THATËSIA SHPIRTËRORE

Si mund ta zbulosh se ke thatësirë shpirtërore?! Dhe ne, a e ndiejmë atë sikurse e ndiejmë urinë, etjen dhe dhembjen?!
Përgjigjen e kësaj pyetjeje do ta kërkojmë nëpërmjet disa shembujve në vazhdim:
– Shembull i parë: Namazi….
Kur falemi, a jemi në gjendje të ndiejmë përulje, frikë dhe kënaqësi?
Nëse përgjigja është “Po”, atëherë ne jemi në gjendjen e “zgjimit shpirtëror”.
Nëse përgjigjja është “Jo”, atëherë ne jemi në gjendjen e “përtacisë shpirtërore”.
Kurani na flet për cilësitë e atyre që falen.
Për dyfytyrëshit thotë: “Në të vërtetë, hipokritët përpiqen të mashtrojnë Allahun, por është Ai që i mashtron ata. Kur ata ngrihen për namaz, ngrihen me përtesë, vetëm sa për t’u dukur para botës dhe Allahun e përmendin fare pak.” (En-Nisa: 142)
Kurse për të përulurit thotë: “Me të vërtetë, janë të shpëtuar besimtarët, të cilët janë të përulur në namazin e tyre.” (El-Muminun: 1-2)
…………………………………………………………………
– Shembulli i dytë: Duaja….
Kur lutemi, a na zbutet zemra dhe a na loton syri?
A e ndien frikën, përuljen dhe shpresën?
Allahu thotë: “…i luten Zotit të tyre me frikë e shpresë…” (Es-Sexhde: 16)
Nëse përgjigjja është “Po”, atëherë ne jemi në gjendjen e “zgjimit shpirtëror”.
Nëse përgjigjja është “Jo”, atëherë ne jemi në gjendjen e “plogështisë shpirtërore”.
…………………………………………………………………
– Shembulli i tretë: Leximi i Kuranit….
Kur jemi në kontakt me Kuranin, qoftë ajo me leximin e tij apo dëgjimin e tij, a ndiejmë zgjim shpirtëror? A hapen shpirtrat tanë me Allahun?
A ndien frikë e përulje dhe a e ndien fërgëllimën e zemrës, siç Allahu thotë: “Besimtarë të vërtetë janë vetëm ata, zemrat e të cilëve, kur përmendet Allahu, fërgëllojnë…” (El-Enfal: 2) Dhe a ndien frikë dhe përulje?
Nëse përgjigjja është “Po”, atëherë ne jemi në gjendjen e “aktivimit shpirtëror”.
Nëse përgjigjja është “Jo”, atëherë ne jemi në gjendjen e “plogështisë shpirtërore”.
…………………………………………………………………
– Shembulli i katërt: Dëgjimi i këshillave….
A preken zemrat e tona? A rrënqethen lëkurat tona?
Allahu thotë: “…Prej tij u rrënqethet lëkura atyre që i frikësohen Zotit të tyre e, mandej qetësohen lëkura dhe zemrat e tyre, kur përmendet Allahu…” (Ez-Zumer: 23)
Nëse përgjigjja është “Po”, atëherë ne jemi në gjendjen e “zgjimit shpirtëror”!
Nëse përgjigjja është “Jo”, atëherë ne jemi në gjendjen e “përtacisë shpirtërore”!
…………………………………………………………………
– Shembulli i pestë: Sjellja jonë me njerëzit…
Kur u buzëqeshim njerëzve, a buzëqeshin zemrat tona? Kur i përshëndesim njerëzit me dorë, a përshëndeten edhe shpirtrat tanë?
Ndjenjat tona me njerëzit a janë ndjenja edukatore? A jemi të hapur me ta dhe të sinqertë? A bartin zemrat tona dashuri të sinqertë?
Përgjigjen e të gjitha këtyre pyetjeve besoj se e di çdo njëri nga ne për veten e tij.

Nga arabishtja: Irfan JAHIU