TI DHE AJO, MEDITONI KËTO FJALË

  1. Mundemi të kemi zënka me ata që i duam, mirëpo nuk mundemi t’i shohim se si ndiejnë dhembje!
  2. I pyeta tre persona për dashurinë dhe, ai që nuk e njihte atë u përgjigj se dashuria nuk ekziston, kurse ai që ishte i zhytur në të më tha se dashuria është jetë, kurse ai që ishte i thyer në shpirt nga ajo, më tha se ajo është mashtrimi më i madh. Çudi me ty dashuri, për ty u dhanë përgjigje të ndryshme, kurse ti je vetëm një!
  3. Dashuria është e verbër, mirëpo martesa ia hap asaj sytë!
  4. Qortimi i shëmbëllen dashurisë, nuk i shprehet, përveçse atij që e meriton!
  5. Nuk mund të gjesh burrëri, përveçse tek ai që ia ka frikën Allahut në të gjitha sjelljet e tij.
  6. Dashurinë mes njerëzve nuk e shkatërrojnë, përveçse këto tri gjëra: Gabimet e shumta, gënjeshtra e tepërt dhe interesimi i paktë.
  7. Kur e dashuron një grua, mos e dashuro për bukurinë e saj, po dashuroje për hir të saj, për hir të karakterit të saj, për hir të dashurisë së saj që e ndien ndaj Zotit, për arsye se vetëm kjo dashuri mund të mbijetojë! Dhe jo! Mos ia premto asaj hënën apo yjet. Vetëm premtoji se do të rrish me të nën yje, përgjithmonë.
  8. Kur e do një njeri, mos i hulumto shkaqet që të bëjnë ta duash atë, por hulumtoje atë, që të bën ta ruash atë!
  9. Zemra që e njeh kuptimin e dashurisë së sinqertë, në fjalorin e saj nuk ekziston fjala e quajtur tradhti!
  10. Nëse e do një person, lajmëroje atë se e do, se shumica e zemrave nuk janë shkatërruar nga fjalët që janë thënë, por për të shkak fjalëve që nuk janë thënë!
  11. Lehtë është që të përmallohesh për njeriun që e do, po e rëndë është ta gjesh atë çdoherë kur përmallohesh për të!
  12. Dallim i madh është mes një burri, i cili i numëron gabimet e gruas dhe mes një burri, i cili i përmirëson ato!
  13. Mos u sill keq me atë që të do, mos i thuaj jam i zënë atij që ka nevojë për ty, mos e mashtro atë që ka besim në ty dhe mos e harro atë që gjithmonë të rikujton!
  14. Lutja më e mirë që e bën për ata që i do: O Zot, ndihmoji të dashurit e mi të të përmendin dhe të të falënderojnë dhe sa më mirë të të adhurojnë!
  15. Sado që je i moshuar, prapë do të mbetesh si fëmijë me atë që e do!
  16. Nëse gjysma e dashurisë është përkujdesja, gjysma tjetër e saj është respekti!
  17. Bëje të lumtur atë që e do, para se të qash për ndarjen me të!
  18. Ai që s’mundet të dashurojë me sinqeritet, nuk është i detyruar që ndjenjat e tij t’i japë si lëmoshë, që sot ta bëjë një zemër të lumtur e atë ta pikëllojë të nesërmen!
  19. Dashuri është të zgjohesh nga gjumi para së njëjtës fytyrë për një mijë vjet dhe të buzëqeshësh sikurse të jetë hera e parë!
  20. Nuk ka më mirë sesa të gjesh një person që të ndien dhe i ndien ndjenjat e tua, i fal gabimet e tua, jo si dobësi nga ai, po si bujari për atë që e keni mes jush nga dashuria, respekti dhe mëshira.
  21. Nuk më intereson pamja, familja, ngjyra e trupit tënd, jeta, pozita dhe as pasuria jote, po më intereson personaliteti, mendja, morali dhe ndërgjegjja jote. Sipas këtij parimi dua që të dashuroj!
  22. S’ka gjë më të bukur sesa të të lajmërojë ndokush se ti je një nga sebepet e lumturisë së tij!
  23. Ti nuk ke nevojë për një person që të plotëson, por ke nevojë për një person që të pranon ashtu si je, plotësisht!
  24. Këshilla e gruas së ndershme për burrin e saj: Respekti im ndaj teje më fut në Xhenet, respekti yt ndaj nënës sate të fut në Xhenet! Kështu që unë do të të respektoj ty dhe ti respektoje nënën tënde, e të bashkohemi në Xhenet!
  25. Fëmija e pyeti prindin e vet:

– Çfarë do të thotë burrë?

Prindi iu përgjigj:

– Ai është njeri i fortë, përgjegjës për fëmijët e vet, përkujdeset për çështjet e tyre dhe rri pa gjumë për rehatinë e tyre!

Fëmija tha:

– Shpresoj që të bëhem burrë sikurse nëna ime!

  1. Martesë e dështuar: Kur burri zgjodhi trup dhe gruaja zgjodhi bankë!
  2. Beqari e pyeti të martuarin:

– A është e vërtetë ajo që thuhet se burri nuk i njeh fatkeqësitë, përveçse atëherë kur i vjen gruaja?!

U përgjigj:

– Përkundrazi, ai nuk e njeh vlerën e gruas së ndershme, përveçse atëherë kur i vijnë fatkeqësitë!

  1. Të lindësh si mashkull, kjo është caktim, kurse të jesh burrë, ky është art!
  2. Nga lloji më i rëndë i padrejtësisë në shoqëri është, kur familja hulumton pas një vajze të ndershme a djali i tyre është për askund!
  3. Një grua llafazane dhe mendjemadhe u martua për një të verbër dhe, një ditë prej ditëve, i tha:

– Ah, sikur të mos ishe i verbër e ta shihje bukurinë time!

U përgjigj me shumë mençuri:

– Po të ishe me të vërtetë e bukur, s’do të të linin ata që të shohin të martoheshe me mua!

  1. Edukoni burrat tuaj para se t’i edukoni gratë tuaja, nëse jeni të pafuqishëm t’i edukoni burrat, do ta keni më vështirë të merreni me gratë!
  2. S’është nga burrëria ta bësh gruan të qajë!
  3. Dashuria mes dy bashkëshortëve është furnizim, dhe atë që Allahu e furnizon me një partner të devotshëm, të dashur e të sinqertë, le ta falënderojë Allahun!
  4. Madje edhe mesazhet me përmbajtje të thjeshtë bëhen burim i lumturisë, atëherë kur shkruhen nga personi që e do.
  5. Një nga dijetarët ka thënë: “Nëse e rikujton një person në vetmi dhe buzëqesh, dije se mes jush ka dashuri të sinqertë!”
  6. Dashuria nuk bazohet vetëm mbi romantikë, por bazohet mbi respekt, përkujdesje dhe besim!
  7. Përkujdesja, dhuratë nga dhuratat më të thjeshta dhe më të bukura!
  8. Nuk ka më mirë, sesa të të vijë një telefonatë nga një njeri që dynjaja e largoi nga ti, dhe të të tregojë se sa është përmalluar për ty!
  9. Nganjëherë heshtim, ngaqë e dimë se të folurit tonë nuk do të ndryshojë asgjë!
  10. Kur përsëriten gabimet, kërkimfalja shndërrohet në tallje!
  11. As ti nuk je me cilësi të përsosura, e as ajo, e jotja mbetet të kënaqesh me atë që ajo e posedon, që edhe ajo të jetë e kënaqur me atë që ti e posedon!
  12. Heshtja ndaj gabimeve të atyre që i duam është dashuri e veçantë që e ndiejmë për ta dhe dhembje e veçantë për ne!
  13. Bëni të lumtur ata që i doni, se vdekja nuk merr leje nga asnjëri prej tyre kur ju afrohet!
  14. Duaja është dhurata më e shtrenjtë që ia dhuron atij që e do!
  15. Kur xhelozon për ty ai që të do, kjo s’do të thotë se ai dyshon në sjelljet e tua, po ti je njëra nga vijat e tij të kuqe, dhe ty nuk do që askush të të afrohet!
  16. Deshe a refuzove, ekziston një person në jetën tënde, ku për të nuk vlejnë ligjet sikurse te të tjerët! Zemërohet dhe ti je i kënaqur me të, mungon dhe ti e pret, kthehet pa arsye dhe ti e arsyeton, e tëra kjo, se ti e do atë!
  17. Mos përmend njeri për të keq para fëmijës, ngase ajo ia bën përgojimin dhe mosrespektin e të tjerëve, pjesë të karakterit të tij!
  18. Njeriu i cili të do, e duron inatin tënd, mënyrën tënde dhe zemërimin tënd, është i butë me ty edhe përskaj ashpërisë sate ndaj tij, largohet nga ti derisa të qetësohesh, pastaj e kthen shikimin kah ti, që të të lajmërojë se ai do të jetë me ty!
  19. Kur gruaja qan për një burrë, ajo e do atë me sinqeritet, mirëpo kur burri qan për një grua, ajo nëse e hulumton krejt botën nuk mundet të gjejë një burrë që e do më shumë se ai!
  20. Edhe dashuria është risk!

Pejgamberi, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, për Hatixhen tha: “E kisha risk dashurinë e saj”[1], që  nënkupton qartë se dashuria është ndjenjë që dhurohet nga qielli!

  1. Për ty nuk interesohet përveçse ai që i mungon, dhe nuk i mungon përveçse atij që e heton zbrazëtirën e madhe pasi ti shkon!
  2. Çdo dashuri e cila nuk është ndërtuar mbi sinqeritet, i shëmbëllen kështjellës së ndërtuar mbi rërë!
  3. Ai që është larg syrit i jep përmallim zemrës!
  4. Ai që të do të sheh më ndryshe se të tjerët, të folurit me ty është më i bukur, mungesa jote është më e gjatë, lëndimi yt është më i rëndë dhe përmallimi për ty është më i madhi.
  5. Asaj i tha se të dua dhe i dhuroi trëndafil të kuq, e ajo ia dhuroi jetën e saj në tërësi. Dhe të dy jetuan një përvojë të dashurisë së bukur. Me kalimin e kohës dështoi përvoja, se ai e humbi trëndafilin, kurse ajo e humbi jetën!
  6. E dua të folurit me të, edhe pse nganjëherë nuk posedoj fjalë çfarë t’i them!
  7. Në jetë mund ta ndryshosh mendimin që e ka zgjedhur mendja, mirëpo vështirë mund të ndryshosh atë që e ka zgjedhur zemra!
  8. Disa arrijnë që zemrën ta prekin, mirëpo pak munden të depërtojnë në të, kurse vetëm një mundet të qëndrojë në të!
  9. Pakujdesia – fillimi i fundit të një gjëje të mirë.
  10. Marrë nga libri:

NGA DHEMBJA DREJT LUMTURISË

(Thënie të mençura nga jeta dhe përvoja)

Irfan Jahiu

 

[1] Muslimi (2534).