Një udhëheqës politik etnik Hazara dhe ish-anëtar i Parlamentit të Afganistanit tha se trupat e tetë fëmijëve jetimë, që vdiqën nga uria, u gjetën në pjesën perëndimore të Kabulit.
Në një deklaratë të postuar në Facebook, Mohammad Mohaqiq tha se fëmijët vdiqën rreth tri javë më parë në një lagje në qarkun e 13-të të Kabulit. Ai tha se ata ishin varrosur nga një mullah lokal dhe banorët e lagjes, ku u gjetën trupat e tyre.
Një mullah lokal, Mohammad Ali Bamian dha më shumë detaje lidhur me vdekjen e fëmijëve. Sipas tij, më i madhi ishte tetë vjeç dhe më i vogli ishte një vjeç e gjysmë.
“Ata nuk e kishin askënd. Prindërit e tyre kanë vdekur dhe ata nuk kishin të afërm”, tha Bamiani, transmeton REL.
Bamiani tha se ai kishte hyrë në shtëpinë ku u gjetën trupat e fëmijëve.
Ai tha se “ata ishin aq të uritur sa që nuk mund të shtrinin këmbët e tyre”.
Qeveria e udhëhequr nga talibanët ende nuk ka komentuar lidhur me këto vdekje.
Kombet e Bashkuara kanë paralajmëruar se Afganistani do të përballet me krizë të madhe humanitare, përfshirë edhe urinë në masë, nëse ndihmat humanitare nuk dërgohen shpejt.
Agjencitë e OKB-së kanë thënë se teksa afrohet dimri, rreth 18 milionë afganë dëshpërimisht kanë nevojë për ushqim dhe strehim.
Ndihma ndërkombëtare, në të cilën janë mbështetur shumë afganë gjatë dy dekadave të fundit, është ndalur qëkur talibanët morën pushtetin në muajin gusht.