet, dridhet dhe çrregullohet, malet do të shkatërrohen e do të thërrmohen copë-copë dhe do të shndërrohen sikurse në pluhur të shpërndarë.
- Pejgamberi, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, na lajmëroi se tërmetet do të ndodhin më shpesh në anën e lindjes, si në Irak dhe në shtetet e tjera dhe për këtë tha: “Atje do të ndodhin tërmetet e fitnetë dhe atje do të paraqitet ‘briri shejtanit’[4].”[5] Kjo është në përgjithësi dhe kjo nuk nënkupton që tërmetet nuk do të ndodhin edhe në perëndim dhe në anët e tjera të botës.
- Ndodhja e tërmeteve ka shkaqe dhe urtësi dhe këto të dyja nuk bien ndesh njëra me tjetrën dhe nuk ka kundërshtim në mes shkakut dhe urtësisë. Myslimani i mençur dhe me zemër të gjallë nuk ngatërron në mes tyre. Ai nuk angazhohet vetëm se me shkakun material duke e braktisur urtësinë hyjnore, sikurse që veprojnë ateistët materialistë, që nuk e besojnë në Allahun dhe që merren vetëm me shkaqet, e braktisin meditimin dhe përsiatjen në madhështinë e Allahut dhe urtësinë e Tij, ashtu siç Allahu thotë: “Ata e dinë vetëm anën e dukshme të kësaj jete, ndërsa për jetën tjetër janë të pakujdesshëm.” (Er-Rum: 7); dhe po ashtu thotë: “Eh, sa shumë shenja ka në qiej dhe në Tokë, pranë të cilave ata kalojnë pa ua vënë veshin!” (Jusuf: 105)
- Nga urtësitë e tërmeteve, eklipsit të Diellit dhe të Hënës është se ato janë shenja që Allahu i dërgon për t’i frikësuar njerëzit, që t’i kthehen me pendim Atij. Allahu thotë: “Ne dërgojmë shenja vetëm për t’i frikësuar njerëzit.” (El-Isra: 59.)
Katade, Allahu e mëshiroftë, thotë: “Allahu i frikëson njerëzit me çfarëdo nga shenjat e Tij, kështu që ata të qortohen, apo të rikujtohen, apo t’i kthehen me pendim Allahut.”
Më pas tha: “Na patën treguar se qyteti i Kufes ishte dridhur nga tërmeti në periudhën e Ibën Mesudit, Allahu qoftë i kënaqur prej tij, dhe ai kishte thënë: “O ju njerëz! Allahu po ju qorton dhe po ju ndëshkon, prandaj largojeni qortimin e Allahut prej jush.”[6]; d.m.th. kërkoni nga Allahu që ta largojë qortimin e Tij prej jush, duke i braktisur mëkatet dhe duke u penduar, duke kërkuar falje dhe duke iu kthyer Allahut.
Allahu thotë. “Thuaj: “Ai ka fuqi t’ju ndëshkojë prej së larti ose nga poshtë këmbëve tuaja, ose t’ju përçajë në grupe e të vuani nga duart e njëri-tjetrit. Shih si ua shpjegojmë shpalljet, që ata të mund të kuptojnë!” (El-Enam: 65)
Pejgamberi, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, thotë. “Dielli dhe hëna nuk zihen për shkak të vdekjes apo të lindjes së ndokujt, por ato janë shenja të Allahut që me to i frikëson robërit e Tij.”[7]
- Sipas asaj që lajmërojnë shkencëtarët e gjeologjisë, nga shkaqet e ndodhjes së tërmeteve është dobësimi i kores së tokës në vendin ku ndodh tërmeti, apo shtypja ajrore në brendësi të tokës ku më pas e dridh tokën që e ka afër, si dhe shkaqe të tjera.
Këto shkaqe nuk e mohojnë faktin se tërmetet janë shenjë e Allahut për t’i frikësuar me të njerëzit.
Ibën Tejmije, Allahu e mëshiroftë, thoshte: “Tërmetet janë shenjë që me të Allahu i frikëson robërit e Tij, ashtu siç i frikëson me eklips dhe me shenja të tjera. Ndodhitë kanë shkaqe dhe urtësi, dhe vetë fakti se tërmetet janë shenja që me të Allahu i frikëson njerëzit, është një nga urtësitë e ndodhjes së tërmeteve.”[8]
Abdulaziz ibën Bazi, Allahu e mëshiroftë, thoshte: “Tërmetet janë shenja që ekziston mundësia të dihet ndodhja e tyre me llogari dhe prognozë, mirëpo kjo nuk mund ta mohojë faktin se ato janë edhe frikësim dhe paralajmërim nga Allahu për njerëzit. Allahu i krijon shenjat dhe i rregullon shkaqet e saj sikurse dielli që lind dhe perëndon në kohë të caktuar, dhe po ashtu hëna dhe yjet, këto të gjitha janë shenja nga shenjat e Allahut të Madhëruar. Fakti se Allahu shenjave u krijoi shkaqe, siç e përmendin dijetarët e astronomisë, nuk e mohon realitetin se ato janë frikësim dhe paralajmërim nga Allahu për njerëzit.”[9]
- Nuk ka gjë nëse ndodhjen e tërmetit e ndërlidh me shkaqet e tij, sikurse të thuhet shkak për ndodhien e tërmetit ka qenë kjo dhe kjo gjë, mirëpo njëkohësisht duhet pasur kujdes që të mos harrohet urtësia e ndodhjes së tij dhe të mos harrohet se Allahu është Krijuesi i tij dhe Ai që e rregulloi dhe përcaktoi ndodhinë e tij. Kjo mënyrë e meditimit dhe rikujtimit e ngjall frikën dhe përuljen në zemër dhe kthimin me pendim, ashtu si do dhe është i kënaqur Allahu.
- Tërmetet, eklipsi i Diellit dhe i Hënës dhe shenjat e tjera të Allahut, në esencë janë frikësim për njerëzit dhe paralajmërim për ta dhe rikujtim për t’iu kthyer me pendim Allahut, mirëpo ky frikësim mund të vijë edhe si ndëshkim shkaku i mëkateve. Për këtë njerëzit janë urdhëruar që gjatë eklipsit të strehohen dhe mbrohen me namaz, lëmoshë, istigfar dhe lutje, që mos t’u bjerë ndëshkimi që Allahu paralajmëroi prej Tij dhe i frikësoi me eklips, tërmete dhe të ngjashme me to dhe kjo gjë aludon se tërmetet dhe të ngjashmet me të janë paralajmërim dhe frikësim për zbritjen e ndëshkimeve si rezultat i veprimit të shkaqeve që bëjnë për t’i merituar ato ndëshkime.[10]
- Tërmetet ndodhin te myslimanët edhe te jomyslimanët. Ajo që ndodh nga tërmetet shkatërruese dhe të ngjashmet me to në tokat e myslimanëve, mund të jetë sprovë për banorët e saj dhe Allahu me këto sprova t’ua shlyejë mëkatet dhe t’ua ngrisë shkallët. Po ashtu mund të jetë ndëshkim, shkaku i mëkateve ose gjynaheve, apo mund të jetë sprovë për disa dhe ndëshkim për disa të tjerë, edhe përskaj faktit se jetojnë në të njëjtin vend dhe tokë.
Allahu thotë: “Sigurisht që Ne do t’ju provojmë me frikë dhe uri, me dëmtim të pasurisë, të njerëzve dhe të të lashtave! Prandaj, përgëzoji të duruarit.” (El-Bekare: 155)
Po ashtu Allahu thotë: “Ne ju vëmë në provë me të keqe dhe me të mirë dhe te Ne do të ktheheni.” (El-Enbija: 35)
Profeti, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, thoshte: “Është për t’u çuditur me çështjen e besimtarit. Çdo çështje e tij është e mirë për të. Nëse atij i vjen një e mirë, ai e falënderon Allahun dhe kjo është e mirë për të. Nëse atij i bie një sprovë, ai bën durim dhe kjo është e mirë për të.”[11]
Allahu në ajete të tjera thotë: “Çfarëdo fatkeqësie që ju godet, është si pasojë e asaj që keni bërë vetë; por Ai fal shumë.” (Esh-Shura: 30)
“Shkatërrimi në tokë dhe në det është shfaqur si pasojë e punëve të këqija të njerëzve, kështu që (Allahu) do t’i bëjë “të shijojnë” pjesë nga ajo që kanë punuar, me qëllim që ata të kthehen (në përmirësim).” (Er-Rum: 41)
“A jeni të sigurt se kush është në qiell, nuk do ta bëjë Tokën t’ju kapërdijë, kur të fillojë të dridhet papritmas?” (El-Mulk: 16)
“A janë të sigurt ata që bëjnë plane djallëzore se Allahu nuk do t’i fusë në tokë ose që dënimi nuk do t’u vijë andej nga nuk e presin?” (En-Nahl: 45)
Përcillet një transmetim i vërtetë se në kohën kur Omeri, Allahu qoftë i kënaqur prej tij, ishte udhëheqës i myslimanëve u dridh toka derisa u ça dhe u hap. Omeri e mbajti një fjalim para njerëzve dhe u tha: “Bëtë mëkat? Sa shpejt që e bëtë atë! Nëse këtu ndodh sërish tërmeti, unë do të iki nga mesi juaj.“[12]
- Nga mëshira e Allahut e gjerë kur ndodhin tërmete është se të vdekurit nga tërmetet llogariten dëshmor, ashtu si erdhi në hadith: “Dëshmorët janë pesë: ai që vdes nga murtaja, ai që vdes nga dhembjet e barkut, ai që mbytet në ujë, ai që vdes nën diçka që shembet (tërmetet dhe të ngjashme) dhe ai që vdes në rrugë të Allahut.”[13]
- Gjatë paraqitjes së shenjave të mëdha frikësuese dhe jo të zakonshme, si: eklipsi i Diellit dhe i Hënës, tërmetet, rrufetë, furtunat dhe erërat e fuqishme të frikshme dhe të vazhdueshme, vërshimet shkatërruese, zbardhja e natës apo nxirja e ditës, dhe të ngjashme me to, pëlqehet strehimi në namaz dhe në të gjitha këto raste namazi është vepra më e mirë që njeriu mbrohet me të nga fatkeqësitë dhe sprovat.
Ky është mendimi i medhhebit hanefij, dhe përcillet si mendim edhe i imam Ahmedit, dhe ajo që anon dhe e zgjodhi si më të saktë Ibën Tejmije, Allahu i mëshiroftë.[14]
Profeti, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, kur e mundonte ndonjë çështje, falte namaz.[15]
Tërmetet dhe shenjat e tjera të Allahut janë shembuj që me to Allahu i frikëson njerëzit, prandaj në këto raste e ligjshme është të veprohet sikurse ajo që veprohet në rastin e eklipsit të Diellit dhe Hënës, ku pëlqehet që myslimani të falë namaz, ashtu si erdhi në hadith: “Dielli dhe hëna janë dy shenja nga shenjat e Allahut, me to i frikëson robërit e Tij , …nëse shihni që është paraqitur diçka nga to, falni namaz dhe lutjuni Allahut derisa t’jua largojë atë që ju ka goditur.”[16]
- Dijetarët janë në dilemë në mes vete se kur ndodhin tërmetet a falet namaz i veçantë dhe a duhet që njerëzit të mblidhen për namaz apo secili ta falë veç e veç?
Disa dijetarë mendojnë që kur ndodh tërmet, e ligjshme është të falet namaz me xhemat dhe namazi të falet ashtu si falet namazi i eklipsit, pra të falen dy rekate dhe në çdo rekat të bëhen nga dy rukuja dhe dy sexhde.
Ky është mendimi i medhhebit hanbelij për çdo herë që ndodh tërmet i vazhdueshëm dhe Ibën Tejmije e ka mendimin se kjo vlen jo vetëm për tërmetet, por për çdo shenjë nga shenjat e Allahut, dhe këtë mendim si më të saktin e zgjodhi dijetari Ibën Uthejmini, Allahu e mëshiroftë.[17]
Përcillet argument i saktë nga Ibën Abasi, Allahu qoftë i kënaqur prej tij, se kur ndodhi tërmet në Basra, ai fali namaz dhe e zgjati qëndrimin në këmbë, pastaj shkoi në ruku, pastaj e ngriti kokën nga rukuja dhe e zgjati qëndrimin në këmbë, pastaj shkoi në ruku, pastaj e ngriti kokën nga rukuja dhe e zgjati qëndrimin në këmbë, pastaj shkoi në ruku dhe në sexhde. Pastaj u ngrit për në rekatin e dytë dhe e fali njëjtë sikurse rekatin e parë, kështu që namazi i tij u fal me gjashtë rukuja dhe katër sexhde.
Ibën Abasi pasi që e përfundoi namazin tha: “Kështu falet namazi i shenjave që i dërgon Allahu.”[18]
Dijetarët shafiitë e pëlqejnë që gjatë ndodhjes së tërmeteve namazin ta falë çdonjëri veç e veç e forma e namazit të jetë sikurse e namazeve të tjera, dhe t’i luten Allahut me përulje.[19]
- Kur të ndodhin tërmete dhe shenja të tjera të mëdha pëlqehet frikërespekti dhe përulja para Allahut, kthimi kah Allahu dhe largimi nga mëkatet, ngutja për në pendim dhe istigfar, këmbëngulja në lutje dhe dua, bërja e dhikrit, dhënia e sadakasë dhe bërja e veprave të tjera me qëllim që ato të jenë shkak të largohet ndëshkimi dhe fatkeqësia.
Allahu thotë: “Shkatërrimi në tokë dhe në det është shfaqur si pasojë e punëve të këqija të njerëzve, kështu që (Allahu) do t’i bëjë “të shijojnë” pjesë nga ajo që kanë punuar, me qëllim që ata të kthehen (në përmirësim).” (Er-Rum: 41)
Po ashtu thotë: “Vetëm sikur të përuleshin kur u erdhi ndëshkimi Ynë! Por zemrat e tyre u bënë gur, ndërsa djalli ua paraqiste si të bukura veprat e tyre të këqija.” (El-Enam: 43)
Dhe thotë: “Por Allahu nuk do t’i ndëshkonte ata, përderisa ti ishe në mesin e tyre dhe Allahu nuk do t’i ndëshkojë ata, përderisa ata i kërkojnë falje Atij.” (El-Enfal: 33)
Në hadithin ku flitet për eklipsin e diellit Pejgamberi, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, thoshte: “Këto shenja që Allahu i dërgon për njerëzit, nuk ndodhin shkaku i vdekjes apo i lindjes së ndokujt, por Allahu me to i frikëson robërit e Tij. Prandaj, nëse shihni diçka nga to, strehohuni në të përmendurit e Allahut, lutuni dhe kërkoni falje prej Tij.”[20]
Në një hadith tjetër: “Nëse e vëreni eklipsin e Diellit, lutjuni Allahut dhe bëni tekbir, faluni dhe jepni lëmoshë.”[21]
Kur ndodhi tërmet në qytetin e Kufes në periudhën e Ibën Mesudit, Allahu qoftë i kënaqur prej tij, ai tha: “O ju njerëz! Allahu po ju qorton dhe po ju ndëshkon, prandaj largojeni qortimin e Allahut prej jush.”[22]; d.m.th. largojuni mëkateve me pendim e istigfar dhe kthim tek Allahu.
Ibën Rexheb, Allahu e mëshiroftë, thoshte: “Përcillet për një grup dijetarësh të Shamit që gjatë tërmeteve njerëzit i urdhëronin me pendim dhe istigfar dhe për këtë të mblidhen bashkërisht…”
Përcillet për Omer ibën Abdulazizin, Allahu e mëshiroftë, se u shkroi banorëve të qyteteve dhe u tha: “Me këto tërmete Allahu i qorton njerëzit. Më herët u shkrova banorëve të një vendi duke u thënë kështu dhe kështu, dhe të dalin në këtë ditë kështu dhe kështu, prandaj kush e ka mundësinë të japë sadaka, le të japë menjëherë, ngase Allahu thotë: “I shpëtuar është ai që pastrohet.” (El-Eala: 14)[23]
- Ibën Tejmije, Allahu e mëshiroftë, thotë: “Prej sunetit në shkaqet e hairit dhe të sherrit është që njeriu gjatë shkaqeve të dukshme të hairit të veprojë vepra të mira që me to Allahu ta sjellë hairin, kurse te shkaqet e dukshme të sherrit të veprojë adhurime që me to Allahu ta largojë sherrin.”[24]
- Nuk ka argument në sunet se pëlqehet të bëhet dhikër apo dua të veçantë kur ndodhin tërmetet, por myslimani i lutet Allahut me lutje të përgjithshme që vetë i zgjedh dhe në to përfshihet kërkimi i mëshirës dhe i ndihmës nga Allahu, dhe lutet me lutje ku në to kërkohet largimi i vështirësive, me qëllim që Allahu ta largojë fatkeqësinë nga njerëzit.
- Gjatë ndodhjes së tërmetit apo edhe pas ndodhjes së tij, i lejohet të mos prezantojë në namazin e xhumasë dhe në namazin me xhemat, atij që frikësohet për veten apo familjen apo për atë që e shoqëron apo për pasurinë e tij, sepse dridhja e tokës është një lloj frikësimi.[25]
- Ai që frikësohet për veten, familjen apo pasurinë e tij gjatë ndodhjes së tërmeteve dhe të ngjashme me to, i lejohet t’i bashkojë namazet, duke bashkuar drekën me ikindinë dhe në mes akshamit dhe jacisë, përderisa braktisja e bashkimit të namazeve është e vështirë për të.[26]
- Njohja e gjendjes klimatike dhe hulumtimi rreth saj, njohja e kohëve të eklipsit të Diellit dhe të Hënës, e zbritjes së shiut, e ndodhjes së tërmeteve dhe fryrjes së erërave dhe pritshmëria e tyre që të ndodhin, nuk bëjnë pjesë në shtënien e fallit sipas yjeve apo pretendimit të njohjes të së ardhmes, sepse ato informata bazohen në gjëra që perceptohen mbi prova dhe në studime universale në ligjet e Allahut, kështu që nganjëherë mund të qëllohet e nganjëherë të gabohet, dhe këtu s’ka të bëjë me besimin se yjet kanë ndikim në gjendjet tokësore.
Kjo që u cek më lart nuk bie ndesh dhe nuk e mohon faktin që eklipsi i Diellit, i Hënës apo tërmetet janë shenja nga shenjat e Allahut që me to i frikëson robërit e Tij, që ata t’i kthehen Zotit të tyre dhe të përqendrohen në adhurimin e Tij.[27]
E lusim Allahun të na japë suksese në atë që e do dhe është i kënaqur me të dhe kërkojmë mbrojtje tek Ai nga sprovat e dukshme dhe ato të padukshme.
Falënderimi i takon vetëm Allahut, Zotit të botëve.
DR. MUHAMED SALIH EL MUNEXHID
Nga arabishtja: Irfan JAHIU
[1] Tefsir Ibën Kethir (6/203).
[2] Miftah Darus Seade (2/619), me ndryshim të lehtë.
[3] Buhariu (1036), dhe Muslimi (157) një pjesë të hadithit.
[4] Do të paraqiten fitnetë e para dhe devijimet dhe risitë në fe, dhe po ashtu edhe ndodhi dhe ende sot e kësaj dite është vend i vrasjeve dhe fitneve. (sh.p.)
[5] Buhariu (1037).
[6] Tefsir Et-Taberij (14/638.)
[7] Buhariu (1044), Muslimi (901).
[8] Mexhmual Fetava (24/264).
[9] Fetava ue Risail Ibën Baz (30/290), shkurtimisht.
[10]Miftah Darus Seade, Ibën El-Kajimi (2/1411), Fetava Ibën Uthejmin (16/320), dhe Fetava Nur ala Derb.
[11] Muslimi (2999).
[12] Ibën Ebi Shejbe në ‘El-Musanef’ (8330), El-Bejhakiu në El-Kubra (3/476).
[13] Buhariu (653), Muslimi (1914).
[14] Shih: Bedaiu Es-Senaiu, El-Kesanij (1/282), Keshaf El-Kina’a, El-Buhutij (2/66).
[15] Ebu Davudi (1319), shejh Albani e vlerësoi hadithin si të mirë.
[16] Buhariu (1041), Muslimi (911).
[17] Shih: El-Ihtijarat El-Ilmije (fq. 84), Keshaf El-Kina’a, El-Buhutij (2/66), Esh-Sherh El-Mumti (5/195).
[18] Bejhakiu në Es-Sunen El-Kubra (3/478) dhe e vlerësoi si të saktë.
[19] Shih: El-Um, imam Shafiut (2/535), El-Mexhmua, imam Neveviu (5/55), Nihajetul Muhtaxh, Er-Remlij (2/412).
[20] Buhariu (1059), Muslimi (912).
[21] Buhariu (1044), Muslimi (901).
[22] Tefsir Et-Taberij (14/638).
[23] Fet’hul Barij (9/251).
[24] Mexhmual Fetava (35/170).
[25] Shih: El-Mexhmua, imam Neveviu (4/206), El-Insaf, El-Maverdij (2/303).
[26] Shih: Arsyetimet e bashkimit të dy namazeve: El-Insaf, El-Maverdij (2/336), Keshaf El-Kina’a (2/5).
[27] Shih: Fetava El-Lexhnetu Daime (1/634, 635, 8/323), El-Kaul Mufid, Ibën Uthejmin (1/531).