Agjencia Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim (TIKA) që nga dita kur ka filluar aktivitetet e saj në vitin 2004 në Kosovë, me qindra projekte të zbatuara përforcon edhe më tej lidhjet miqësore mes Turqisë dhe Kosovës.
Sipas të dhënave që gazetari i Anadolu Agency (AA) ka përpiluar nga Zyra e Koordinimit të Programit të TIKA-s në Prishtinë, agjencia shtetërore turke në periudhën prej vitit 2005 deri në 2020 ka realizuar mbi 650 projekte në fushat si shëndetësia, arsimi, restaurimi i trashëgimisë së përbashkët historike dhe kulturore, bujqësia dhe blegtoria.
TIKA, e cila aktivitet e saj i ka filluar në vitin 2004 në Kosovë në zyrën e saj rezidente në Prizren, më pas në vitin 2008 ka vazhduar nga Zyra e Koordinimit të Programit në Prishtinë.
Në projektet e kryera në bazë të kërkesës, TIKA synon tërë Kosovën pa diskriminim në bashkëpunim me ministritë përkatëse, administratat lokale dhe organizatat joqeveritare, veçanërisht institucionet publike. TIKA prodhon dhe zbaton projekte dhe aktivitete për të përforcuar dhe zhvilluar më tej lidhjet miqësore mes Turqisë dhe Kosovës.
– Shëndetësi
TIKA ka zbatuar gati 100 projekte në fushën e shëndetësisë, duke përfshirë kryesisht rinovimin e spitaleve dhe qendrave shëndetësore, mbështetjen me pajisje dhe krijimin e laboratorëve të analizave mjekësore, si dhe trajnimin e personelit shëndetësor. Si një ndër projektet më të rëndësishme në fushën e shëndetësisë dallohet themelimi i Njësisë Qendrore të Kujdesit Intensiv të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës.
Njësia në fjalë në gusht të vitit 2020 u shndërrua në një qendër kundër pandemisë së koronavirusit të ri (COVID-19) dhe u bë bazë kritike ku u trajtuan rastet e rënda me COVID-19
– Arsim
TIKA, e cila ka bërë rinovimin dhe ndërtimin e shumë shkollave në fushën e arsimit, bashkë me furnizimin me pajisje, ka realizuar mbi 250 projekte në këtë sferë.
Agjencia gjithashtu ka bërë rinovim, pajisje dhe instalimin e dhomës sensorike në shkollën speciale Qendra Burimore për mësim dhe këshillim “Lef Nosi” në Prizren, si dhe në atë të shkollës speciale “Qendra Burimore – Përparimi” në Prishtinë, dy nga katër shkolla në Kosovë që ofrojnë shërbime falas të arsimit special nën Ministrinë e Teknologjisë, Shkencës dhe Arsimit të Kosovës.
Nga ana tjetër, kanë filluar edhe punimet për ndërtimin e Qendrës së Arsimit Special dhe Rehabilitimit në Prishtinë.
– Restaurimi i trashëgimisë së përbashkët historike dhe kulturore
TIKA gjithashtu kreu projekte të ndryshme të restaurimit në Kosovë me qëllim të mbrojtjes së trashëgimisë së përbashkët historike dhe kulturore, e cila është një nga pasuritë e rëndësishme të vendit, dhe transferimin e kësaj trashëgimie kulturore tek brezat e ardhshëm.
Në mesin e këtyre projekteve restauruese vijnë Restaurimi dhe Rregullimi Ambiental i Xhamive Sinan Pasha dhe Emin Pasha në Prizren, i Xhamisë së Madhe në Prishtinë (Fatih Sulltan Mehmet), i Xhamisë Murat Beu në Janjevë, si dhe Xhamisë Mehmet Akif Ersoj në Sushicë. Gjatë vitit 2021, gjithashtu planifikohet fillimi i punimeve të restaurimit tek Xhamia e Çarshisë së Prishtinës (Sulltan Murad).
– Bujqësi dhe Blegtori
TIKA, e cila gjithashtu kryen programe dhe projekte të ndryshme në fushën e bujqësisë dhe blegtorisë, ka zbatuar afërsisht 40 projekte në këtë fushë, përfshirë edhe Programin e Zhvillimit Bujqësor dhe Programin e Mbështetjes së Ushqimit dhe Sigurisë së Jetës.
Në këtë drejtim, TIKA ka realizuar projekte për dhurimin e bagëtisë dhe koshereve të bletëve dhe instalimin e qendrave të grumbullimit të qumështit. Agjencia po ashtu zbatoi projekte për të mbështetur prodhuesit e frutave të shkurreve, mbështetje me depo të ftohta, qendra për prodhimin e lëngjeve të frutave, qendra për tharjen e bimëve mjekësore dhe aromatike, prodhim bujqësor në serë dhe projekte të ndryshme mbështetëse me makineri bujqësore.
Veçanërisht në vitet e fundit, TIKA zbatoi projekte të rëndësishme për përforcimin e grave në zonat rurale, për të kontribuuar në ekonominë familjare dhe të shtetit. Mes tyre janë Shoqata e Grave Fermere “Krusha e Vogël” dhe Organizata “Shqiponjat e Dardanës e Graçanicës”, me të cilat u zhvilluan projekte për krijimin e Qendrës së Grumbullimit dhe Përpunimit të Qumështit dhe Qendrës së Tharjes së Bimëve Aromatike.
– Projektet e tjera
TIKA ka zbatuar 81 programe për zhvillimin e kapaciteteve në mënyrë që të sigurojë bashkëpunim midis dy vendeve dhe të ofrojë shërbime publike efikase, duke siguruar mbështetje trajnuese për më shumë se 2.000 nëpunës civilë të Kosovës, ekspertë dhe akademikë përmes institucioneve në Turqi.
Ndërkohë, në kuadër të luftës kundër pandemisë COVID-19, ajo siguroi 32 tonë mbështetje ushqimore bazë për punëtorët e përditshëm dhe 7.000 njerëz që kanë nevojë për mbështetje ekonomike, përfshirë të moshuarit dhe pacientët kronikë.