kurani

Tradita dhe adhurimi (adeti dhe ibadeti) [HUTBE]

Adeti ose tradita është një gjë që përcillet gjeneratë pas gjenerate.

Adetet ndahen në të mira, siç janë: burrëria, bujaria, besimi etj., dhe në adete të këqija, siç janë: idhujtaria, besëtytnitë, alkooli, tradhtia etj.

Adhurimi (ibadeti) medoemos duhet të ketë argument fetar, prej shpalljes. Pra, duhet të ketë bazë në fe.

Ne shpesh hasim në njerëz të cilët kryejnë disa obligime fetare ose urdhra të Allahut, porse i bëjnë thjesht “për adet”. Të tillët sikur thonë: Meqë njerëzit po bëjnë kështu, edhe unë po veproj sikurse ata. Njerëzit po shkojnë në xhami, kështu që po shkoj edhe unë. Familjarët agjërojnë, kështu që edhe unë po agjëroj me ta. Të tjerët japin sadaka, andaj edhe unë po jap.

Vëllezër të nderuar, fetarisht kërkohet më tepër se kjo. Nuk është qëllimi thjesht pjesëmarrja, por përse bëhet ky adhurim (ibadet)?

Medoemos duhet të kemi dije rreth ibadeteve dhe të dimë përse i kryejmë ato.

Në vijim do të shquajmë disa dallime mes ibadetit dhe adetit.

Ai që kryen një ibadet ose një obligim fetar, kënaqet me të, sepse e di rëndësinë e këtij obligimi fetar. Madje, i duket i lehtë ky obligim dhe nuk ndihet ngushtë kur ta kryejë atë ibadet.

Pejgamberi ﷺ  i tha Bilalit: “O Bilal, thirre ezanin për namaz, që të qetësohemi me të!”[1]

Pra, në namaz e gjenin qetësinë, sepse  e dinin vlerën e namazit. Ata nuk e kryenin veç për ta hequr qafe.

Po ashtu, namazi i xhumasë. Duhet të kemi parasysh përse e falim? Përse janë këto rregulla?

﴿يَٰٓأَيُّهَا ٱلَّذِينَ ءَامَنُوٓاْ إِذَا نُودِيَ لِلصَّلَوٰةِ مِن يَوۡمِ ٱلۡجُمُعَةِ فَٱسۡعَوۡاْ إِلَىٰ ذِكۡرِ ٱللَّهِ وَذَرُواْ ٱلۡبَيۡعَۚ ذَٰلِكُمۡ خَيۡرٞ لَّكُمۡ إِن كُنتُمۡ تَعۡلَمُونَ٩﴾

“O besimtarë, kur të thirreni për lutje ditën e premte, nxitoni për ta përmendur Allahun (namazi i xhumasë) dhe pezulloni shitblerjen; kjo është më mirë për ju, nëse e dini.” (El Xhuma, 9)

 

Po ashtu, kur është muaji Ramazan, besimtari duhet ta dijë përse agjëron: Allahu thotë:

﴿يَٰٓأَيُّهَا ٱلَّذِينَ ءَامَنُواْ كُتِبَ عَلَيۡكُمُ ٱلصِّيَامُ كَمَا كُتِبَ عَلَى ٱلَّذِينَ مِن قَبۡلِكُمۡ لَعَلَّكُمۡ تَتَّقُونَ١٨٣﴾

“O besimtarë! Ju është bërë obligim agjërimi, ashtu siç ka qenë obligim i atyre që ishin para jush, që të bëheni të devotshëm.” (El Bekare, 183)

 

Ai që i kryen obligimet duke e ditur se janë ibadet, përmallohet për t’i kryer ato. Zemrën e ka të lidhur për këto obligime fetare. Madje, as gjumi s’e zë nëse nuk i kryen dhe mund të sëmuret nëse i ikën ndonjë ibadet.

Ndërkaq, ai që i kryen si adet, nuk mërzitet nëse i lë obligimet. Ndodh që për një gjë të vogël ta lërë namazin, agjërimin ose ndonjë obligim tjetër. Po ashtu ka raste kur për një vend pune e lë namazin. Ka raste që vetëm pse e ka ndërruar qytetin dhe ka kaluar në një qytet tjetër e ka lënë namazin ose agjërimin.

Pastaj, vëllezër, duhet ta dimë se edhe ata që i kryejnë obligimet duke e ditur se janë ibadet, ka raste kur pas një kohe e kryejnë adhurimin si pjesë të përditshmërisë.

Kjo është normale të ndodhë, porse kjo mund të shmanget duke bërë disa ndryshime gjatë adhurimit.

Për shembull, në namaz është mirë të mësohet një sure e re, që ta thuash brenda namazit e jo të përsëriten vetëm suret e shkurtra e të njëjtat gjatë tërë jetës.

Po ashtu, preferohet të mësohen lutje të ndryshme që thuhen brenda namazit dhe në këtë mënyrë e largon atë rutinë si dhe fillon ta shijojë namazin më tepër.

Po ashtu është mirë që të praktikohen sunetet brenda namazit, pasi që edhe kjo e largon rutinën.

Nëse agjërimi ka filluar të na bëhet rutinë, është mirë që të lexohet ndonjë libër rreth agjërimit ose të dëgjohet ndonjë ligjëratë dhe tërë kjo bëhet me qëllim që ta shijojmë më tepër agjërimin dhe ta thyejmë atë rutinën që e kanë shumë njerëz.

 

Personi që i kryen veprat si ibadet e jo si adet, veprat e mira i bën në vazhdimësi. Gjatë 24 orëve, gjatë tërë javës, gjatë tërë muajit, gjatë tërë vitit. Madje kështu e ka gjithë jetën:

﴿وَٱعۡبُدۡ رَبَّكَ حَتَّىٰ يَأۡتِيَكَ ٱلۡيَقِينُ٩٩﴾

“Dhe adhuroje Zotin tënd derisa të vijë ty e vërteta (vdekja).” (El Hixhër, 99)

Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të‎‎) tregonte për Pejgamberin ﷺ  duke thënë: “Veprat e tij kanë qenë të vazhdueshme.”[2]

Po ashtu kur Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të‎‎) bënte ndonjë vepër, e bënte në vazhdimësi.[3]

Mos ndërto e pastaj ta rrënosh! Mos ndërto një muaj Ramazan e pastaj të rrënosh njëmbëdhjetë muaj! Mos ndërto një ditë xhumaje e të rrënosh një javë.  Shpëtimi dhe suksesi është në vazhdimësi.

Madje, edhe në punët e dynjasë, kërkohet vazhdimësia dhe mosndërprerja.  A keni dëgjuar se dikush e hap dyqanin e vet vetëm një herë në muaj?! A keni dëgjuar se filan mësuesi shkon në shkollë vetëm një herë në tre muaj?! A keni dëgjuar se dikush e ka përvetësuar një profesion vetëm për 2-3 javë?! Jo! Kurrë nuk ndodh kjo. Për të arritur rezultate dhe suksese kërkohet vazhdimësia.

Kjo vlen edhe për ibadetet. Duhet të fillojmë, qoftë dhe me pak vepra të mira, porse të jenë në vazhdimësi.

 

Pjesa e dytë e hutbes

Në tregimin e Musait ﷺ  dhe magjistarëve shohim se një prej adeteve që kishin në atë kohë ishte marrja me magji (sehire), e cila ishte shumë e përhapur tek ata. Mirëpo, në momentin që e panë mrekullinë e Musait ﷺ : shkopin e tij duke i gëlltitur gjarpërinjtë e tyre, ata besuan sakaq. Pikërisht ky është ibadeti.

Ata kishin dije rreth magjisë (sihrit), por, kur e panë me sytë e tyre atë që e kishte Musai ﷺ , e ditën se kjo nuk kishte të bënte me magjinë: kjo qenka diçka qiellore.

Ata nuk u ndalën me kaq, por qëndruan të palëkundur edhe pas kërcënimeve të Faraonit.

Më herët, Faraoni u pati premtuar se do të kishin shpërblime, ndërsa tani, pasi besuan, i kërcënoi me vdekje.

Megjithatë, ata i lanë shpërblimet e besuan, qëndruan në fe dhe u vranë për këtë besim.

Besimin nuk e patën adet, por ibadet.

[1] Ebu Davudi, 4985 dhe e saktëson shejh Shuajbi.

[2] Buhariu nr.1987.

[3] Muslimi nr.783.

Përgatiti: Mr. Flamur Kabashi