thumbs_b_c_78e12f336ac95217fe8b25efd430c170

Tetova përkujton 25-vjetorin e “Epopesë së UÇK”

Në qytetin e Tetovës është mbajtur një akademi përkujtimore për 25-vjetorin e Masakrës së Prekazit, e njohur si “Epopeja e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK)”, rënies së familjes Jashari gjatë luftës në Kosovë në vitin 1998 , raporton Anadolu.

Masakra e Prekazit është sulmi ku u vra Adem Jashari, një nga komandantët themelues të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), së bashku me familjen e tij.

Nikoqiri i ngjarjes, kryetari i komunës së Tetovës, Bilall Kasami, tha se “Epopeja e UÇK-së” është ngjarja më e rëndësishme në historinë e re të kombit shqiptar pasi kjo, sipas tij, shënon fillimin e një epoke të re për çlirimin e Kosovës.

“Komandanti Adem Jashari mbetet simbol i përhershëm i rrugëtimit historik të shqiptarëve, figura e përbashkuar që lidh epoka dhe që reflekton përgjithmonë në frymën e lirisë. Komandanti Adem Jashari është figura sublime e një përpjekjeje shqiptare për një Kosovë të lirë dhe të pavarur, figura që na bashkon dhe na frymëzon gjithnjë, figura që mbetet udhërrëfyes për të ardhmen tonë si komb”, tha Kasami.

Kreu i komunës së Tetovës gjithashtu theksoi se komandanti Jashari dhe familja e tij janë “vetë historia e dhimbshme dhe madhështore e Kosovës, ekzistenca e përhershme, kujtesa kolektive dhe horizonti i lirisë dhe pavarësisë së Kosovës”.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, i cili po ashtu ishte i pranishëm në akademinë përkujtimore, tha se datat 5, 6 dhe 7 të vitit 1998 sa i përket shekullin 20 përbëjnë “ditët më të rëndësishme të kombit shqiptar, duke përfshirë edhe 28 nëntorin e vitit 1912”.

“Nuk di ndonjë datë tjetër, përveç 28 nëntorit, 5,6 dhe 7 marsit, që është më e rëndësishme për shqiptarët”, u shpreh ai.

Sakrifica e familjes Jashari, tha kryeparlametnari Konjufca, për shqiptarët e përmban edhe të ardhmen, jo vetëm të kaluarën, sepse në këto data në të ardhmen shqiptarët përsëri do të mblidhen së bashku, siç tha ai, “aq vite sa do të ketë komb shqiptar mbi dhe për t’ia kujtuar vetes edhe njëherë idealin e Jasharajve… po i rëndësishëm ishte ai”.

Një akademi përkujtimore e tillë në Tetovë, e organizuar nga komuna, mbahet për herë të parë, ndërsa të pranishëm në të ishin personalitete të shumta nga fusha të ndryshme nga vendi dhe Kosova, përfshirë edhe udhëheqës të pushtetit lokal dhe qendror.

“Epopeja e UÇK-së” është një manifestim që tradicionalisht mbahet me aktivitete të ndryshme më 5,6 dhe 7 mars në kujtim të komandantit Jashari dhe 58 anëtarëve të familjes së tij, të cilët u vranë në vitin 1998 në sulmet e njësive speciale të policisë serbe. Po ashtu tradicionalisht në këto tre ditë, zyrtarë dhe qytetarë të shumtë vizitojnë Qendrën Memoriale në Prekaz, ndërsa manifestimi përfundon me ndezjen e flakadanëve në Prekaz.

Masakra e Prekazit

Ushtarët, policia dhe njësitet paramilitare serbe në vitin 1998 filluan një operacion kundër kosovarëve që kërkonin pavarësi. Në luftën ku humbën jetën mijëra njerëz, si dhe u zhvendosën qindra mijëra të tjerë, janë kryer edhe shumë krime lufte.

Ngjarja që ndryshoi kahjen e luftës në Kosovës ishte masakrimi i mbi 50 personave së bashku me komandantin Adem Jashari.

Sulmi i parë ndaj familjes Jashari ndodhi më 30 dhjetor të vitit 1991, kur forcat serbe rrethuan shtëpinë e familjes Jashari në Prekaz, si pasojë e së cilës humbën jetën nga të dyja palët.

Në sulmin e dytë ndaj familjes Jashari, më 22 janar të vitit 1998, dy persona nga kjo familje u plagosën.

Më pas, forcat serbe më 28 shkurt të vitit 1998 zhvilluan sulme ndaj shtëpive për të cilat mendonin se kanë lidhje me familjen Jashari, si pasojë e së cilës humbën jetën 17 persona.

Më vonë, më 5 mars të të njëjtit vit, forcat serbe sërish rrethuan shtëpinë ku gjendej Adem Jashari dhe familja e tij me tanke dhe artileri të rëndë. Në përleshjet që vazhduan deri më 7 mars, forcat serbe masakruan mbi 50 anëtarë të familjes Jashari dhe mysafirët e tyre, në mesin e të cilëve edhe gra dhe fëmijë.

Masakrës i shpëtoi vetëm Besarta, vajza e Hamza Jasharit në atë kohë 10-vjeçare.

Sulmi, i njohur si Masakra e Prekazit, konsiderohet si një ndër pikat kthese që çuan në vendimin e NATO-s për ndërhyrje në Kosovë në vitin 1998.