libi-storm

Tragjedia në Libi, sfidë për identifikimin e trupave, uji i ndotur helmon të mbijetuarit

Beteja për t’u ardhur në ndihmë të mbijetuarve dhe për të lokalizuar të vdekurit, vijon’pa u ndalur në Libinë e gjunjëzuar nga përmbytjet shkatërruese. Një tjetër sfidë është identifikimi i trupave, shumica e të cilëve kanë qëndruar në ujë për ditë të tëra dhe janë tani të pa identifikueshëm.

Më shumë se 10 mijë vetë vijojnë të jenë të zhdukur sipas të dhënave të zyrës për koordinim të çështjeve humanitare në OKB. Sipas organizatës bilanci i viktimave është aktualisht në rreth 11 300, por të dhënat përfundimtare pritet t’i tejkalojnë 20 mijë. Çdo ditë që kalon, nxjerr në dritë tragjedi të reja, e shuan shpresat atyre që presin dëshpërimisht lajme për të dashurit e tyre.

“Familja ime e vogël përbëhej nga 6 anëtarë. Ndërsa nga familja e madhe 48 persona nuk janë gjetur ende. Zoti do t’i ndëshkojë ata që duhet të kujdeseshin për digat”, tha një i mbijetuar.

Sipas OKB, mbi 40 mijë vetë janë shpërngulur si pasojë e katastrofës, të cilët pas humbjes së shtëpive përballen tani me një tjetër rrezik, atë të sëmundjeve.

Një total prej 150 personash raportohen të jenë helmuar nga uji i kontaminuar. Teksa ndihmat ndërkombëtare vazhdojnë të mbërrijnë me nxitim, ministri i shëndetësisë në qeverinë lindore të Libisë njoftoi se të paktën 3 punonjës grekë të shpëtimit dhe tre anëtarë të një familje libiane kishin humbur jetën në një aksident rrugor teksa udhëtonin me autobus nga Bengazi drejt qytetit të rrënuar të Dernës. Autobusi përplas me një makinë, ku po udhëtonte një familje. Një hetim ka nisur për të zbardhur rrethanat e ngjarjes. /syri