TIKA mbështet zhvillimin e bletarisë në Maqedoninë e Veriut

Agjencia Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim (TIKA) në kuadër të Projektit për zhvillim të bletarisë në Maqedoninë e Veriut ka dhuruar pajisje për bletari dhe bletë për 23 familje në komunën e Lozovës, Shtipit, Karbincit dhe zonave të tjera, raporton Anadolu Agency (AA).

Ceremonia u mbajt në fshatin Karatmanovo, e cila është pjesë e komunës së Lozovës. Në ceremoni morën pjesë koordinatori i TIKA-s në Shkup, Halim Ömer Söğüt, kryetari i komunës së Lozovës, Aco Velkovski, si dhe popullata lokale që merret me bletari.

Koordinatori i TIKA-s në Shkup për AA tha se sot pajisjet e bletarisë u dhurohen 23 familjeve, përkatësisht nga dhjetë shporta për secilën familje, nga komuna e Lozovës, Shtipit, Karbincit dhe zonave të tjera në kuadër të Projektit për zhvillimin e bletarisë në Maqedoninë e Veriut.

“Një ditë shumë e bukur, sot ne jemi së bashku me qytetarët tanë dhe njerëzit nga rajone të ndryshme. Në fakt, kjo është një shenjë që tregon miqësinë dhe bashkëpunimin midis Turqisë dhe Maqedonisë së Veriut dhe një shenjë se ky bashkëpunim midis dy vendeve do të vazhdojë të zhvillohet”, tha Söğüt.

Duke theksuar se përveç dhurimit të pajisjeve për bletarët po realizohen trajnime shumë serioze, Söğüt tha se ky projekt gjithashtu do të kontribuojë në rritjen e kapacitetit të mjaltit në Maqedoninë e Veriut.​​​​​​​

Po ashtu edhe kreu i komunës së Lozovës njoftoi se TIKA ka siguruar bletë dhe pajisje të bletarisë për 23 familje në pjesën lindore të vendit.

“Kjo ngjarje është me rëndësi të madhe për komunën e Lozovës, sepse kjo mbështetje për bletarët nga TIKA jo vetëm që do të jetë zhvillim për bletarinë dhe bujqësinë në komunën tonë, por edhe do të ndikojë drejtpërdrejtë në zhvillimin lokal të komunës. Do të përfitojnë bletarët dhe komuna e Lozovës”, tha Velkovski.