Tetë hafëz kanë mbrojtur me sukses memorizimin e Kuranit

Organizuar nga Kryesia e Bashkësisë Islame të Kosovës, në mënyrë solemne, në sallën e Kryesisë së BIK-ut, më 22 nëntor, tetë hafëzit kanë mbrojtur me sukses memorizimin e Kuranit, para komisionit profesional të kryesuar nga kryeimami i BIK-ut, Vedat ef. Sahiti dhe anëtarëve hfz. Safet ef. Hoxha e hfz. Etem ef Alanka.

Duke folur përkitazi me rolin e memorizimit të Kuranit, kryeimami Sahiti theksoi se në trevat tona gjithnjë iu është dhënë përparësi mësimit të Kuranit përmendësh nga popullata jonë dhe kësaj tradite do t’i kushtohet kujdes i veçante edhe në të ardhmen.

“Kurani është mësuar në mejtepe, xhami, medrese dhe kjo traditë e ulemave tanë vazhdon edhe sot e kësaj dite dhe do ta ruajmë dhe ta bartim te gjeneratat e ardhshme”- theksoi kryeimami Sahiti.

Ndërkaq anëtari vlerësues nga juria hfz. Safet ef. Hoxha dha hollësi për mënyrën e zhvillimit të testimit dhe vlerësimit të hafëzëve të rinj. Edhe hafëzët e rinj shprehën falënderimin që BIK-u u dha mundësia që mbrohet publikisht hifzi i tyre dhe u ndjehen tepër të lumtura me këtë rast.

Marigona Mellova tha se ndjehet shumë mirë dhe është një nder që secili prej hafëzëve kishte dashur ta përjetoj dhe kjo ndjehet dhe nuk përshkruhet dhe është kurorëzim i një pune pesë vjeçare të pandashme.

Edhe hafëzi tjetër, Isa Bojaxhiu, theksoi se kjo punë donë seriozitet dhe sinqeritet të vazhdueshëm dhe jam i lumtur që hifzin e kam përfunduar për dy vjet. Edhe Selma Myrta shpreh falënderim për prindërit dhe mësueset e hifzit që palodhshëm kanë punuar me të.

Ndërsa prindi Selmës, dr. Valon Myrta tha se sot ka ndjenjë të veçantë pasi që bija ime po mbron publikisht memorizimin e tërë Kuranit, vërtet është diçka për t’u vlerësuar dhe nuk mund të përshkruhet me fjalë ky gëzim.

Së shpejti nga Kryesia e BIK-ut në Prishtinë do të hapen qendra të tjera të hifzit, si në Pejë e Rahovec, për të vazhduar me Institutet e hifzit në Gjilan, Mitrovicë dhe Vushtrri, krahas Institutit të Hifzit në Gjakovë dhe në Prizren që tashmë po vazhdojnë traditën e tyre të bujshme në përgatitjen e kuadrove të hafëzëve të rinj.