thumbs_b_c_1fad610fe82478c3e5c8b2747344ddce

TİKA dhuron 23 sera për gratë fermere të Kosovës

Agjencia Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim (TİKA) ka mbajtur ceremoninë e dorëzimit të 23 serave për gratë fermere në Komunën e Istogut, raporton Anadolu.

Në këtë ceremoni, e cila u mbajt në fshatin Dobrushë të Komunës së Istogut, morën pjesë nënkryetari i TİKA-s, Mahmut Çevik, zv/kryeministrja Emilija Redžepi, ambasadori i Türkiyes në Kosovë, Sabri Tunç Angılı, koordinatorja e TİKA -s në Kosovë, Fulya Aslan, nënkryetarja e shoqatës së grave “Vas Kutak”, Anesa Abazoviq, si dhe shhumë fermerë.

Në fjalën e tij, Çevik tha se kanë realizuar shumë projekte për zhvillimin e të gjithë elementeve etnikë që jetojnë në Ballkan, si dhe theksoi se në Kosovë kanë realizuar më shumë se 50 projekte për mbështetjen e prodhimit bujqësor.

“Ne premtojmë se gratë dhe vajzat do të kontribuojnë në ekonominë e Kosovës dhe gjithmonë do ta mbështesin prodhimin bujqësor me projektet dhe programet tona”, tha ai.

Zv/kryeministrja Redžepi, nga ana e saj, tha se gratë fermere janë të lumtura falë mbështetjes së dhënë nga TİKA.

“Kjo është dëshmi se sa vëllezër kanë qenë boshnjakët dhe turqit në shekuj”, tha ajo.

Edhe ambasadori Angılı theksoi se prodhimi i grave fermere do të kontribuojë në ekonominë e Kosovës.

“Dëshiroj të shpreh mirënjohjen time për TİKA-n për këtë projekt që bashkon gratë dhe prodhimin bujqësor, i cili mendoj se është i një rëndësie të madhe për Kosovën që të bëhet një vend më i fortë dhe më i begatë në të ardhmen”, tha ai.

Ndërkaq, nënkryetarja e “Vas Kutak”, Abazoviq, theksoi se serat e dhuruara nga TİKA do të mbështesin përpjekjet e shoqërisë për përmirësimin e standardeve të jetesës dhe forcimin e prodhimit bujqësor.

Në kuadër të projektit ”Mbështetja me sera për gratë fermere në Komunën e Istogut”, gjithsej 23 sera, secila me një sipërfaqe prej 100 metrash katrorë, u instaluan nga TİKA për fermeret, kryesisht boshnjake, anëtare të Shoqatës së Grave “Vas Kutak”.