TIKA ndihmon mbi 5.300 familje palestineze në Gaza me rastin e Ramazanit

TIKA ndihmon mbi 5.300 familje palestineze në Gaza me rastin e Ramazanit

Në kuadër të ndihmave të Ramazanit për popullin palestinez, Agjencia Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim (TIKA) shpërndau pako ushqimore për 5.320 familje në nevojë në Gaza, e cila është nën bllokadën e Izraelit, transmeton Anadolu Agency (AA).

Në deklaratën e bërë nga Zyra e TIKA-s në Palestinë, thuhet se ndihma ka për qëllim të përmbushë disa nga nevojat e Ramazanit të familjeve të varfra që në të njëjtën kohë po luftojnë kundër koronavirusit (COVID-19) nën hijen e bllokadës së vendosur nga Izraeli.

Pakot ushqimore përmbanin produkte si vaj luledielli, vaj ulliri, oriz, fasule, thjerrëza, makarona dhe çaj.

Në deklaratë u theksua gjithashtu se gjatë Ramazanit, pako ushqimore do t’u jepen 14 mijë familjeve në Gaza, Bregun Perëndimor dhe Kudsin Lindor, kurse 7 mijë njerëzve do t’u jepen vakte iftari.

Për shkak të bllokadës së vendosur nga Izraeli që nga viti 2006 dhe COVID-19, situata ekonomike në Gaza po përkeqësohet çdo ditë e më shumë dhe gjysma e popullsisë po përjeton varfëri.

Ndryshe, TIKA ka hapur Zyrën e Palestinës që nga viti 2005 dhe deri më tani ka kryer qindra projekte në fusha si arsimi, shëndetësia, ndihma emergjente, uji dhe shëndeti publik, sektori i prodhimit, mbrojtja e trashëgimisë së përbashkët historike dhe forcimi i infrastrukturës administrative dhe civile.