thumbs_b_c_e0302aa0f6210c65ffb94430f3390f5f

TIKA ndihmon prodhuesit dhe përpunuesit e qumështit me pajisje bujqësore në Pejë

Në kuadër të projektit “Mbështetja e prodhueseve dhe përpunueseve të qumështit me pajisje bujqësore të komunitetit boshnjak”, Agjencia Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim (TIKA) ka dhuruar pajisje për fermerët e komunës së Pejës dhe Istogut, raporton Anadolu.

Ngjarja u zhvillua në fshatin Zllapek të Pejës, ku nga ky projekt përfituan 10 fermerë nga komuniteti boshnjak në këtë rajon.

Në ceremoni morën pjesë zëvendëskryeministrja e Kosovës Emilija Rexhepi, nënkryetari i Komunës së Pejës Fatmir Asllani, Koordinatorja e TIKA-s në Kosovë, Fulya Aslan dhe fermerë.

Rexhepi, në fjalën e saj tha se ishte kënaqësi pjesëmarrja në një ngjarje të tillë ku TIKA mbështet projektet e pjesëtarëve të komuniteteve pakicë në Kosovë dhe shprehu shpresën se fermerët do ta organizojnë punën e tyre edhe më mirë pas këtij donacioni nga agjencia shtetërore turke.

“Me shpresën se do të mbajmë forcat tona të përbashkëta me Qeverinë e Republikës së Kosovës dhe me organizatën qeveritare turke TIKA, dua t’ju përgëzoj edhe një herë të gjithëve për projektin. Dhe ne jemi këtu për t’ju siguruar mjete më të mëdha për aktivitetet tuaja bujqësore”, tha Redxhepi.

Ajo po ashtu ka thënë se është e lumtur me koordinatoren e re të TIKA-s në Kosovë, e cili është “mike shumëvjeçare e Kosovës”.

Koordinatorja e re e TIKA-s në Prishtinë, Fulya Aslan, tha se TIKA ka realizuar shumë projekte në bujqësi për të plotësuar nevojat ushqimore të qytetarëve të Kosovës, për të zhvilluar sektorin e bujqësisë dhe blegtorisë, e cili ka një vend të rëndësishëm në ekonominë e vendit, si dhe përmirësimin e kushteve të prodhimit.

Ajo vuri në dukje faktin se produktet shtazore dhe bujqësore nuk janë të mjaftueshme për ta përballuar rritjen e popullsisë botërore dhe sigurimi i ushqimit nuk po arrihet vetëm me prodhim.

“Sot, ne do t’ju ofrojmë juve, fermerëve tanë të çmuar, tanke për ftohjen e qumështit dhe pajisje për prodhimin e qumështit dhe nën-produkteve të tij të shëndetshme dhe të përpunuara me metoda moderne dhe higjienike. Ne synojmë të sigurojmë prodhim cilësor dhe siguri ushqimore”, theksoi Aslan.