Informacionet (gënjeshtrat) dhe propaganda e mediave mbi shoqërinë e gjerë
Ne botën e sotme, ka një sistem mediatik, që në 20-30 vitet e fundit çdo punëtor i mediave në veçanti, në buxhetin e tij kohor dhe ekonomik (financat), është kufizuar gjithnjë e më shume. Stresi i ditës në punën e redaktorëve, në kohën e sotme është jashtë çdo kornize njerëzore dhe pikërisht, këta njerëz janë personat që udhëheqin dhe vendosin se çfarë do të mendoj masa (populli), e cila “lejon” të udhëhiqet nga vetë media. Një hulumtim i pastër, një mendim adekuat mbi ndodhi të ndryshme, paraqitje e saktë e prapavijave historike nuk janë të dashura (kërkuara), por as nuk nxiten. Me ketë, ne kemi të bëjmë me një makinë informacionesh e cila po bëhet çdo ditë e më shume idiote (budallaqe) dhe e cila çdo ditë e më shumë na jep informacione të papërshtatshme, ose më pak të përshtatshme për shoqërinë e gjerë.
Neil Postman ka titulluar njërin nga librat e tij „Amusing Ourselves to Death“, në shqip „Ne po vdesim së argëtuari“ (krijimi i gjykimeve në kohën e industrisë argëtuese), në të cilin analizon dhe diagnostifikon një ndryshim rrënjësor të kulturës shoqërore. Ai thotë që; shoqëria më herët ka qënë e oriantuar në përmbajtje, ndërsa sot orientohet në argëtim. Ai gjithashtu thotë që; shoqëria televizive tregoi një rrëzim (humbje) radikale të kulturës së shkrimit dhe me ketë të fuqisë së gjykimit racional. Ai flet edhe për përvojat, të cilat, në vend se të përcaktohen nga RATIO (racionalja) ata përcaktohen nga EMOTIO (emocionalja). Sipas Postman, ne nuk e perceptojmë botën tonë të jetesës ashtu siç është ajo, por ashtu siç na tregohet nga vetë media e cila po e krijon përmbajtjen e kulturës tonë. Shpejtësia dhe shkurtjetësia e fotografive televizive, ndalojnë reflektimin e përmbajtjeve të përcjella dhe me këtë, prezantimi bëhet një kriter shumë domethënës për ndërtimin e gjykimeve. Te gjitha fushat relevante shoqërore dhe me ketë edhe ata religjioze dhe politike i nënshtrohen diktaturës vizuale të mediumit televizor, gjë e cila për Postman është një rrezik shumë i madh për demokracinë. Edhe apelimi i Postman është që të kemi shumë kujdes me mediat dhe të jemi shumë kritik ndaj gjërave, ngjarjeve dhe fotografive që na tregojnë mediat.
Është themelore dhe shumë e nevojshme të themi që ne po ballafaqohemi çdo ditë, shumë fortë dhe me shumë vetëdije (nga prizmi mediatik) me media të keqinformuara.
Ne prizmin e (krahasimit) kësaj është interesante te ceket që gazetarët, duke mos patur kohë kopjojnë fjalimet e ministrave copy-paste (një ndaj një) dhe nuk parashtrojnë asnjë pyetje kritike në lidhje me ngjarjen e aq më shumë kur bëhet fjalë për sulme terroriste.
Personave të caktuar (udhëheqësve të globalizimit), që nga 2001-shi ju nevojiteshin afër 6-7 vjet në suaza të ndikimeve mediatike të përhapin fjalën terrorizëm dhe terroristë. Dhe, asnjë nga gazetarët nuk e kundërshton apo shpreh ndonjë skepticizëm në lidhje me këtë. Media ka ndikuar jo vetëm në paraqitjen e “sulmeve të rregulluara terroriste” siç po i shohim çdo ditë, por ajo ka ndikuar edhe në atë që fjala terrorist të jetë një fjalë e njohur në mbarë shoqëritë anembanë botës. Kjo ka efektin e njëjtë si në një spot reklamues; ne e mbajmë mend emrin e produktit që reklamohet në bazë te përsëritjeve të shumta që i bëhen emrit të produktit në spotin reklamues. Pra, edhe emri terrorist është përdor jashtë mase shpesh në çdo zhanër mediatik televiziv: në lajme, në reportazhe, në kronika, në intervista, në dokumentare, në filma artistik e seriale të ndryshme dhe nëpër të gjitha mediat e tjera: libra, revista, gazeta, broshura, fletushka, faqe interneti e shumë media të tjera çdo ditë, biles edhe disa herë në ditë. Tani më, ne si shoqëri jemi bindur që terrorizmi (i shpikur) ekziston në saj të informacioneve që i kemi marrë çdo ditë, çdo orë e minutë, jemi gjithashtu të bindur që ky duhet të luftohet. Edhe punën e të luftuarit të terrorizmit, përsëri na ka imponuar media dhe mediumeve jua ka imponuar dikush që ka për interes ta luftojë terrorizmin për shkaqe përfitimesh të majme, si nga aspekti ekonomik ashtu edhe nga aspekti i përhapjes dhe ndikimit të ideologjive të ndryshme si dhe ndikimit global.
Më duhet të permend një realitet që nuk e njeh shoqëria. Gati çdo shtet në botë ka së paku një agjenci lajmesh shtetërore. P.sh, (po marr shembuj ekstrem, për te kuptuar më mirë situaten) Agjensia e lajmeve në shtetin e Tanzanisë mban emrin Shihata News Agency. Nëse p.sh, do të ketë në Tanzani një ngjarje me interes për Evropën/Boten (p.sh, nje sulm „terrorist“) atëherë ne si konsumator të informacionit mbi sulmin terrorist në Tanzani, nuk njoftohemi nga po ajo agjenci lajmesh shtetërore, por në ketë rast, lajmin e marrim p.sh. nga Reuters. Reuters-i e rregullon lajmin ashtu siç i përshtatet dhe si e kërkon „situata“, të cilën ajo vetë e vlerëson. Në të gjithë botën, ka tre agjensi lajmesh të cilat kontrollojnë të gjithë përhapjen e informacioneve dhe lajmeve. Këta tre agjensi janë: Reuters, Asosiated Press (AP) dhe Agence France Pres (AFP). Këta kanë marre edhe pseudonimin “the big three” (treshja e madhe). Të gjitha Mediat nëpër botë (përveç gazetarëve dhe gazetarisë hulumtuese) janë të varur për ndodhitë e ndryshme dhe lajmeve nga bota (përfshire këtu edhe terrorizmin shumë të përhapur), pikërisht nga këta agjenci. Përzgjedhja e lajmeve bëhet sipas imagjinatave të tyre për vlerat dhe normat. Me vlerë (sipas Wilke, 1984) janë lajme për: vërshime, tërmete, ndërrime qeverish, fillime luftërash dhe sulme të ndryshme, vendime gjyqësori, ligje të reja, raste lindjesh dhe vdekjesh të mbretërve dhe princërve, vdekja e njerëzve të famshëm.
Lajmet në media, kanë tendencën që të forcojnë status quo – në dhe ta hiperbolizojnë domethënien e veprimeve individuale dhe figurave udhëheqëse te fuqive të mëdha. Lajmet në media poshtu kanë tendencën, që ta paraqesin botën më konfliktuoze se sa ajo në realitet është dhe përdorimin e dhunës në vend që të përdoren mjete paqësore për zgjidhjen e këtyre konflikteve.
Lajmet në media, kanë tendencën të bëjnë ndarjen ekzistuese të botës në nacione (kombe), me status të lartë dhe të ulet dhe ta përforcojnë atë ose të pakte ta mbajnë një kohe te gjate si të tillë. Dhe ne hamendemi se posedojmë “informacion”, te cilin e ka përgatitur ose modifikuar dikush për interesat e tij, qoftshin ata ekonomik, shtetëror, kulturor, social etj. Tani po bëj lidhjen: SHBA-të për shebull po përhapin lajmin që ka pas një sulm terrorist. Agjencia AP merr lajmin dhe e përhap në të gjithë botën për një sulm te cilin vete shteti mund ta ketë bërë ose e ka improvizuar. Duke pasur një numër të konsiderueshëm të “sulmeve terroriste” të sajuara nëpër të gjithë botën ne na krijohet bindja (nga mediat) që vërtet rrezikohemi nga terrorizmi. Kjo është vetëm përhapja e informacionit apo lajmit. Më pas, që ne të mos e harrojmë ndodhinë, vazhdon informacioni mbi terrorizmin dhe nëpër zhanre të tjera mediatike si p.sh, nëpër filma, nëpër dokumentare ose lojëra kompjuterike e celularësh. Është ajo që ceka më sipër; përsëritja e termit dhe pasja kontakt me termin gjate gjithë kohës. Të jemi të qartë; para se të filloje lufta në Irak, në Afganistan ose në shtetet e botës Arabe, ajo ka filluar dhe ka përfunduar me fitore nëpër filma të ndryshëm. Tani duhet vetëm një alibi, si p.sh, sulmi mbi një shtet I cili prodhon “terrorista”. Psikologjikisht njeriu “i vogel” (masa) përgatitet shumë herët për një gjë që do të ndodhë.
Po e konkretizoj akoma ketë çështje; një ditë djali im (5 vjeç), luante nje loje në tablet. Loja ishte shumë e thjeshtë. Ishte një hajdut dhe atë e vraponte policia që ta kape. Në loje, me para mund të blije figura të ndryshme të cilët do ti iknin policit më shpejtë. Ndër të tjerë kishte edhe hajdut me kalë, hajdut me biçiklete, me motor dhe të nevojiteshin gjithmonë e më shumë para për ta blerë hajdutin më të shpejte (kryehajdutin), të cilin policia nuk kishte shans ta kape. Kryehajduti (si mund të ishte ndryshe) ishte një arab, me veshje karakteristike që mos mund ta ngatërrosh. Pas kësaj, duke i kaluar kanalet e televizionit në satelit, djali pa një person të veshur me atë veshjen arabe dhe menjëherë me tha qe ishte i veshur si ai kryehajduti i lojës. Çfarë lidhshmërie mendova. Pra, kjo përsëritja qe unë e ceki është në çdo vend dhe në çdo kohë. Dhe çuditërisht ndikimi fillon tek fëmijet dhe vazhdon tek të tjerët. E kemi shumë te vështire qe ti ikim ndikimit të gjithë kësaj, por mirë është ta njohim dhe ta kontrollojmë.
Interesant është gjithashtu, që në kohën tonë të arritjeve teknologjike kontrollohen e-mailat, faqet e internetit, telefonat celular dhe gjithçka tjetër që komunikon dhe në bazë të të dhënave qe i marrin, lajmërohen sidomos vendet anëtare të NATO-s, se filan rajon në një shtet, në filan fshat, filan person po përgatit një sulm terrorist dhe me këtë shteti përgatit shpesh edhe aksione të ndryshme për gjetjen e „terroristëve“. Interesante është që “terroristi”, sipas medieve, i ka ditur te gjitha rregullat e konspiracionit dhe ka ditur njëkohësisht të ndërtoj edhe bomba speciale që edhe vetë shteti apo njësite speciale dhe inxhinierë të armëve janë habitur me ndërtimin dhe teknikën e këtyre lloj bombave.
Budallenjtë dhe Fanatikët janë gjithandej. Nuk duhet të bëjmë kërkime për ta sepse ata gjinden gjithandej. Duhet ti kërkojmë, ti përdorim dhe nëse është e nevojshme edhe mund ti vrasim dhe gjithçka qe ata bëjnë mund të jete pikërisht ajo që na intereson ose ate që duam. Gjermania, konkretisht nuk ka pas asnjëherë një sulm të planifikuar terrorist, por ama me një gjerman dhe me nja 82 milion terroristë të rinj duhet të kemi shumë kujdes. Ne vetë, telefonat dhe kompjuterat tone “personal” mbikëqyremi gjithë kohes. Me ketë del se na presin shumë befasi të reja; sepse ti tani je një terrorist.
Shoqëritë e ndryshme, e sidomos ata perëndimoret, duhet të futen në panik me qëllim që demokracitë perëndimore të barikadohen nga aspekti i sigurisë dhe policisë. Kjo është edhe një mënyrë shumë e qartë e funksionimit dhe përhapjes së propagandës. Njerëzit futen në frikë në vend qe të jetojnë të lirë. Është interesante se duke mos patur asnjë rrezik, krijohet rreziku dhe shteti (ose njerëzit që udhëheqin shtetin), punojne ne mbrojtje të shoqërisë (nga ajo që kanë krijuar vetë) dhe duke e bërë sa më real rrezikun nga terrorizmi ose nga diçka tjetër që ata mund të shpikin vete në çdo kohë. Më kujtohet një fjali e një shkrimtari polak (Stanislaw Jerzy Lec) i cili thoshte mbi propagandën: “ekzistojnë fjalë të mëdha, të cilat janë aq të shprazëta, saqë brenda tyre mund të mbahen të burgosur popuj të shumtë”.
Asnjë shoqëri, në asnjë vend të botës, nuk ka ndonjë kontroll mbi atë se si e kontrollon shteti ose shërbimi sekret i shtetit. Këto janë në fakt sulme mbi njerëzit (shoqëritë), nga të cilat shteti do të duhej ta ruante shoqërinë. Me një fjalë, ne po jetojmë në një shtet i cili na mbikëqyr dhe din ndoshta më shumë mbi ne, se sa ne vetë mbi veten tonë. Në vend se politikanet që zgjidhen nga populli të punojnë në drejtimin e përmirësimit të gjendjes së një shoqërie, ata barikadohen dhe ndjekin shoqërinë me qëllim që ndonjërin prej tyre (mund të jetë secili) ta shpalle terrorist dhe për hir të sigurisë që kërkon shteti apo pasigurisë që sjell ky terrorist, të burgoset dhe me të gjithë procedurën e rregulluar, te behet një spektakël mediatik disaditor ose mujor. Shteti i mbron qytetarët e tjerë duke I sakrifikuar 1, 2 ose më shume qytetarë. Çfarë logjike.
Interesante ështe se elitat perëndimore e dinë prej tani (bëjnë parashikime marramendëse), se shoqëritë perëndimore do të kenë sulme shume të mëdha dhe dalin me deklarata të tilla nëpër media të ndryshme. Ata, pasi që i posedojnë këta informacione, gjithashtu kanë gjetur edhe mënyrën se si të sillen me një shoqëri e cila rri në frike gjithë kohës nga ndonjë sulm i mundshëm (i paralajmëruar) terrorist. Terrorizmi është një mënyre shumë e lehtë për ta bërë shoqërinë e pasigurtë edhe për faktin që secili mund të llogaritet apo të shpallet si terrorist. Me ketë mund të them që: SHBA-të kanë afërsisht 317 Mil. terroristë, Gjermania afër 82 Mil, Maqedonia afër 2 Mil, Bashkimi Evropian afër 505 Mil. terroristë.
Kepel (2004) thekson se me okupimin e Irakut nga ana e SHBA –së “lufta për mendjet e Myslimanëve hyri në xhunglën globale të internetit”.
Nëse marrim vendime kundër shumicës së popullates, atëherë do të duhet të gënjejmë dhe të punojmë fshehtas. Njerëzit nuk duhet të binden, por duhet thjeshtë t’u krijojmë frikë dhe panik dhe pikërisht kjo është detyra e shërbimeve sekrete. Njerëzit që punojnë nëpër shërbime sekrete e dinë shumë mirë se sa krime bëhen ndaj qytetareve çdo ditë. Këtu nuk bëhet fjalë që është bërë krim ndaj një, dy, tre apo dymbedhjetë personave në Francë apo 3 mijë personave në kullat binjake, por krim ndaj shoqërive dhe të gjithë njerëzimit. Ky artikull mund të llogaritet gjithperfshires për disa ndodhi, duke filluar nga 11 shtatori, 7 janari dhe disa ndodhi (konkretisht sulme terroriste) që na presin që tanimë logjikisht janë të paraprogramuara dhe do të ndodhin. Sulme terroriste do të ketë plotë. Atentatet p.sh. kanë qëne modern më herët. Tani nuk ka më atentate por vetëm sulme terroriste. Mediat, të cilat perhapin këta lajme dhe shoqërinë tonë e mbushin me informacione të tipit BOSH (të shprazëta), me apo pa dashje, janë bartëset kryesore te këtij krimi.
Agron Kurtishi
Autori është pedagog I fushes së mediave në USHT dhe UEJL